E Shtunë, 31 Tetor 2026

Thaçi: Kosova e përkushtuar në rrugën drejt BE-së

Qeveria e Republikës së Kosovës mbetet e përkushtuar që të plotësojë të gjitha kriteret për anëtarësim në BE. Kështu është shprehur kryeminsitri i Kosovës, Hashim Thaçi pas një takimi me drejtorin për Ballkanin Perëndimor në Drejtorinë e Zgjerimit në Komisionin Evropian, Pier Mirel.

Sipas tij, gjithë kjo në rend të parë është në dobi të të gjithë qytetarëve, të cilët e meritojnë një standard më të mirë të jetesës.

“Vetë procesi i Integrimit Evropian është shumë i rëndësishëm për ne, ngase gjatë këtij procesi Republika e Kosovës përqafon parimet demokratike, rrit standardin dhe përmirëson jetën e qytetarëve të saj. Do të angazhoj gjithë kabinetin tim qeveritar dhe institucionet tjera për plotësimin e kritereve për anëtarësim në BE”, tha Thaçi.

Ai theksoi se BE ka përcaktuar në mënyrë të qartë perspektivën evropiane për Ballkanin Perëndimor, duke përfshirë Republikën e Kosovës qysh në Samitin e Selanikut të vitit 2003. (INA)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›