E Shtunë, 31 Tetor 2026

Eto‘o: Nuk e di pse më shiti Barcelona

Samuel Eto‘o është gati për të luajtur në Serinë A dhe është shumë i kënaqur që do ta bëjë këtë me Interin. Sulmuesi kamerunas, i sapo zbarkuar në Itali nga Barcelona pas një megashkëmbimi me Zlatan Ibrahimoviç, gjatë një interviste për një televizion francez, iu rikthye këtij operacioni spektakolar të merkatos. Dhe gjithçka për të treguar se sa i lumtur ndihet që është veshur zikaltër dhe që gjeti Hoze Murinjon, por edhe për të hequr rrotën nga bishti për sa i përket ish-trajnerit të tij, Pep Guardjola. "Unë prisja që ai të më shpjegonte arsyet e nisjes sime, lëshoi një shigjetë autori i 30 golave të sezonit të fundit, përfshi këtu edhe golin e fillimit të finales së Champions League të fituar 2-0 kundër Mançester Junajtid. Por ai s‘më tha asnjë fjalë. Nuk më dha asnjë përgjigje, madje as që pres ndonjë në të ardhmen. Për mua tashmë është çështje e mbyllur". Autor i më shumë se 100 golave në pesë sezone tek ekipi i Barcelonës, Eto gjithnjë e më pak arrin ta shpjegojë lëshimin e tij: "Nuk do ta kritikoja kurrë një trajner nëse do të bëhej fjalë për ndonjë lojtar më të mirë se unë. Por vetë fusha e lojës flet dhe deri sa të vërtetohet e kundërta, isha unë ai që meritonte të luante çdo të diel". Gjithsesi, tani është aventura e re me Interin. Eto‘o është i lumtur që vlerësohet nga Murinjo: "Edhe pse kemi folur vetëm në telefon, ka vite që më kërkon dhe e pata të lehtë të vendosja".


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›