E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mësimet nga Kosova për Gjeorgjinë

NATO në shikim të parë e ka tradhtuar Gjeorgjinë duke lëshuar pe ndaj presionit rus dhe duke mos e ftuar në NATO. Kjo nga Moska është kuptuar si dritë e gjelbër për sulme ndaj Gjeorgjisë. Por duket se Perëndimi do të zgjidhë rrugën e ngadalshme, si në Kosovë, për të larguar ndikimin rus nga një vend strategjik

Nuk e di se përse, por kur pashë në ekranet televizive pamje të marshimit të papenguar të tankeve dhe ushtarëve rusë nëpër territorin e Gjeorgjisë, vend që është jo vetëm i pavarur, por edhe dukej në prag të hyrjes në NATO, m’u kujtua dita e hyrjes së ushtarëve rusë në Kosovë. Dallimi është vetëm në faktin se rusët në Kosovë nuk bënë aq dëm sa kësaj radhe në Gjeorgji dhe se NATO në atë kohë rreth Kosovës ishte unike. Sot, NATO jo vetëm që nuk është unike rreth Gjeorgjisë (lënë anash mbështetjen gojore të integritetit territorial dhe ftesave për ndërprerjen e armiqësive), por kjo aleancë nuk është më unike as rreth Kosovës. Pa marrë parasysh deklarimet e zyrtarëve të NATO-s, çdo vështrim i kujdesshëm i qëndrimit të disa shteteve të saj (Spanja, Rumania dhe Sllovakia), të japin dëshmi se ato shtete rreth pavarësisë së Kosovës kanë të njëjtin qëndrim me Rusinë. Këto shtete e konsiderojnë Kosovën si “rajon të Serbisë”, ndërsa praninë e trupave të NATO-s në Kosovë e shohin në bazë të Rezolutës 1244 dhe “pajtimit të Serbisë që NATO të jetë në Kosovë”.

E si ishte më 11 qershor të vitit 1999? Në këtë datë papritur tanket ruse vërshuan në rrugët e Prishtinës, në kohën kur shqiptarët prisnin ardhjen e trupave të NATO-s. Filloi euforia e serbëve dhe vallëzimi i tyre mbi tanket ruse dhe zhgënjimi i madh i shqiptarëve. Ende nuk e di, pse Prishtina mu ditën e hyrjes së trupave ruse në qendër të këtij qyteti e feston si ditën çlirimit. Edhe më shumë sesa vetë ndërhyrja e NATO-s në Kosovë hyrja e trupave ruse në Prishtinë dhe vendosja e tyre në pjesën strategjike (aeroportin e Prishtinës), dukej se ishte momenti më i rrezikshëm në raportet NATO - Rusi dhe ishte më afër se kurrë më parë konflikti direkt ushtarak i dy armiqve nga Lufta e Ftohtë. Gjenerali Wesley Clark më ka thënë disa herë se ai nuk përjashtonte mundësinë e përplasjes me ushtarët rusë, porse gjenerali britanik, Michael Jackson, nuk kishte dashur të vepronte në terren në atë mënyrë dhe i kishte thënë se “nuk duam ta nisim Luftën e Tretë Botërore”. NATO kishte zgjidhur qasjen më të ngadalshme. Kishte filluar kontaktet me rusët, të cilët tashmë ishin të rraskapitur dhe më vonë i dhanë Rusisë një rol politik dhe ushtarak në Kosovë. Rusia u largua ushtarakisht ndërkohë, por procesi i zgjidhjes së statusit politik të Kosovës e kthen Rusinë si faktor përsëri. Sa i përket pranisë ushtarake në NATO, me dinakëri dinë të thonë se “nuk është me rëndësi, kush hyn i pari, por kush mbetet i fundit”. Dhe në këtë aspekt, në atë ushtarak, NATO në rastin e Kosovës ka arritur qëllimet e veta ushtarake. Ato politike mbeten të shihen. Në Gjeorgji ka ndodhur diçka që mund të ketë pasoja të mëdha për konstelacionin e forcave ndërkombëtare. Rusia ka shfrytëzuar dobësinë e NATO-s, gjumin amerikan dhe papjekurinë e qeverisë së Tbilisit. Rusia si fituese u ndie që në Samitin e NATO-s në Bukuresht, kur, për shkak të insistimit të Gjermanisë më së shumti, nuk arriti pajtim që Gjeorgjisë dhe Ukrainës t’i hapë planin e veprimit për anëtarësim (MEP). U pa vetëm një premtim parimor se “këto vende një ditë do të mund të bëhen anëtare të NATO-s”. Gjermania nuk fshehu qëndrimin e saj se “në kohën e konfliktit rreth Kosovës nuk ka nevojë për acarim të mëtejmë të raporteve me Rusinë”. Filloi fushata zgjedhore në Amerikë. E kur në SHBA administrata është në largim e sipër, siç është tash administrata e Bushit, ajo administratë nuk merr vendime të rëndësishme, sidomos jo vendime për të hyrë në konflikt me Rusinë për shkak të Gjeorgjisë. Presidenti Bush mund të bëjë vetëm deklarata e asgjë tjetër. Ai, mu për shkak se është në largim e sipër, ka aq kohë që pothuajse një javë të shikojë Lojërat Olimpike në Pekin. Të gjitha këto i ka ditur Rusia dhe ka bërë atë që ka bërë, duke u sjellë, në mendjen e saj, ashtu siç është sjellë NATO në Kosovë. Dallimi më i madh është në faktin se ndërhyrja e NATO-s në Kosovë ishte vendim i 16 e më vonë 19 qeverive të vendeve demokratike që u mor me konsensus dhe me mund të madh që ai konsensus të arrihet. E ndërhyrja e Rusisë në Gjeorgji është vendim i një grupi të vogël politikanësh dhe ushtarakësh që Rusisë ia kthejnë “namin” duke treguar forcën aty ku munden. Kështu Gjeorgjia, sa për shkak të papjekurisë, mbeti peng edhe i papërgatitjes së NATO-s dhe gjumit të Amerikës. Por, duke parë shembullin e Kosovës, ndoshta në NATO mendojnë se edhe në rastin e Gjeorgjisë nuk është e rëndësishme se trupat ruse marshuan tash, por kush do të mbetet në fund, e në fund ky vend mund të bëhet anëtar i NATO-s.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›