E Diel, 1 Nëntor 2026

Policia zbardh ngjarjen e 13 viteve më parë, ku mbetën të vrarë dy persona



Policia e Shtetit pas dy vjet hetimesh ka zbardhur ngjarjen e ndodhur 13 vite më parë në Shënlleshën të Dibrës, ku pas një grabitjeje me armë, mbetën të vrarë dy persona. Sipas burimeve zyrtare, nga strukturat e Drejtorisë së Krimeve të Rënda të Departamentit për Hetimin e Krimeve në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë në bashkëpunim me Drejtorinë e Policisë së Qarkut Dibër dhe Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Mat, si rezultat i hetimeve intensive, duke përdorur metodat speciale të hetimit, u bë i mundur zbulimi i autorëve të vjedhjes me armë me pasojë vrasjen e shtetasve Asllan Meçi dhe Rasim Elezi, ngjarje e ndodhur në datën 19.11.1996 në vendin e quajtur Shënlleshën të rrethit Dibër. Sipas policisë, autorët e këtij krimi, emrat e të cilëve nuk bëhen publike për arsye hetimi, të armatosur dhe të maskuar, i kanë dalë përpara autobusit të pasagjerëve të Komunës së Reçit, kanë vrarë drejtuesin e autobusit shtetasin Rasim Elezi dhe arkëtarin e komunës shtetasin Asllan Meçi dhe më pas kanë marrë lekët e komunës, një shumë rreth 12 milionë lekë të vjetra, e janë larguar nga vendi i ngjarjes. Për autorët e kësaj vepre penale, nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Dibër, me vendim nr. 73, datë 27.10.2009, është caktuar masa e sigurisë “arrest me burg”. Nga hetimet e kryera, autorët e këtij krimi kanë rezultuar të jenë autorë të dyshuar edhe për disa veprave të tjera të rënda penale, të ndodhura në kohë të ndryshme në qarqet Dibër dhe Tiranë.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›