E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pesëdhjetëvjetori i mbretërve

Mbretërit e rokut, gjegjësisht fenomeni muzikor dhe sunduesit e pakontestueshëm në botën e muzikës, grupi Rolling Stones ekziston tash e 50 vjet. Përkundër kësaj, me aq sa duket, pjesëtarëve të grupit as që po iu shkon mendja të pensionohen së shpejti. Turneun e ri botëror tashmë e kanë caktuar për vitin e ardhshëm.

Gjatë një konference për media, që e mbajti këtyre ditëve, këngëtari, Mick Jagger, theksoi: “Do të interpretojmë dhe punojmë të paktën edhe një vit”, ndërkohë që po buzëqeshte në stilin e një adoleshenti paksa naiv, njësoj siç bëri gjatë gjithë kohës që tashmë e ka lënë prapa.

E, kjo kohë nuk është fare e shkurtër. Grupi Rolling Stones vazhdon të rrokulliset në botën e muzikës tash e gjysmë shekulli.

Edhe pse Mick Jagger, kitaristët Keith Richards dhe Ron Wood, dhe timpanisti Charlie Watts, ka kohë që e kanë kaluar moshën jetësore të cilën vdekatarët e zakonshëm e konsiderojnë të mjaftueshme për pensionim, pensionimi i tyre dhe heqja dorë nga aktivitetet muzikore qartazi që – tash për tash – ende nuk tingëllon fare si një mundësi tërheqëse për ta.

Më 12 korrik (sot) Rolling Stones dhe adhuruesit e tyre do të kremtojnë 50-vjetorin e ekzistimit të grupit që definitivisht la gjurmë të pashlyeshme në botën e rok muzikës. Ishte pikërisht 12 korriku i vitit 1962 dita kur grupi i ri anglez mbajti koncertin e parë publik në Londër, në klubin Marquee. Është planifikuar që ku jubile të kremtohet në mënyrën më karakteristike të mundshme për Stones, me një turne botërore, megjithëse ajo u shty për vitin tjetër.

Çudi që janë ende gjallë...

Sa herë që në historinë e pop dhe rok muzikës flitet për ndonjë fenomen, atëherë sigurisht dhe para së gjithash mendohet për pikërisht për Rolling Stones. Edhe vetë fakti që anëtarët e grupit Rolling Stones – të cilët sot janë miliarderë - janë ende gjallë, në njëfarë mënyre paraqet një fenomen në vete. Kjo për shkak se, siç shkroi – për shembull - edhe vetë ‘junkie’ i dikurshëm Keith Richards, në autobiografinë e tij të botuar në revistën ‘Life’, vitin 2010, “secili anëtar i grupit pas vetes ka një ‘rrugë personale të kryqit’, që përbëhet nga vartësitë nga droga e alkooli, dashuritë e thyera, rëniet financiare, emocionale e fizike...”

Për skandalet që gjatë viteve i përcollën anëtarët e Stones’ave është shkruar gjithmonë, deri në detajet më të imëta.

Për disa, Stones janë sinonim i perëndisë në qiellin e muzikës, për të tjerët janë të muzicientë të pavdekshëm, të cilët qëllimisht refuzuan të tërhiqeshin nga skena.

Adhuruesit e tyre i duan ende, edhe për shkak të faktit se ata “ekzistuan gjithmonë, dhe ende janë këtu”, përkundër paralajmërimeve dhe thashethemeve të shpeshta për shpërbërjen e grupit.

“Ndërkohë, ata vërtet u shndërruan në Zotër të muzikës, të cilët thjeshtë lëshohen nga Olimpi i rok muzikës në Tokë, dhe këtu pastaj shndërrohen në gjenda të gjalla...” thekson, mes tjerash, menaxheri i Klubit Rolling Stones, në Aachen (Gjermani), Manni Engelhardt. /dw/

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›