Kushti i Bojkotit - ǒujë i dhe gomarit?
Rama e kishte paravendosur të sajonte alibinë e vjedhjes së votave, në rast se do të humbte zgjedhjet. Prandaj edhe e personalizoi fushatën. Prandaj nuk mendoi për shpërndarje të përgjegjësísë së humbjes. Por u sul si ujku ndër dhen. Ngulmoi për kartat e identitetit. U mor me listat e votuesve, me qëndrat e votimit, me përzgjedhjen e komisionerëve të vet. Meqë Kodin Zgjedhor e kishte bekuar vetë, shkoi në zgjedhje i sigurtë në fitore. Kur pa që puna i eci fjoll, u mburr për standartin e zgjedhjeve. Kur dardhat nuk u poqën pse donte ai, filloi t’i shihte të gjithë me dyshim. Sa më shumë çertifkoheshin zgjedhjet, aq më të shumtë bëheshin armiqtë brenda PS-së. Kur u konsumuan gjithë ankimimet, institucionet e miratuara me konsensus e nxorrën misionarin Ramë me gisht në gojë. Atëhere ai dërgoi “kaçatorrë” nëpër rrethe e komuna të mblidhte shkelje e manipulime imagjinare. Dhe, kur humbjes i dolën brirët, Rama nuk dha dorëheqje. Tronditja e tij qe dërrmuese. Mbështetësit nisën ta shihnin si të sëmurë. Sekserët u tmerruan. Miliarderët varën turinjtë. Ramës filluan t’i vinin zëra nga lart. Ambicia e fyer nisi t’i ulërinte brenda vetes. Euforia e fitores po i krijonte “ylbere” në qiell të hapur. Vetëshpallja si misionar po ia tjetërsonte realitetin. Por, befas, e mblodhi veten. Iu kujtua “qoftëlargu”, që e bënte kaun me viç dhe lopën me kopil. Ndaj zgjidhja iu duk e thjeshtë. Meqë dorëheqja duhej dhënë, kur zgjedhjet të quheshin të humbura, atëherë le të shpalleshin ato të vjedhura!? Kështu Statuti nuk rrëzonte dot nga “fiku” hartuesin e tij. Dhe, meqë dyshimi kalon në favor të të pandehurit, sajoi manipulime të kota. Mbodhi Asamblenë që të legalizonte kongresin. Pastaj mbodhi kongresin të legalizonte rikandidimin e vetes. Transparencën e mori lumi. Zërat kundër u tretën si kripa në ujë. Naiviteti i përzier me interesat meskine krijuan në kongres shumicën fiktive. Me votimin e hapur u arrit fitorja e tij e pritshme. Por, të mos dilte diktator banal, filloi me mbledhje kryesie, ku s’u mor vesh kush qe “pro” bojkotit. Ndërsa, të mos dilte anakronik e konfliktual, e deklaroi bojkotin me kushte. Të qe frika nga elektorati, a rreziku i “rebelimit” të deputetëve delfinë që e trembi, këtë e di vetëm liberali Rama. Ndërkohë që fitimtari i zgjedhjeve e ftonte për bashkëpunim, Rama kërkonte në koshat e plehrave “fakte” të stisura për daljen e tij në krye të partisë. Dhe e katandisi në qesharake PS-në. Me “kushtet” e bojkotit po kërkon gjilpërën në kashtë. I vë kusht qeverisë të marrë atributet e gjykatës. Kërcënon parlamentin të dënojë KQZ-në. I kërkon shtetit të burgosë edhe komisionerët e tij. Ia bën me sy OSBE-së t’i quajë zgjedhjet “krim politik”. Shkurt, kërkon të ndalet jeta dhe të fillohet numërimi i votave të numëruara. Të gjendet makar një votë e vlefshme, e shpallur si e pavlefshme!? Ndërkohë qeveria të mos formohet, të mos zbatojë ligje, të mos njohë veten e saj. I kërkohet Kuvendit të mos aprovojë strukturat e tij drejtuese, të mos bëjë debate për liberalizimin e vizave, etj. Pra, kërkohet të bllokohet vota e 28 qershorit deri sa të sigurohet vota unanime e 26 shtatorit për të rizgjedhur kryetar të PS-së Ramën. Me një fjalë, për ambicien e Ramës, të flitet si e ëma e Zeqos në majë të thanës. Të mos funksionojë pluralizmi pa u zgjedhur diktatori misionar i partisë. Rama po shëmbëllen kështu me atë pronarin koprac, që, për t’u çliruar nga detyrimi ndaj shërbestarit të vet, që i kërkonte hakën e punës, e akuzonte këtë se ç’ujë i kishte dhënë gomarit, që i pati ngordhur nga pleqëría! Sipas Ramës, të gjithë janë fajtorë për humbjen e tij. Vetëm ai është viktima. A nuk do të ngarkohej me faj e djathta, po të kishte caktuar vetë Kodin Zgjedhor? A të kishte vonuar pajisjen me karta identiteti qytetarët? Të kishte ngulur këmbë për mandatin e Fierit? Etj. Sido që të sillej e djathta, Rama do ta akuzonte si manipulatore. Ai ka probleme serioze me veten, me Statutin, me partinë e vet. Taní të gjithë atij i duken armiq e sabotatorë, që punuan për ta larguar nga politika. Rama tenton të krijojë imazhin e një krize, kur Shqipëria është entuziaste për standardet e arritura në zgjedhje. Ai ka nisur t’u mbushë mendjen socialistëve se dielli nuk lind nga lindja dhe nuk perëndon nga krahu tjetër. Populli thotë: “Në vend të qahen qetë, qahet qerrja!”. Populli pret liberalizimin e vizave, Rama përpiqet të bllokojë parlamentin, ta pengojë në punën e tij për shpejtimin e tyre. Sovrani e dha verdiktin e fitores, Rama kërkon ta ndëshkojë atë me bojkot, me mohim të arritjeve, me mosnjohje të rezultateve pozitive të zgjedhjeve, që po i lavdërojnë edhe personalitete serioze botërore. Rama kërkon ta mbajë peng partinë, parlamentin, qeverinë, institucionet, shtetin. Ai po kërkon të zërë vendin e “qoftëlargut”. Duket sikur Rama po akuzon Shqipërínë si fajtore, pse këtij vetë i ngordhi gomari (i kërkohet largimi nga posti!). Dhe i shtron sovranit pyetjen qesharake, që nuk lë tjetër alternativë veç fajit: “Ç’ujë i dhe gomarit?!”