Morali i dyshimtë i G99
Por më pasi doli ndryshe. Nuk jam nga ata që paragjykoj një njeri që kërkon të bëjë karrierë në tregun politik shqiptar, pasi jetojmë në një sistem, ku kjo e drejtë mund t’i jepet gjithkujt, por me Erionin ndryshon puna. Drejtuesi i një organizate të përfolur për mënyrën e financimit (për marrëdhënie të dyshimta me një nga diplomatët e huaj në vend, i cili thuhet se miratonte shuma prej dhjetëra-mijëra eurosh nga taksat e vendit të tij për projekte, jo më shumë për qëllimin sesa për “shërbimet” e ndryshme që i ofronte Veliaj & Co, akuza këto të hedhura dhe nga drejtuesit e një force të majtë ), pas ngjitjes në krye të PS të Edi Ramës afrua shumë me këtë të fundit. Aq shumë, sa në disa nga kryesitë e PS në rrethe pas zgjedhjeve që u bënë në këtë parti, filluan të gëlojnë aktivistët e “MJAFT”, duke zgjuar kështu inate dhe xhelozi te vetë aktivistët e PS, që s’mund të pranonin të drejtoheshin nga djem dhe çupëlina me piercing në vende të ndryshme të trupit. Edi Rama, duke qenë afër me mentalitetin “trendy” të aktivistëve të kësaj lëvizjeje, por dhe për hir të një borxhi që i kishte këtyre të fundit, për shkak të sulmeve që i kanë bërë ish-kryetarit të PS, Fatos Nano, iu hapi rrugën me mendimin se Veliaj me shokë do sillnin një lloj ndryshimi në PS. Por Erioni nuk u mjaftua me kaq. Pas fejesës që bëri me një nga aktivistet e lëvizjes së tij dhe pas shpalljes së grupimit G99, synoi për më shumë. Duke ditur që FRESSH është nja nga organizmat jetësore të PS dhe, për më shumë, duke ditur forcën që ka ky organizëm në zgjedhje, tashmë kërkon që këtë forcë t’ia kalojë gruas së tij, Ajola Xoxe, e infiltruar së fundi në këtë strukturë. Madje, po luftohet që kryetarja aktuale të dalë jashtë loje, megjithëse është ende në mes të mandatit. Daljet e Xoxes në disa takime dhe fërkimet që kanë filluar brenda FRESSH për këtë qëllim (shumica e të rinjve në këtë strukturë nuk e pranojnë këtë lëvizje), e tregojnë më së miri këtë. Qëllimet janë të qarta. Në zgjedhjet e 2009 nuk përjashtohet mundësia që G99, e përfaqësuar nga Veliaj, të bashkohet me PS dhe përdorimi i FRESSH për të mbledhur vota do ishte një mekanizëm që do e lançonte këtë të fundit në politikë si pjesë e së majtës. Nga ana tjetër, vetë Rama mbështetjen e Veliajt e sheh si instrument për të kontrolluar sa më mirë PS, por dhe për të nxjerrë jashtë loje aleatët e bezdisur, të cilët, në rast të një fitoreje në zgjedhje, do të kërkojnë jo pak nga torta e pushtetit, krahasuar me kërkesat modeste aktuale të Veliajt. E gjithë kjo panoramë zhvillohet brenda PS, në një kohë kur duket se opozita po i bëhet qeverisë. Vetë Veliaj mundohet të jetë në një linjë me deklarata me kryetarin e PS duke konkurruar në këtë fushë dhe nënkryetarin grupit parlamentar, Braçe. Gjithsesi, këtë luftë ish-drejtuesi i “MJAFT” nuk do e ketë të lehtë, pasi i duhet të përballet me mentalitetin konservator të bazës së majtë, por edhe me luftën që po bëhet brenda aktivistëve të FRESSH për të mos lënë “MJAFT” që të uzurpojë këtë organizëm, i cili jo në pak raste ka qenë pjesa dominante e fushatave të PS. Marrja e drejtimit nga ana e Xoxes së këtij organizimi do të shoqërohej me përjashtimin nga FRESSH të pjesës më aktive të tij dhe hipjen në fronet drejtuese të miqve të Veliajt, të cilët janë njëkohësisht dhe miqtë e Xoxes.