Sejdiu: Mbështetja e Francës, e rëndësishme
Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu priti të enjten në një takim ambasadorin e ri të Francës në Prishtinë, Zhan-Fransoa Fitu, i cili i dorëzoi Letrat Kredenciale. Sejdiu e vlerësoi lart kontributin e dhënë nga ana e popullit francez dhe qeverisë franceze, edhe në procesin para pavarësisë së Kosovës, por edhe pas saj. Gjithashtu Sejdiu kritikoi Beogradin zyrtar për presionin që po ushtron ndaj qytetarëve serbë të Kosovës, duke penguar integrimin e tyre në institucionet e Kosovës. Ndërkohë, nga ana e tij ambasadori Fitu theksoi se do të angazhohet edhe më tej për vazhdimin e bashkëpunimit të mirë me të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës. Ai shprehu zotimet e Qeverisë së Francës për të vazhduar mbështetjen e Kosovës në proceset e mëdha që ka para vetes, si procesin e integrimit në Bashkimin Evropian dhe në NATO.
Gjithashtu, ambasadori i ri francez në Prishtinë, Zhan Fransua Fitu është pritur edhe nga minister i Punëve të Jashtme, Skënder Hyseni.
Ministri Hyseni, pas marrjes së një kopje të kredencialeve nga ambasadori i ri francez, falenderoi Francën për përkrahjen dhe ndihmën që i ka dhënë popullit të Kosovës dhe Kosovës në të gjitha fazat e shtet ndërtimit.