E Diel, 1 Nëntor 2026

Speciale/Politologu Francis Fukuyama dhe ekonomisti David Landes në një dialog të pazakontë për përplasjen e qytetërimeve dhe ngrohjen globale

Francis Fukuyama-Për shumë vjet, pak studiues i kanë kushtuar kaq kujdes sa ju, se, përse disa shoqëri bëhen të pasura e disa jo. Fillojmë nga raporti mes kulturës dhe zhvillimit ekonomik... Dhjetë vjet më parë, ne morëm pjesë në konferencën e organizuar nga Lawrence Harrison dhe Samuel Huntington, nga i cili ka dalë libri “Culture Matters” (2001). Ju keni kontribuar në kapitullin e titulluar: “Kultura bën pothuajse të gjithë diferencën”, por jo të gjithë kanë pranuar premtimin që titulli i gjetur nga ju përfaqësonte...
David Lantes-Kur një shoqëri, ose palët që kontrollojnë një shoqëri kanë në dispozicion burime që krijojnë mirëqenie, vendi që i strehon është i pasur. Por kur burimet dhe investimet e bëra në funksion të së parës, konsumohen, shpesh ai vend pëson një regres. Kultura nuk është e vetmja gjë që ka rëndësi, por është e mundur që të bëjë diferencen në një afat të gjatë. Kjo sepse kultura formon karakterin, përcakton mënyrën me të cilën anëtarët e shoqërisë krijojnë dhe mbajnë vendin e tyre brenda shoqërisë, si dhe mënyrën si i krijojnë marrëdhëniet me jashtë. Në fakt, shoqëritë që kanë arritur rezultatet më të mira si rrjedhojë e pikave të forta kulturore, kanë qenë shpesh edhe në gjendje të tërheqin emigrantë me talent dhe të motivuar. Kanë qënë në gjendje që, të përgadisin të rinjtë nga brezi në brez e kështu, së fundi, shoqëria është zhvilluar ekonomikisht dhe
shoqërisht. Kultura ka një rëndësi shumë të madhe: mendoj që së fundi bën pothuaj të gjithë diferencën.

Francis Fukuyama-Nuk është ndoshta e mundur që gjeografia fizike të ketë megjithatë rëndësi në kuptimin e vendeve në të cilin mund të stabilizohen institucionet? Një ndër artikujt më të cituar të shekullit të fundit është ai i shkruajtur nga James A.Robinson, Daron Acemoglu e Simon Johnson mbi origjinën koloniale të institucioneve. Autorët, mbështesin se, kudo ku evropianët janë stabilizuar, kanë krijuar institucionet, dhe kudo në çdo vend ku pesha e sëmundjeve ka shmangur vendosjen e evropianëve, ata kanë shfrytëzuar burimet e rajoneve, por nuk kanë lënë prapa asnjë trashëgimi institucionale. Përveç eksperiencës koloniale, nuk mund të jetë e vërtetë në kuptimin e përgjithshëm që vendi në të cilin zhvillohet një kulturë e prirur për rritje varet për disa arsye nga gjeografia fizike?
David Landes-Padyshim që, gjeografia fizike krijon një diferencë shumë të madhe, por rikthehem dhe them se vështirë të bëhet fjalë për një ndryshim të gjatë në kohë. Njëherë kam marrë në konsideratë ndryshimet e prodhimit brenda Perëndimit: përse disa vende perëndimore kanë arritur të bëjnë më mirë se të tjerët? Është e qartë se në një moment historik vendet e zonës mesdhetare dhe të jugut të Evropës mes tyre Italia, veçanërisht Venecia, Katalonja, Spanja dhe Portugalia, kanë pasur rezultatet më të mira. Megjithatë, në një kohë të gjatë, suksesi dhe mirëqenia janë spostuar në veri, në fillim në Provincat e Bashkuara, pastaj në Britaninë e Madhe e së fundmi në Skandinavi. Ky studim më ka bindur për faktin se, në një kohë të gjatë, kultura ka rol më shumë se faktorët e tjerë.
Në vazhdim kam kuptuar se e njëjta gjë vlen edhe për pjesët e tjera të botës. Zonat që sot janë më mirë, janë në Perëndim, ose në vendet me kulturë që stimulojnë rendimente të bazuara në parametrat e veçanta, siç është Japonia. Natyrisht kultura nuk është statike. Ndoshta gjëja më e rëndësishme është se e njëjta kulturë e bazës nuk është kurrë kaq e thjeshtë për t’i dhënë origjinë vetëm një tipi strukture politike. Kina ka humbur terren për 300-400 vjet sepse, arroganca dhe sensi i superioritetit brenda strukturës së perandorisë i kanë çuar liderët e saj të mendojnë se nuk kanë nevojë për asnjë tjetër. Mbetja mbrapa nga vendet e tjera, ka ndezur respektimin e Kinës për njohjen, nga çdo anë që mund të vijë. Kultura mund të ndihmojë për të shpjeguar aspektet e shumë problemeve të Lindjes së Mesme. Perandoria muslimane në një moment të historisë u ka dhënë jetë disa prej
qyetetërimeve më të rëndësishme të botës. Sot, megjithatë, shprehja mbrojtëse e arrogancës kulturore është shndërruar në një pengesë për të marrë njohuri, dhe natyra aktuale e fesë islamike në pjesën më të madhe të vendeve myslimane, zvogëlon shumë kontributin e mundshëm të gjysmës së popullsisë, të gruas. Ky paragjykim pengon përveç të tjerash kontributin e burrave, sepse i shpie të besojnë se maskilizmi i tyre është, në vetvete shprehje e superioritetit. Agresiviteti, kapaciteti për përleshje për të mbajtur dinjitetin përsonal me çdo kusht, zvogëlon pretendimet që kultura ka kundrejt edukimit të meshkujve dhe për rendimentin në përgjithsi. Dhe efektet janë edhe më të gjera. Nëse një sipërmarrës do të donte të investonte me një projekt afatgjatë, diçka që shkon përtej nxerrjes së burimeve të lëndëve të para, ndoshta nuk do të investonte në Lindjen e Mesme, por do ta destinonte në Kinë apo në Japoni. Të investosh në këto vende, do të ishte me fitim, sepse, shoqëritë e tyre dinë si të mësojnë nga eksperienca e tyre dhe nga ajo e të tjerëve.

