E Diel, 1 Nëntor 2026

Petro Manas: Më 2012 tre puse të reja nafte në vend

Në Shqipëri pritet zgjerimi i hartës për naftënxjerrje. Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore dhe kompania kanadeze “Petro Manas” miratuan dje programin e punës për vitin e ardhshëm 2012. Në bazë të këtij programi parashikohet shpimi i tre puseve nga ana e kësaj kompanie me qëllim nxjerrjen e naftës. Vendshpimet e parashikuara nga kompania nuk do të jenë qytete naftënxjerrëse të mirëditura deri tani, por zbulime të reja. Tre qytetet ku synohet të nxirret naftë janë Shkodra, Elbasani dhe Berati. Pas një studimi në zona të ndryshme të Shqipërisë, mendohet se këto tri pika mund të jenë burim i mëtejshëm i nxjerrjes së naftës, duke zgjeruar në këtë mënyrë hartën e shpërndarjes së puseve naftënxjerrëse. Në takimin e zhvilluar mes Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore, drejtori Ekzekutiv i kësaj agjencie, Besjan Pesha, vlerësoi punën e kompanisë “Petro Manas”. Ai theksoi se “Puna e ‘Petro Manas’ mund të revolucionarizojë konceptin e vendburimeve naftëmbajtëse në vend, duke e bërë Shqipërinë një vend akoma dhe më atraktiv për investimet në këtë fushë, njëkohësisht duke zgjeruar hartën e vendndodhjes së puseve të naftës në zonat veriore por edhe lindore të vendit”. Ndërsa përfaqësuesi i kompanisë “Petro Manas” në këtë takim, Malfor Nuri, vuri në dukje bashkëpunimin e ngushtë me Agjencinë Kombëtare të Burimeve Natyrore dhe ndihmën që kjo e fundit ka dhënë për të lehtësuar punën e kësaj kompanie në Shqipëri. Takimet këshillimore mes Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore dhe kompanisë “Petro Manas” janë të përvitshme dhe kanë për synim të zgjerojnë më tej hartën e nxjerrjes së naftës në Shqipëri. AKBN është Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore e cila promovon, shqyrton dhe monitoron të gjitha projektet dhe investimet në shfrytëzimin e burimeve natyrore të Shqipërisë.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›