E Shtunë, 31 Tetor 2026

Peshkatarët sarandiotë “të huaj” në detin e tyre

05/04/2012  REPORTAZH / Shprehen se po gjobiten dhe persekutohen nga grekët. Kapitaneria: T’i faktojnë

SARANDË - Peshkimi në detin Jon kohët e fundit është bërë mjaft i vështirë për peshkatarin Isuf Lala nga Borshi, i cili çdo ditë largohet pa gdhirë me varkën e tij dhe kthen në mesditë me disa kile peshk. “Në pranverë gjuetia është e mbarë. Peshku “dehet” nga ngrohtësia e detit dhe është e lehtë ta kapësh me rrjetë”, thotë Lala. Për të, peshkimi është gjithçka, ofron të ardhura dhe fitimi është i mirë. Peshkatari tregon se gjuetia detare të ofron pasiguri, por më e keqja është sekuestrimi i varkës nga rojat bregdetare greke.

Persekutimi

“Dy javë më parë, Policia Detare greke më gjobiti me 800 euro, me pretendimin se kisha shkelur ujërat territoriale të shtetit fqinj. Në fakt nuk është e vërtetë”, pohon Lala, ndërsa shton se “qysh prej asaj dite nuk largohet nga brigjet më shumë se 5 milje”. Lala thotë se shqetësimi është akumuluar prej kohësh, por nuk është në gjendje të shpjegojë shkakun. “Të them të drejtën, këtë problem ia kam përcjellë edhe kapitenerisë së Sarandës, por deri tani nuk kam marrë asnjë përgjigje”, shprehet peshkatari 59-vjeçar. Kjo situatë për të duhet të marrë fund, pasi, siç thotë ai, ka ardhur koha të “vihet kufiri tek thana”. “Sikur të mos mjaftonte gjuetia e paligjshme, kur disa peshkatarë amatorë kapin peshk me dinamit, duke shkatërruar eko-sistemin, tashmë na shtohen hallet e tjera. Nuk dimë se ku të shkojmë!”, shprehet Lala, ndërsa nis punën për të hequr peshqit nga rrjeta. Pëllumb Canaj, një nga drejtuesit e shoqatës së peshkatarëve, në Sarandë, nuk heq asnjë presje nga parafolësi. “Edhe durimi ka kufi. Grekët po spekulojnë me kufijtë ujorë. Ndihemi të huaj në detin tonë. Kjo histori duhet të marrë fund, pasi kjo politikë po na dëmton biznesin”, thekson Canaj. Disa vite më parë, kujton Canaj, dy peshkatarë u plagosën rëndë nga rojat bregdetare greke, teksa peshkonin në ujërat territoriale shqiptare. “Policia e Sarandës nisi hetimet, madje kërkoi një ballafaqim me autoritetet greke për të zbardhur të plotë ngjarjen, por, kjo histori tashmë është mbyllur. Askush nuk mbajti përgjegjësi”, thotë Canaj, duke shtuar se peshkatarët shqiptarë janë bërë objekt i survejimit nga radarët grekë. “Penalizimi është i rëndë. Gjoba varion nga 500 deri në 20 mijë euro dhe më rastin më të keq ajo konvertohet në bllokimin e motopeshkatores”, thekson Canaj, ndërsa nënvizon se në ujërat territoriale shqiptare peshkojnë mbi 70 peshkatore të mëdha.

Kapiteneria

Gjin Nikolla, shefi i Kapitenerisë së Portit të Sarandës, e vlerëson shqetësuese problemin e peshkatarëve, por janë të paprovuara, pasi dialogu mes institucionit dhe shoqatës së peshkatarëve është ndërprerë. “Peshkatarët sarandiotë kanë të drejtë të jenë kërkues, por mosvazhdimi i dialogut është bërë shkak për t’u marrë me shumë rezervë pretendimet e tyre nga drejtuesi i portit”, shprehet Nikolla. Nikolla tha se si përfaqësues i institucionit i ka kërkuar Shoqatës së Peshkatarëve të faktojnë provat, pasi deri tani ato kanë qenë vetëm në kuadrin e deklaratave gojore. “Të gjitha mjetet lundruese që qarkullojnë nga Saranda, janë të pajisura me instrumentet matës dhe identifikues dhe deri tani nuk janë printuar në letër vendndodhjet e tyre në momentet e pretenduara se kanë qenë në brendësi të ujërave territoriale shqiptare apo greke”, sqaron Nikolla.

Nikolla thotë se kapiteneria e portit të Sarandës është e gatshme të nisë hetimet, në qoftë se një peshkatar i vetëm fakton me dokument një gjobëvenie nga rojat bregdetare greke.

“Personalisht kam tre ditë që pres një dokument të tillë, por nuk ka ardhur. Kjo është shprehje e mungesës së seriozitetit nga ana e Shoqatës së Peshkatarëve, të cilët thanë se ishin të gatshëm të dorëzonin një listë me episode të ndodhura në kufirin detar dhe kërkesat ende nuk kanë mbërritur”, përfundon Nikolla.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›