Petersen: Beogradi mund të pengojë strategjinë e Veriut
PRISHTINE- Ish-shefi i UNMIK-ut, Soren Jessen- Petersen deklaron se strategjia e Zyrës Civile Ndërkombëtare dhe e autoriteteve të Kosovës për integrimin e veriut të saj, rrezikon të sfidohet nga struktura paralele në këtë pjesë. Ai tha se edhe disa nga udhëheqësit e lartë në Beograd mund ta pengojnë zbatimin e strategjisë në veri. Sipas zotit Jessen-Petersen, BE-ja është e njohur me strategjinë për veriun e Kosovës, por dallimet brenda saj janë shumë të mëdha. Strategjia e autoriteteve të Kosovës dhe atyre ndërkombëtare për veriun, që u bë publike një javë më parë, parasheh shtrirjen e sundimit të ligjit në këtë pjesë të Kosovës dhe shuarjen e strukturave paralele atje. Zoti Soren Jessen-Petersen e cilësoi strategjinë si të mirë dhe të paraqitur me kohë. Ndërsa Beogradi e kundërshton fuqimisht atë. Në Prishtinë opozita insiston që strategjia për integrimin e veriut të shtrohet për debat dhe miratim në Kuvendin e Kosovës.Dokumenti është miratuar nga Zyra Civile Ndërkombëtare dhe Qeveria, por partitë opozitare thonë se ky dokument ka nevojë për plotësime shtesë dhe aprovim të Kuvendit.Zvkryeministri Hajredin Kuci bëri thirrje dje që debatet mbi strategjinë për integrimin e veriut të jenë të kujdesshme për të mos nxitur reagimin e komunitetit serb. “Strategjia është në kuadër të Kushtetutës së Kosovës, të ligjeve të parapara dhe dokumentit të presidentit Ahtisari. Ne duhet të jemi të kujdesshëm që përmes debateve për strategjinë, të mos e rrisim shkallën e reagimit të minoritetit serb, e po ashtu të mos e zbehim edhe mbështetjen ndërkombëtare. Por, debati normal për ta funksionalizuar atë, do të jetë i mirëseardhur. Nëse Kuvendi e sheh të arsyeshme, ne jemi të gatshëm”, deklaroi Kuçi.Strategjia për veriun është e ndarë në katër shtylla kryesore, siç janë: kontrolli i plotë i doganave dhe funksionimi i gjykatave, organizimi dhe mbajtja e zgjedhjeve në Zubin-Potok, Leposaviq dhe Zveçan, pastaj themelimi i komunës së Mitrovicës së Veriut dhe në shtyllën e katërt bën pjesë zhvillimi ekonomik.