E Diel, 1 Nëntor 2026

Pesë vendet e BE-së kanë filluar ta njohin realitetin

“Shtetet e BE-së që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës kanë filluar ta njohin realitetin në terren”, ka thënë zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Petrit Selimi.

Në një intervistë për “Epokën e re”, Selimi ka thënë se diplomacia e Kosovës po bën përpjekje maksimale t’i bindë këto vende në miqësinë e Kosovës si kandidate potenciale për hyrje në BE.

Zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Petrit Selimi, ka thënë se njohja e pasaportave të Republikës së Kosovës nga Rumania është shenjë se ka filluar të njihet realiteti në Kosovë nga pesë vendet anëtare të BE-së të cilat nuk e kanë njohur shtetin e Kosovës. Selimi ka thënë se diplomacia e Kosovës po bën përpjekje maksimale t’i bindë këto vende në miqësinë e Kosovës si kandidate potenciale për hyrje në BE. “Njohja do të vijë, pasi nga këto shtete po fillon të njihet realiteti i Kosovës si një faktor stabiliteti”, ka thënë Selimi.

Numri dy i diplomacisë së Kosovës është shprehur i bindur se këto shtete do të jenë partnerë të Kosovës në rrugën e saj evropiane. Selimi ka thënë se vitin e kaluar është shënuar numër rekord i njohjeve, ndërsa ka shtuar se edhe sivjet do të ketë lëvizje substanciale. “Siç tha edhe kryeministri, disa nga shtetet, si Egjipti dhe Tunizi, tashmë e kanë njohur Kosovën dhe po presim formalizimin e kësaj njohje. Kjo do të paraqesë një fitore të madhe dhe kthim të investimit tonë shumëmuajsh në njohjen nga Egjipti”, është shprehur Selimi.

Si zëvendësministër, Selimi ka thënë se ka punuar shumë që të avancojë dialogun ndërfetar si pjesë të diplomacisë publike. Ai ka thëne se në disa vende të botës kanë paragjykime për ne për shkak të propagandës serbe që synon që këtë vend ta prezantojë si çerdhe të prapambetur të islamit radikal dhe prapambeturisë. “Pra, janë këto teza raciste që duhen luftuar me të gjitha mjetet diplomatike. Me qeverinë norvegjeze, britanike dhe fondacionin e kryeministrit Tony Blair jemi duke organizuar një konferencë të madhe në Pejë me liderë botërorë të të gjitha feve, ku pritet të vijnë mbi 100 mysafirë. Kam studiuar pak edhe teologjinë dhe antropologjinë në Universitetin e Oslos, prandaj kryeministri më ka besuar edhe këtë detyrë shtesë të cilën e marr me seriozitet. Jam i bindur se një nga begatitë tona më të mëdha dhe argument i fuqishëm në rrugëtimin drejt Evropës është toleranca jonë historike ndaj të gjitha feve. Promovimi i tolerancës dhe dialogut është diçka që ne kemi të drejtë të mësojmë edhe në vendet e tjera në botë, sepse ishim viktima, por e ruajtëm një mirëbesim fetar, pavarësisht sfidave dhe ekstremizmave të importuar nga jashtë që nuk i takojnë këtij nëndhes”, tha Selimi. /Indeksonline/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›