Pesë vjet burg francezit, dha diploma false masteri e doktorature
Të gjithë e dimë sa duan shqiptarët të kenë një diplomë për marrëdhënie ndërkombëtare. Sa e sa universitete private lëshojnë të tilla diploma në një vend me më pak se 3 milion banorë. Sikur të mos mjaftonte kjo, një francez, që hiqej si drejtuesi i një instituti të rëndësishëm dhe mbajtës i një urdhri kalorësiak, ka shpërndarë në vendin tonë me dhjetëra diploma master dhe doktoraturë për marrëdhënie ndërkombëtare. Por kur u zbulua mashtrimi, francezi Bruno Hamard u padit dhe u shpall në kërkim. Dje gjykata e Tiranës e ka dënuar me pesë vite burg për mashtrim. Hamard ofronte diploma që nisnin nga 300 deri në 1000 euro për person. Diplomat jepeshin online. Edhe pse nuk u licencua kurrë nga Ministria e Arsimit, studentët vërshuan. Vetëm në vitin akademik 2006-2007 kishte 65 studentë.
Hamard investonte po ashtu edhe në imazhin e tij, raporton Panorama. Ai organizonte aktivitete të ndryshme me Ministrinë e Mbrojtjes, ftonte në ceremonitë e diplomave zyrtarë të Ministrisë së Arsimit, Ministrisë së Integrimit, etj. Ai kishte nënshkruar edhe marrëveshje me Dhomën e Tregtisë së Qarkut Durrës.