E Shtunë, 31 Tetor 2026

Petrit Vasili: Rama është inkonseguent në qëndrimet politike – jo koalicionit me PS

11-11-2012 / Gazeta 55

Nënkryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili thotë se aleanca PD-LSI po funksionon dhe ka si synim parimor të saj, marrjen e statusit të kandidatit dhe avancimin e mëtejshëm të integrimit të vendit në BE. Sipas tij, në 2009-n Rama ishte shpërfillës ndaj partive të tjera të koalicionit të majtë, ndërsa sot bën thirrje për krijimin e “frontit”, atëherë kur më shumë se kurrë rëndësi kanë alternativat konkurruese


“Nuk është koha për të krijuar “fronte” politike me koalicionet zgjedhore, por është koha për të parashtruar alternativa për qytetarët”. Kështu u shpreh dje nënkryetari i LSI-së Petrit Vasili, duke iu përgjigjur thirrjeve të Edi Ramës për një koalicion me bazë të gjerë, duke përfshirë edhe LSI-në. Vasili theksoi se, nëse në 2009-ën kreu i PS, Edi Rama, e shihte veten të fortë për t’i fituar zgjedhjet, tashmë ai po përpiqet të mbledhë sa më shumë parti rreth vetes. “Z.Rama në 2009-ën e ka ndjerë veten të fortë dhe të sigurt dhe sigurisht që, ka bërë mospërfillësin dhe arrogantin. Në këtë rast, po e sheh që analiza e numrave nuk i jep të drejtë, po i drejtohet “frontit”. Kjo do të thotë se llogaritë nuk i dalin z.Rama që ta fitojë vetë këtë sfidë dhe ndaj po sheh nga “fronti”. Në vijim ai mund të kërkoj dhe të tjerë. Kjo, në gjuhën politike quhet in-konseguencë në qëndrimet politike. Opozita nuk ka detyrë të ndërtojë fronte. Koha e fronteve është një moment i kapërcyer në politikë. Sot jemi në një moment në politikën moderne të vitit 2012, e cila ka nevojë thjesht e vetëm për garë alternative”- u shpreh Vasili. Përsa i përket koalicionit me PD, Vasili thotë se ai ka funksionuar më së miri dhe do të vijojë deri ditën kur është nënshkruar marrëveshja mes dy forcave politike. Vasili përjashton opsionin e prishjes së kësaj marrëveshje deri në zgjedhjet e ardhshme. “Besoj se koalicioni ka akoma një rrugë për të bërë. Katër vitet e një mandati janë të gjata dhe të shkurtra, por janë shumë të rëndësishme çdo ditë e tij. Ne përballë kemi disa evenimente të rëndësishme dhe një prej tyre është përmbyllja e statusit të vendit kandidat, një proces ende i pa-përmbyllur i cili kërkon të gjithë kohën e ezaurimit të tij në mënyrë që të gjithë të themi se koalicioni i plotësoi objektivat e tij”- theksoi nënkryetari i LSI-së. 


Ndërkohë, dy ditë më parë, gjatë bashkëbisedimit me gazetarët, kryeministri Sali Berisha deklaroi se koalicioni PD-LSI ka funksionuar më së miri duke bërë të mundur realizimin e reformave të kërkuara, ndërsa i cilësoi premtimet e mbajtura si një garanci për fitoren e një mandati të tretë qeverisës.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›