E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prokuroria: Videoja e Gushit dëmtim provash nga policia

05/04/2012  Ekspertët: Viktimat e panë në video. U shkel ligji

TIRANË- Prekja e pistoletës, kapuçit e çorapes së Viktor Gushit nga skuadra e policisë që e arrestoi dhe nxjerrja në media e videos pyetësore, përbëjnë prishje të provave. Ky është reagimi i fundit i Prokurorisë së Tiranës që po merret me dosjen e grabitësit serial dhe vrasësit të arkëtares dhe argjendarit. Dëmtimi sipas Prokurorisë konsiston në faktin se publikimi me zë dhe me figurë i imazhit të personit të dyshuar ka bërë të paefektshëm veprimin e paraqitjes për njohje me të paktën katër arkëtare të ÇEZ, Ujësjellësit dhe Postës Shqiptare, ngjarje për të cilat Gushi dyshohej, por që nuk kishte prova të mjaftureshme. Ekspertët shprehen se “Nëse videoja nuk do të ishte bërë publike, veprimi i parë që do të bëhej do të ishte futja e të dyshuarit në një dhomë me katër persona të tjerë dhe pyetja e arkëtareve se cili ka qenë personi që u ka drejtuar armën në secilën grabitje. Tani ky veprim nuk mund të kryehet pasi dëshmitaret janë sugjestionuar”. Të njëjtin mendim ndajnë ekspertë të shumtë që debatojnë në media rreth këtij veprimi të bluve të kryeqytetit. Gjithashtu, kjo problematikë është trajtuar edhe në disa emisione televizive apo në artikuj në median e shkruar, ku veprimi cilësohet si shkelje e ligjit dhe dëmtim serioz i hetimeve. Prokuroria shprehet se publikimi i fotove të para që ishin kapur nga grabitja në bankën NBG ka qenë i justifikuar, pasi është bërë për identifikimin e autorit nga publiku kur nuk kishte prova të tjera. Ekspertët thanë se “Publikimi i fotove të para nuk e ka dëmtuar hetimin, por videoja e nxjerrë në publik pas arrestimit ka qenë tepër e dëmshme”. Deri më tani Viktor Gushi akuzohet për vrasjen e argjendarit Rrapo Sinanaj më 21 tetor 2011, vrasjen e arkëtares së bankës NBG Leonora Kaloçi më 27 mars 2012, ku u plagos roja Skënder Elmazi, si dhe 16 grabitje, krime këto të pranuara nga autori. Ndërkaq, ai dyshohet për grabitjen, vrasjen dhe më pas djegien e trupit të taksistit Ramazan Hyka brenda në makinën e tij në janar të vitit 2009. Gushi tha se studionte lëvizjet e kamerat dhe vriste atë që e kundërshtonte.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›