E Diel, 1 Nëntor 2026

Mazhoranca: Bojkoti i opozitës, i detyruar nga menopauza politike e kryetarit të saj

Kreu i grupit parlamentar demokrat, Astrit Patozi, i ka cilësuar dje kushtet e Edi Ramës për kthimin e socialistëve në parlament si qesharake, pretekste për të justifikuar humbjen dhe alibi deri në uzurpimin e poltronës së kryetarit në farsën e 26 shtatorit
   
TIRANE – Kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Astrit Patozi, i cilësoi absurde dje kushtet e vendosura nga Partia Socialiste për pjesëmarrjen e grupit të deputetëve të saj në parlament. Gjatë një prononcimi për “55”-n, kryetari i grupit demokrat theksoi se socialistët do të kthehen në Kuvend pas zgjidhjes së problemeve brenda selisë ylberiste, ndërsa për rinumërimin e kutive të votimit nuk vendos parlamenti. “E kam theksuar dhe po e theksoj se opozita nuk vjen në parlament për shkaqet e mazhorancës, opozita vjen në parlament dhe bën detyrën e saj në raport me zgjedhësit e vet. Unë besoj se nuk ka një debat mes mazhorancës dhe opozitës për zgjedhjet sepse ky është një debat i cili është mbyllur njëherë e përgjithmonë më 28 qershor, debat të cilin ne e kemi fituar dhe ata e kanë humbur. Është fare e qartë se ka një debat të brendshëm të Partisë Socialiste për mënyrën se si kjo parti humbi dhe për mënyrën se si kjo parti nuk arriti rezultatin që priste në zgjedhjet e 28 qershorit. Sigurisht që ky është një debat që ne as na takon dhe as kemi dëshirë që të marrim pjesë, por është një debat që gjithsesi nuk mund ta sodisim pa interes, sepse është forca kryesore e opozitës dhe në këtë rast ne shikojmë me keqardhje që interesat personale të kryetarit të Partisë Socialiste kanë bërë që PS të marrë një vendim absurd që është bojkoti i parlamentit”, u shpreh Patozi.
Sipas tij, ekziston një rregull i pashkruar në sport i cili ka vlerë edhe për politikën sipas të cilit ekipi që fiton ndeshjen rikonfirmohet në ndeshjen e radhës.
“Për fat të keq Edi Rama ka bindur veten, por po kërkon të bindë edhe të tjerët që t’i vendosë në rregull të kundërt, i cili sigurisht që është qesharak sepse i bie që ekipi që humbet ndeshjen të konfirmohet edhe për ndeshjen e radhës. Duke qenë qesharake kjo ndërmarrje, sigurisht që i bën qesharake të gjitha aksionet politike në funksion të këtij qëllimi”, theksoi kreu i grupit parlamentar në PD, Astrit Patozi.
Ai sqaroi se të ashtuquajturat kushte, nuk janë kushte për mazhorancën thjesht dhe vetëm që të rimandatohet kryetari i Partisë Socialiste.
“Kur thashë që kushtet janë absurde kam parasysh të gjitha ato në tërësinë e tyre. Pra, ato nuk janë kushte, ato janë pretekste për të justifikuar bojkotin, për të justifikuar humbjen, janë alibi për humbjen. Për fat të keq unë vë re që Partia Socialiste është katandisur në një pikë të tillë që lexon diçka sot në gazetë apo dëgjon ndonjë individ që ka dalë prej kohësh nga politika për shkaqet e tij dhe të nesërmen del dhe i deklaron si teza të vetat. Këtu kam parasysh faktin se na kërkohet që të hapim kutitë, është njëri nga kushtet. Por unë mund të them që Sali Berisha, Partia Demokratike dhe askush tjetër as i hap dhe as i mbyll kutitë. Kutitë i hapin, i numërojnë dhe i mbyllin institucionet dhe institucionet kanë folur. Përsa kohë institucionet kanë folur ne të tjerët duhet të heshtim”, nënvizoi Patozi.
Kreu i grupit parlamentar në Partinë Demokratike, Astrit Patozi, shtoi më tej se “mbyllja e debatit të brendshëm të Partisë Socialiste pa asnjë interes për ne se në favor të kujt do të shkojë, besoj se do ta bëjë opozitën, Partinë Socialiste më racionale, të rikthehet në parlament, për të bërë detyrën e saj dhe sigurisht për t’i dhënë dhe hijeshi debatit politik”.
65 deputetët e grupit parlamentar të Partisë Socialiste të opozitës kanë bojkotuar dy seancat e para të Kuvendit të ri të Shqipërisë më (7 dhe 8 shtator), pas vendimit politik të kësaj partie, për ta kushtëzuar pjesëmarrjen e saj në parlament me një sërë kushtesh, më kryesorja e të cilave është kërkesa për një hetim dhe transparencë ndaj procesit zgjedhor të 28 qershorit.
Ndërkaq, dy ditë më parë Komisioni Evropian në Tiranë, përmes Ambasadorit Helmuth Lohan, i bëri thirrje opozitës që debatin e saj politik ta zhvillojë brenda institucioneve dh
e jo jashtë tyre.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›