E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pafuqia ime për të ndihmuar Sali Berishën

Qeveria shqiptare vazhdon të lërë pa përgjigje mënyrën se si është emëruar një trafikant droge në shërbimin diplomatik duke i dhënë shans dhe legjitimitet akuzave që shkojnë deri te miqtë më të afërt të familjes Berisha. Ka tri ditë që shteti shqiptar ka marrë një goditje të rëndë dhe emri i tij është përlyer nga një trafikant dhe po ashtu ka tri ditë që kryeministri i xhindosur, sikur të ishte arrestuar djali i tij, mallkon këdo që i kërkon të bëjë publik faktin se kush e emëroi këtë trafikant në shërbimin diplomatik. Ministri i Jashtëm, Lulëzim Basha, të cilit i mjaftojnë tri minuta kohë të verifikojë mënyrën e emërimit dhe të bëjë publikë rekomanduesit e tij, është zhdukur, ndërsa zëdhënësi Bogdani në një siklet të paparë ndonjëherë lexon me bezdi në emër të PD, për llogari të qeverisë, tekstet e dërguara nga kryeministri.

Por, pavarësisht këtyre, askush nuk ka marrë një përgjigje për atë që ka shkaktuar këtë skandal. Për tri ditë rresht shqiptarët kanë dëgjuar gjithfarë akuzash për mua, për gazetën “TemA” dhe ndonjë gazetë tjetër, sikur të ishim ne prodhuesit e drogës që iu kap shoferit me targa diplomatike dhe asnjë rresht për përgjegjësinë e shtetit shqiptar në këtë skandal. Për më tepër, zgjatja e kësaj heshtjeje dyshuese dhe paburrëria për t’i dhënë fund hetimeve për palën shqiptare, e lidhin përditë e më shumë trafikantin me njerëzit e kryeministrit dhe interesat e tij.

Por, ndërsa polemikat publike po shtohen për këtë çështje, shumë njerëz, në radhë të parë njerëz të PD, duan së paku të kenë një arsye të besueshme në dorë për t’u mbrojtur politikisht. Të mësuar të besojnë argumentet që iu thotë lideri i tyre, ata kanë nevojë tani më shumë se kurrë qoftë dhe për një dogmë që të shpëtojnë nga kjo akuzë. Por për çudi kryeministri nuk po ua jep. Kryeministri ka 72 orë që hesht dhe nuk zë dot në gojë emrin e Rrahmanit, “vëllait” real të djalit të tij, Shkëlzenit, i cili ka diktuar emërimin. Sali Berisha ka muaj të tërë që nuk zë dot në gojë emrin e Delijorgjit, edhe pse është në praktikën e tij të zërë në gojë dhe gjysmën e fisit të tij, nëse do t’i hapë luftë. Sali Berisha ka muaj të tërë që nuk zë dot në gojë “Taçi Oil”, ndërkohë që vite më parë i ka pas përmendur dhe vjehrrin. Mbështetësit e shqetësuar të partisë në pushtet sidoqoftë duan disa dogma t’ia dalin përtej në debatet që zhvillojnë në lagje, punë a shtëpi rreth akuzave që i bëhen qeverisë. Kjo betejë nuk përballohet duke më akuzuar mua, pasi, me gjithë dëshirën që kam për t’i ndihmuar, dhe sikur të pranoj broçkullat që thotë Berisha, nuk rregullohet gjë. E zëmë, fjala vjen, se unë, siç thotë Berisha, paskam ëndërruar të fitoj një tender e nuk e paskam fituar, ndërsa familja e Berishës ka fituar të gjithë tenderat që s’i ka ëndërruar kurrë. E zëmë, fjala vjen, se unë, siç thotë Berisha, nga kundërshtar i ashpër për 20 vite i Gramoz Ruçit, tashmë qenkam bërë ushtar i tij, po ç’ndihmë i jep kjo elektoratit të PD, kur shikon se kryeministri është bërë ushtar i Edi Ramës, Celibashit, Adrian Vishës, Mihal Delijorgjit apo Rrahmanit?! E zëmë, fjala vjen, se unë e paskam bërë gazetën “TemA” gazetë personale, po ç’ndihmë i jep kjo elektoratit të PD, kur shikon se kryeministri ka bërë personale, madje familjare çdo qelizë të pushtetit dhe vendimmarrjes në këtë vend?!

Sali Berisha ka nevojë të përballet me akuzat duke iu përgjigjur akuzave, jo duke shpikur banalitete për median, pasi ato thjesht nuk e shpëtojnë. Mes atyre që, sipas tij, ëndërrojnë tendera dhe atyre që i fitojnë përditë, shqiptarët dinë ta bëjnë dallimin dhe ata që i fitojnë, janë pjesë e familjes së Sali Berishës. Mes atyre që kanë qenë duke u vrarë me nipat e Gramoz Ruçit që Sali Berisha të vinte në pushtet dhe atyre që ndajnë katet e pallatit te Garda dhe 300 mijë euro bakshish, me njeriun e Gramoz Ruçit, shqiptarët dinë të bëjnë dallimin. Mes meje, që jetoj me punën time si gazetar dhe djalit të Sali Berishës, që jeton me gjoba dhe sekserllëqe, shqiptarët dinë ta bëjnë dallimin. Por, dhe në mos ditshin ta bëjnë qartë, ndaj meje nuk kanë ndonjë borxh, se nuk jam pjesë e pushtetit dhe e përgjegjësisë për ta. Sali Berisha iu ka borxh zhgënjimin e madh dhe duhet të përgjigjet për atë. Militantët dhe mbështetësit e tij janë në ankth jo për hallet dhe problemet e mia, por për hallet dhe problemet që iu shkakton Sali Berisha dhe familja e tij. Ata kanë nevojë të sqarohen për ato skandale, qoftë dhe duke i gënjyer sa për të kaluar situatën. Por jo duke shpikur arsye që atyre nuk iu hyjnë në punë. Unë nuk e shpëtoj dot kryeministrin Sali Berisha dhe nëse ia pranoj gjithë marrëzitë që thotë. Nuk e shpëtoj dot, edhe pse më vjen keq për mijëra mbështetës të tij të dëshpëruar që nuk dinë si ta shpjegojnë degradimin e tij. Sali Berishën mund ta shpëtojë vetë Sali Berisha i sinqertë dhe i ndershëm, ai që besonim që ishte. Por ai nuk është më.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›