E Diel, 1 Nëntor 2026

Petro Koçi: Nano është kapital politik që i duhet së majtës

Drejtuesi i Lëvizjes për Politikë Institucionale në PS, Petro Koçi, paralajmëron kthimin aktiv të Nanos në PS si një potencial që, sipas Koçit, i nevojitet së majtës dhe fitores së saj në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Deputeti socialist shprehet ashpër kundër kryetarit të PS, Edi Rama, duke kërkuar që e gjithë e majta të mblidhet për të qenë një alternativë, sipas Koçit, përballë “vëllezërve Berisha”. Kreu i Lëvizjes për Politikë Institucionale tha dje se bashkë me deputetë dhe socialistë të tjerë po përgatiten për të nisur riorganizimin e së majtës, gjithnjë duke përjashtuar bashkëpunimin me kryetarin aktual, Edi Rama, për të cilin Koçi shprehet se e ka tradhtuar PS dhe gjithë të majtën më 21 prill, kur firmosi ndryshimet në Kushtetutë. Koçi lë të hapur mundësinë e bashkëpunimit me kryetarin e LSI, Ilir Meta, për të cilin shprehet se është më socialist sesa kryetari i PS, Edi Rama. Sa i përket bashkimit të së majtës për të fituar zgjedhjet, Koçi shprehet se beson në një bashkim të faktorëve politikë të së majtës pas zgjedhjeve, por gjithnjë duke përjashtuar Edi Ramën, madje ai thotë se një bashkim i tillë pas zgjedhjeve do të sjellë një rezultat të tillë, ku në krye të qeverisë nuk do të jetë Edi Rama.

Zoti Koçi, pak ditë më parë në media është komentuar ideja e kthimit të ish-kryetarit të PS, Fatos Nano, në krye të mbështetësve të tij në PS për të

synuar kompromis me Ramën ose në të kundërt bashkim me Ilir Metën. Jeni ju në dijeni të këtij plani dhe a përfshiheni ju atje?

Unë besoj se Nano duhet ta vërë në shërbim të socialistëve kapitalin politik që ai përfaqëson. Tashmë jemi në momentet e fundit, kur është e mundur ende të veprojë një projekt politik që institucionet politike dhe kushtetuese të shpëtojnë nga duart e vëllezërve Berisha. Vëllezërit Berisha privatizuan edhe Kushtetutën më 21 prill dhe që të rikthehet normaliteti demokratik, kërkohet bashkim dhe kurajë për aksion parimor. Kompromiset parimore janë të domosdoshme, por kompromisi me Ramën mund të arrihet, vetëm nëse ai distancohet nga afera e 21 prillit dhe pranon ndërmarrjen e reformave statutore në PS që ia kthejnë pushtetin socialistëve brenda saj. Rama ka zgjedhur Berishën. Ne socialistët s’kemi arsye të gjejmë pengesa për t’u bashkuar me njeri-tjetrin.

Pra, ju do të bashkëpunoni me Nanon, edhe pse pak muaj më parë u duk se u distancuat prej tij?

Uroj që në të ardhmen projektet dhe aksionet politike të mos braktisen më! Nanon e vlerësoj si një kapital politik që i duhet së majtës. Varet nga ai se si do ta shfrytëzojë. Unë bashkëpunoj me këdo që kërkon ardhjen e socialistëve të vërtetë në pushtet dhe nxjerrjen jashtë loje të vëllezërve Berisha.

Nëse ju nuk përfshiheni në lëvizjen e Nanos, cilët do të jenë hapat që do të ndërmerrni në fillim të sesionit kuvendor, sa i përket përpjekjes për një

politikë institucionale në PS?

Në grupin parlamentar të PS ka vetëm pak socialistë. Shumica shitën Kushtetutën për një vend në listat e Ramës. Askush aty nuk po reflekton për tradhtinë e 21 prillit. Bashkëpunimi im politik do drejtohet rreth forcave socialiste që mbrojnë Kushtetutën dhe shtetin nga privatizimi i vëllezërve Berisha.

Duket se Meta do të jetë mundësia juaj e vetme për bashkëpunim..?

Situata e krijuar e bën të domosdoshme kohezionin organizativ të socialisteve të vërtetë. Meta është më socialist se Rama. Shtatori është muaji i fillimit të një aksioni politik që destinacionin më të afërt ka zgjedhjet e pastaj vazhdon me qeverisjen. E majta do t’i fitojë zgjedhjet dhe asnjë prej vëllezërve Berisha nuk do drejtojë ekzekutivin.

Cilat do të jenë pikat, mbi të cilat do të mbështeteni në luftën politikë kundër Ramës e Berishës dhe bashkëpunimit që ju pretendoni që ekziston ndërmjet tyre?

Lufta ndaj 2 vëllezërve do të jetë e vështirë, por e domosdoshme. Vendi ka nevojë për alternativën konkurrente ndaj Ramës e Berishës. Lufta ndaj monizmit dhe monopoleve mbetet një aspiratë me mbështetje të gjerë. Besoj te suksesi ynë.

Marrim rastin, kur nuk do të ketë bashkëpunim ndërmjet partive të majta deri në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Cila do të jetë kostoja për të majtën në zgjedhjet e ardhshme parlamentare?

Shkatërrimi i PS është kosto që fatkeqësisht e majta e ka paguar. Unë besoj te një bashkim pas zgjedhjeve. Zgjedhjet duhet t’i japin goditje 2 pronarëve të Kushtetutës. Megjithatë, në PS ka socialistë të vërtetë, me të cilët mund të bashkëpunohet.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›