Blushi-Malaj e shpallin Edvinin si kukullën humoristike të PS
Zyrtarizimi i lëvizjes për çlirimin e PS-së nga Edi Rama është shoqëruar dje me publikimin e dhjetëra historive brendasocialiste, të cilat zbulojnë karakterin qesharak të kryetarit në pauzë të së majtës. “Jo Bojkotit” është alternativa që shpallin eksponentët socialistë, përballë udhëtimit vetmitar të Edvinit dhe byrekut të tij Maqo
TIRANE – Takimi i parë i përfaqësuesve të “Lëvizjes për mendim ndryshe në PS”, kalon përmes tezave të humorit dhe gallatës së pa matë, pas konvertimit të Ramës, si figurë komike, lidhur me zhvillimet e fundit në PS dhe për dështimet e tij personale. Komizmi i kryesocialistit në detyrë duket se ka arritur pikun, teksa tashmë është kthyer në një figurë e pabesueshme dhe totalisht qesharake, që fare mirë mund t’i shkojë për shtat ndonjë rol në serialet “funny, funny, only funny”, pra thjesht për të qeshur.
Takimi i paralajmëruar brenda Partisë Socialiste, është zhvilluar dje nën një frymë humori, e ky protagonist i saj ka qenë si gjithmonë lideri në pauzë, Edi Rama.
Në çdo fjalim të mbajtur kryefjalë do të ishin dështimet e radhës së Ramës në krye të kësaj force, tashmë në opozitë. Për t’u theksuar ishte fakti se çdo batutë e ripërsëritur shoqërohej me ovacione dhe duartrokitje nga të pranishmit e shumtë në këtë takim.
Bojkot apo jo?!
Kjo është edhe dilema e socialistëve të cilët në takim kishin një pjesë të konsideruar, jo vetëm me xhaketat e vjetra si Rexhep Meidani, apo Kastriot Islami, por edhe me më të rinjtë socialistë.
Arben Malaj, pasi ka renditur dështimet e Ramës, e ku padyshim slogani i tij utopik në fushatë “përtej së majtës dhe së djathtës”, është cilësuar si refreni i humbjes për të majtën. “Madje rrezikojmë të mbetemi edhe për 8 vjet në opozitë në se Rama rimerr kreun e Partisë Socialiste me petët e Lakrorit”, tha Malaj.
Por cila është alternativa e këtij fraksioni të celebruar dje në Akademinë e Arteve?! Për t’u theksuar është pjesëmarrja e grup moshave, si edhe jehona mediatike, e cila pritet të gjejë edhe nëpër rrethet e tjera të vendit, socialistët e dëshpëruar nga kapitalisti tenderit Edi Rama.
Sipas Bardhyl Agasit, ky njeri nuk e njeh filozofinë e liderit për këtë forcë nga më të vjetrat në vend, pasi projektet e tij janë vetëm ato, ku në mes të tyre është përqindja e fitimit. “Edi Rama, ky lider delirant po e shndërron Partinë në një opozitë destruktive ku asnjë socialist që na ka votuar në 28 Qershor, e kërkon vetëm në Parlament këtë forcë për të vazhduar reformat dhe vendimarrjet historike. Por ky delirant kërkon të shmangë këtë forcë nga jeta aktive parlamentare ku edhe është vendi i saj i votuar nga sovrani”, tha ai.
Megjithëse faktori ndërkombëtar është shprehur qartë se këto zgjedhje janë ndër më të mirat e mbajtura vitet e fundit, si edhe ku për herë të parë KQZ-ja votoi unanimisht rezultatin e votimeve, e vetmja arsye që mund ta mbajë Ramën në politikë është bojkoti. Dhe ne prandaj jemi mbledhur këtu sot, u shprehën të pranishmit në fjalën e tyre. Edi Rama po monopolizon edhe Partinë Socialiste, sikurse edhe bashkinë, por aty ai edhe dy vjet do të jetë, e më pas vetë punësimi në krye të selisë rozë do të jetë një ogur i zi për të majtën e cila faktikisht ndodhet në dilemën e reformimit apo të një ndarje të re!
