E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pësimet të na bëhen mësim

17-12-2012 / Nga Hasan Kostreci

Revolta e studentëve të dhjetorit në vitin nëntëdhjetë, qe lëvizja e parë, e cila i tronditi themelet regjimit komunist dhe bashkimi më mbas me ta edhe i gjithë popullit, tregoi se urrejtja ndaj asaj diktature të gjatë dhe të vështirë, pati arritur kulmin. Ekonomia si në qytet ashtu dhe në fshat qe shkatërruar dhe katandisur në një gjendje katostrofale e të mjerueshme, sa s’kishte ndodhur ndonjëherë kurrë në historinë tonë, Radhët për të blerë produktet më kryesore dhe të domosdoshme, qenë të pa fund dhe masa e popullit, këtë situatë aq kritike, po e ndjente thellë. Por a ishte e njëjtë gjendja edhe për pushtetarët e asaj kohe? Po u tregoj për këtë vetëm një episod; Në nëntëdhjetenjëshin, si qindra dhe mijëra të tjerë, që morën arratinë nga vend ynë dhe iu drejtuan botës së lirë, u ndodha në New York dhe fillimisht, për të mbajtur familjen, provuam çdo punë që na dilte përpara, por diçka që më ndodhi një ditë, më befasoi. “Kemi një patriotin tuaj, shqipe, që është partner me ne prej shumë vitesh”, m’u shpreh bosi kosovar i një kompanie, ku aktualisht po punoja “Muhamet Kapllani e quajnë, nuk e di a e ke njohur?

“Sigurisht që e njoh”, iu përgjigja dhe s’i dhashë më shpjegime, por në vetvete më çuditi edhe njëherë demagogjia e atyre pushtetarëve mafiozë që kemi patur në pushtet, ku këtej shpreheshin se edhe bar do hamë, por imperializmit kurrë nuk do t’i përunjemi dhe në krahun tjetër, kishin filluar prej kohësh që të bënin biznes me ta. Por ky sigurisht nuk ka qenë rast i vetëm, sepse pothuajse të gjithë, në një mënyrë apo në një tjetër, patën menduar për veten e tyre, veçse popullin e prunë në atë gjendje dhe në një udhëkryq tepër të madh. Prandaj dhe momenti i mezi pritur për ta përmbysur atë diktaturë, nuk qe vetëm për shtresën e persekutuar, e cila siç dihet, e kishte pësuar më shumë se kushdo tjetër nga ai sistem, por për të gjithë popullin mbarë shqiptar dhe turma që u bashkua për këtë qëllim, ishin nga të gjitha shtresat. Në atë revoltë përkrah studentit, ishte pedagogu; Përkrah punëtorit të thjeshtë të fabrikës apo të uzinës, ndodhej edhe artisti; Përkrah komunistit me triskën e partisë ende në xhep, ishte edhe ai që sapo kishte ardhur nga internimi dhe ky unitet nuk ishte parë tek ne për shumë dekada me radhë, por fatkeqësisht, ai ishte i fundit, sepse në vitet që pasuan, nuk u pa më. Ngjarjet që ndodhën më vonë morën zhvillim tjetër dhe grupimet që u formuan, e dobësuan atë forcë, prej të cilës dikush u tremb dhe u alarmua.

Historia, po të vëmë re, gjithmonë është përsëritur dhe kjo duhet të na kujtojë vitet dyzet e tre, kur lëvizja e popullit tonë me të njëjtin ideal, ‘Luftë e përbashkët kundër pushtuesve”, u manipulua dhe kthye me mbas në një luftë civile dhe vëllavrasëse, që neve na kushtoi mjaft. Na kujton “Konferencën e Mukjes”dhe vendimet e saj  fillimisht tepër patriotike, por që shpejt u prishën dhe u anuluan, sepse aty midis tyre, përveç ndershmërisë,  e fshehur ndodhej edhe tradhtia, e cila për fat të keq fitoi dhe kjo na kushtoi përsëri copëtimin e trojeve tona dhe ndarjen nga vëllezërit tanë kosovarë. Ky “dikushi” dhe kjo forcë e errët, gjatë periudhës komuniste, sigurisht që pati prioritet, prandaj u shtua e mori përmasa edhe më të mëdha. Në këto njëzet e ca vjet demokraci, “ajo” në mos zhdukur, të paktën duhej të zbehej, por në realitet nuk ndodh kështu. Edhe pse në moshë e vjetër, gati shtatëdhjetëvjeçare (duke filluar që nga dyzetenjëshi, kur lindi, e këtej), duhej të ishte mënjanuar e të dilte në pension, përkundrazi, ajo ndjehet ende e fortë, bile bën edhe aktivitet. 