Francis Fukuyama - Pothuaj 100 vjet më parë, njerëzit kishin një opinion komplet të kundërt për Azinë. Kina ishte vendi më i varfër në botë, përherë në prag të një krize maltuziane. Maks Weber mendonte se nepotizmi i korruptuar ka penguar zhvillimin institucional ekonomik modern të kinezëve...
David Landes-Kultura kineze ka qenë kundërshtare e kapitalizmit modern për një kohë të gjatë, por siç e kam thënë, kultura nuk është statike. Kinezët, në të kaluarën kanë arritur rezultate shumë të larta. Me kalimin e kohës gjërat ndryshojnë. Për kinezët, Japonia e shekullit të XIX e sidomos pas Luftës së Dytë botërore, ka qenë një lloj leksioni. Kanë mësuar edhe nga sipërmarrësit e larguar nga vendi, siç janë ata të Singaporit. Kanë kuptuar se duhej të bënin një sforcim të veçantë për të fituar kohën e humbur, e kanë ditur ta bëjnë mirë. Edhe njëherë tjetër kontrasti me botën myslimane është mësimdhënës. Kur vëzhgoj Islamin, shoh njerëz që, në vija të përgjithshme, kanë zgjedhur të interpretojnë ndryshimet në mënyrë komplet të kundërt. Kanë arritur nivele shumë të larta gjatë kohës së Muhametit, dhe i kanë mbajtur për një kohë të gjatë, por më pas kanë humbur terren, jo se kanë neglizhuar fenë, por sepse kanë braktisur virtytin e kulturës së tolerancës dhe të respektit për njohjen që i kishte vënë në një pozicion parësor.

Francis Fukuyama-Të flasim për SHBA-në. Librat tuaj përmbajnë disa portrete të shquar individësh, që ju i identifikoni si personalizime të etikës protestuese të punës, siç është Andrew Carnegie e John D. Rockfeller. Por historia e famshme e Rockfeller, që kishte vetëm një kostum që përdorte derisa nuk ishte i konsumuar e derisa e shoqja nuk i thoshte për të blerë një tjetër, nuk është tipi i anekdotës që mund të përdoret për menaxherët e sotëm...
David Landes-Më duket se diferenca e vërtetë mes asaj kohe dhe kësaj të sotmes, ka të bëjë me kuptimin e përgjegjësisë shoqërore. Shumë nga menaxherët e sotëm e kalojnë shumicën e kohës duke menduar si të shpenzojnë lekët e tyre për vetveten. Rockfellerët dhe Carnegiet-ë, përkundrazi e kalonin shumicën e kohës duke krijuar dhe drejtuar fondacione bamirësie për ta vënë në shërbim të të tjerëve pasurinë e tyre. Natyrisht, jo të gjithë e bënin në atë kohë, ashtu si shumë persona me mirëqenie edhe sot bëjnë vepra bamirësie. Nuk do të doja ta ekzagjeroja me dallimet mes kohërave. Në librin tim “Dynasties” (2006) nxjerr në dukje, se disa familje të mëdha kanë mësuar si t’u japin femijëve dhe nipërve të tyre disa vlera dhe disa sjellje pozitive. Sepse pa këto vlera, armiku më i madh i pasurisë, është pasuria e tepërt.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›