E Shtunë, 31 Tetor 2026

Burgu i ri, 2 mijë pretendentë për gardianë

Nëntëqind e katër pretendent për oficerë korrektues në burgun e Gërdovcit e kanë kaluar testin me shkrim. Të enjten, ata do t’i futen edhe një testi tjetër eliminues, atij fizik. Pas kësaj, sipas zyrtarëve të MD’së do të përzgjidhen 140 gardianët përfundimtarë të burgut më modern në Kosovë. Rezultatet do të publikohen pas dy javësh.

Lista po ngushtohet. Prej 2 mijë pretendentëve që kanë aplikuar për pozitën e gardianit në burgun më të ri në Kosovë, i cili po ndërtohet në Gërdovc, provimin me shkrim e kanë kaluar plotë 904.

Por testi i tyre nuk përfundon këtu. Për të arritur numrin e saktë të punëtorëve që Ministria e Drejtësisë në Kosovë ka planifikuar t’i ketë në këtë burg, është përgatitur edhe një fazë e testimit.

Krejt ata që ia kanë mësy këtij vendi të punës në këtë burg të sigurisë së lartë si oficerë korrektues, do t’i nënshtrohen edhe një provimi tjetër. Atij fizik.

Kanë mbetur veç edhe pak ditë që ata ta ndërmarrin një hap të tillë. Ministria e Drejtësisë tashmë ka zgjedhur vendin dhe datën se kur ata do të hyjnë në provimin vendimtar.

Saranda Salihu, zyrtare për informim në MD thotë se faza e testit me shkrim për aplikuesit tashmë ka përfunduar. Lista me emrat e atyre që e kanë kaluar këtë fazë, është publikuar në faqen zyrtare të Ministrisë. “Të enjten gjithsej 904 aplikuesit që e kanë kaluar testin me shkrim, do t’i nënshtrohen edhe atij fizik”, ka thënë Salihu për Express.

Sipas saj, secili nga këta do të testohet për aftësitë fizike që ka. Në vrapim, peshëngritje dhe çdo ushtrim tjetër që e mat forcën fizike të tyre. “Derisa të arrihet numri fiks i atyre që do të pranohen. Prej fillimit është bërë e ditur se për pozitën e gardianit janë hapur 140 vende pune”, ka sqaruar Salihu.

“Testit do t’i nënshtrohen aplikuesit të enjten në stadiumin e qytetit, duke filluar nga pra 8 në mëngjes”. Salihu thotë se tek pas dy javësh do të dihet përfundimisht se kush janë ata oficerë korrektues që kanë pas fatin të pranohen në punë. “Besoj se pas dy javësh do të shpallen rezultatet”, tha ajo.

Pas përfundimit të këtij projekti Kosova do të ketë një burg i cili do të jetë i standardeve më të larta botërore, i cili do të ketë kapacitet për mbi 300 të burgosur dhe do të ketë standarde të larta jo vetëm për periudhën e kaluar në burg, por do të ketë edhe shërbime të tjera që është në përputhje me të gjitha nevojat dhe të drejtat e njeriut.

Zyrtarë të UNOPS që janë edhe hartues të projektit kanë deklaruar se ky do të jetë burg modern. Ndërkaq sipas tyre, burgu i ri është shumë më afër Prishtinës, aty ku më së shumti mbahen gjykimet për të akuzuarit që vuajnë dënimin në burg.

“Burgu i ri është 25 kilometra larg qytetit, i cili do të ofrojë qasje shumë më të shpejtë në gjykata dhe më shumë siguri”, thonë ata. Përveç sigurisë sipas UNOPS, burgu i ri i Gërdovcit do të jetë shumë modern dhe i ndërtuar sipas standardeve ndërkombëtare. Thonë se të burgosurit aty do të kenë më shumë luks dhe kushte të mira. Madje më të mira sesa në Burgun e Dubravës.

Kjo pasi sipas tyre, në raportin e Këshillit të Europës thuhet se kushtet në atë burg nuk janë fort të mira. “Në burgun e ri do të jenë edhe standardet për telefon, dritë natyrale, sanitari, tualete etj. Krahas pjesëve të sigurimit kompleksi do të përfshijë edhe pjesa për familjarë, dy vend punishte, një dhomë për të sëmurët dhe një për edukim”, sqarojnë zyrtarë të organizatës e cila e zbaton projektin.

Të gjitha këto sipas tyre do ta bëjnë burgun e Gërdovcit, burgun më modern në Kosovë. Ndërtimi i burgut të sigurisë së lartë në fshatin Gërdovc të Podujevës është financuar nga Bashkimi Europian (KE) me 8.5 milionë euro dhe Qeveria e Kosovës (MD) me 6 milionë euro. E komuna e Podujevës ka ndarë parcelën prej 10 hektarëve, ndërsa hapësira brenda rrethojave është afër 7 hektarë.

Në kohën kur ka filluar ndërtimi i burgut, gurthemelin e tij e vuri Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi. Nisjen e ndërtimit të tij ai e ka quajtur edhe “reformë europiane”, i cili sipas tij kontribuon drejtpërdrejt edhe në fuqizimin e kapaciteteve të infrastrukturës të sundimit të ligjit në Kosovë.

Edhe për përfaqësuesin e Zyrës Ndërlidhëse të Komisionit Europian, Kjartan Bjornson, ndërtimi i këtij objekti është një hap shumë i rëndësishëm në konsolidimin e sistemit të burgjeve. Sipas tij, burgu i Dubravës nuk i përmbush konditat e sigurisë dhe për shkak se ka numër të madh të të burgosurve nuk i përputhet standardeve evropiane.

Sidoqoftë, nuk është vetëm UNOPS dhe donatorë të tjerë që u kanë dalë punë me ndërtimin e burgut të ardhshëm të Kosovës. Në kohën kur nisi ndërtimi i tij, edhe EULEX-i ka kërkuar të blejë në Evropë të ashtuquajturat “Prisioners Escort Vans”, vetura të blinduara për transferimin e të burgosurve nga aty për në gjykatë. Gjithashtu, EULEX-i ka shpjeguar se do të hapë programin në të cilin do të trajnohen trupat shoqëruese të këtyre veturave të blinduara.

Burgu i Sigurisë së Lartë ende nuk ka filluar punën. Ministria e Drejtësisë deri më tash e ka zgjedhur vetëm drejtorin. Naim Maloku është zgjedhur drejtor i këtij burgu./Indeksonline/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›