E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pronat, kërkohet burg për 6 të pandehur

Tiranë- Dënim me burg është kërkuar sot për 6 të pandehur, të vënë në akuzë për korrupsionin me pronat. Në seancën e sotme të në Gjykatën e Shkallës së Parë, prokuroria paraqiti konkluzionet e hetimit për 6 të pandehurit e operacionit "Furtuna", 3 prej të cilëve ish-punonjës në Hipotekë.

Prokuroria kërkoi shpalljen fajtor dhe dënimin me 10 vjet burg për të pandehurin Veiz Senko, 2 vjet për Halil Himën, 2 vjet burg për Dali Hakoren, 3.5 vjet për Artan Mehmetin, 2.5 vjet për Enton Babameton dhe 3 vjet për Agron Tafën, këta tre të fundit ish-punonjës të Hipotekës.

Krahas kësaj, Prokuroria kërkoi dënimin e të pandehurve edhe me gjoba që shkonin në disa milionë lekë.

Gjashtë personat u arrestuan vitin e kaluar gjatë operacionit "Furtuna", organizuar nga policia në bashkëpunim me Prokurorinë e Tiranës, pasi akuzohen se në bashkëpunim me njëri- tjetrin kanë tjetërsuar disa tituj pronësie me qëllime përfitimi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›