Teza e hedhur me rastin e “100 vjetorit të Pavarësisë”, për bashkimin e trojeve tona shqiptare, hapi një polemikë aq të hidhur, sa të le të kuptosh, se ky proces nga kjo forcë vazhdon ende të mos pëlqehet, bile mund të thuash se as nuk duan që të niset fare një gjë e tillë. Fakti gjithashtu që me rastin e “100 Vjetorit të Pavarësisë”, u vendos që të sillen eshtrat e Mbretit Zog dhe të përmendeshin, me këtë rast edhe disa nga figurat historike që kanë bërë emër në këto njëqind vjet, krijoi, siç e pamë, mjaft debate, sa edhe kur i prezantuam, titullin e tyre fisnik, “Bej”, në disa raste, ua mohuam. Kjo tregon se gjithmonë kjo “forcë” do që të gjitha lëvizjet patriotike që janë bërë gjatë shekulli të kaluar tek ne, të quhen lëvizje popullore dhe heronjtë, sipas tyre, të jenë të llojit Haxhi Qamilë. Por fakteve, që flasin ndryshe, nuk kemi si ua bëjmë. Enveri këtë gjë dinte, prandaj bëri sa mundi që t’i falsifikojë, por nuk mundi. Një tjetër gjë që vihet gjithashtu re dhe nuk duket si rastësi, është përsëri rreth këtyre personave, që me të drejtë më 28 Nëntor, iu bë nderimi i merituar, si përshembull mjaft nga familjet, bije fjala, Toptani, Libohova, Vrioni, Biçaku, Frashëri e të tjera që tani pothuajse nga të gjithë u bënë të njohur, por s’kemi dëgjuar gjatë këtyre viteve, ndonjë pinjoll të tyre, i cili mban edhe të njëjtin mbiemër, të emërohet në ndonjë pozicion të rëndësishëm dhe për mendimin tim, do ishte e mirë, sepse kështu do eliminohej edhe ndonjë koment, që shpesh qarkullon, se gjithçka që bëhet, është më tepër formale. Peripecitë që kanë kaluar familjet e tyre në komunizëm, dihet, por fëmijët, për fat sot janë të shkolluar dhe duke supozuar se nga gjyshërit e tyre diçka do kenë të trashëguar, si patriotizmin, ndershmërinë dhe përkushtimin ndaj atdheut, do ishte mirë, për mendimin tim, që të shfrytëzoheshin. Gjatë kësaj periudhe dhe sidomos mbas liberalizimit të vizave, populli ynë ka hyrë dhe ka dalë jashtë shtetit disa herë dhe kjo sadopak ka influencuar në emancipimin e tyre; Studentët gjithashtu që kanë mbaruar shkollat brenda apo jashtë vendit, nuk janë më vetëm bij punëtorësh dhe fshatarësh, siç i kërkonte dikur Enveri, por nga të gjitha shtresat e shoqërisë, prandaj edhe inteligjenca e tyre, duhet që të jetë sigurisht edhe më e madhe dhe të gjitha këto faktorë, e të tjera që përmendëm, duhet të na bëjnë që të jemi edhe më të vetëdijshëm në arsyetim dhe në veprimet tona, sepse gabimet, që për fat të keq, herë pas here, siç e thamë, kemi bërë, na kanë kushtuar, prandaj të na bëhen mësim. Futja në “NATO”, ishte jetike dhe garanci, por për të tjerat, na takon neve që t’i realizojmë. 

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›