Zërat brenda saj në këtë grupim janë për një hyrje të shpejtë në parlament nëse ndërkombëtarët e veçanërisht Olli Rehn do të jetë prezent në seancat e ardhshme të punimeve që tashmë pritet të fillojnë normalist punimet për këtë 4-vjeçar.
Gjithashtu është kritikuar edhe qëndrimi destruktiv i Servet Pëllumbi, sipas Malajt ky është një paradoks për pozitën e tij dhe të Ramës si humbës i zgjedhjeve, e ku si alibi të tij për të mos dhënë dorëheqjen.
Deputeti i PS-së Arben Malaj është shprehur më tej se sfida për të ndaluar radikalizmin e PS-së është sfida që mund të përballohet dhe se për këtë sfidë ia vlen të sakrifikohesh. “PS-ja ka filluar të cenojë rëndë disa nga parimet jetike siç është demokracia e brendshme, mbledhjet janë bërë të tensionuar dhe mungon transparenca me publikun dhe mediat”, theksoi Malaj duke shtuar se PS-ja rrezikon të qëndrojë në opozitë për 8 vjet rresht sepse nuk ka lidership dhe se ky model drejtimi vështirëson fitoret politike të PS-së. Ai shtoi gjithashtu se bojkoti është një vendim i gabuar dhe duhet të gjendet kurajë për ta ndërprerë sa më parë këtë gabim. Në një parti me tendenca radikalizuese mbetet e vështirë për t’u bërë parti fituese shtoi Malaj duke theksuar se çdo përpjeke për të ndalur mendimin ndryshe vetëm e zgjat krizën në Partinë Socialiste.
Ben Blushi: “Shqipëria rrezikon të mbetet pa opozitë, urgjent reformimi i PS-së, pa Edi Ramën”
TIRANE – “Ne jemi këtu sot se mendojmë që punët në PS-së nuk po ecin mirë, sepse Shqipëria rrezikon të mbetet pa opozitë, se në forumet na është mbyllur dera, jemi këtu sonte në emër të vërtetës”.
Kështu është shprehur dje deputeti i PS-së Ben Blushi në takimin parë të “Lëvizjes për mendim ndryshe”.
Sipas tij PS nuk erdhi në pushtet jo vetëm për saktësisë së zgjedhjeve por për shkak se e majta nuk i dha shqiptarëve arsyet për t’i besuar prandaj dhe shqiptarët i thanë të majtës se nuk është gati t’i qeverisë. “E majta duhet të ndryshojë dhe të shohë me realizëm atë që ndodhi në 28 qershor, PS-ja po zgjedh një kryetar por nuk po ndryshon, ajo po i ikën betejës dhe i largohet çdo minute kësaj beteje”, theksoi Blushi.
Gjithashtu Blushi vuri në dukje se disa ditë më vonë qeveria do të hyjë në Kuvend dhe atje nuk do të ketë opozitë që t’i thotë që kjo qeveri nuk do të ndryshojë vendin. “Opozita nuk është në parlament, por në salla për të kuptuar ku ndryshon Rama nga Rama, do fitojë ai që u thotë shokëve që të mos shkojnë në Kuvend, ai që reflekton humbjen shtoi Blushi duke theksuar se PS-ja është më e dobët se asnjëherë tjetër dhe se Rama nuk ka mundur Berishën, por ka mundur Partinë Socialiste. “Ne do t’u themi të gjithëve se PS-ja do t’i thotë jo bojkotit, por do të përfaqësojë të gjithë ata që kanë nevojë për një Shqipëri të drejtë”, theksoi Blushi duke shtuar se PS-ja duhet të reformohet duke i dhënë Shqipërisë opozitën që kërkon.