E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zgjerohet harta per nxjerrjen e naftes do shpohen 3 puse ne 2012-n

Zgjerohet harta për nxjerrjen e naftës.

Potenciali i burimeve natyrore në Shqipëri tërheq gjithmonë e më shumë interesin e investitorëve të huaj.

Kompania kanadeze e nxjerrjes së naftës “Petro Manas”, në bashkëpunim edhe me Agjensia Kombetare te Burimeve Natyrore, kanë forcuar bashkëpunimin për zgjerimin e hartës së shpërndarjes së puseve në veri dhe lindje të vendit.

Programi për vitin e ardhshëm, nga shoqëria kanadeze synon një revolucionarizim të konceptit të vendburimeve naftëmbajtëse në vend duke e bërë Shqipërinë një vend akoma dhe më atraktiv për investimet.

Kështu, Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore dhe kompania kanadeze “Petro Manas” miratuan programin e punës për vitin e ardhshëm, 2012.

Në bazë të këtij programi parashikohet çpimi i tre puseve nga ana e kësaj kompanie me qëllim nxjerrjen e naftës.

Pas një studimi në zona të ndryshme të Shqipërisë, mendohet se këto tre pika mund të jenë burim i mëtejshëm i nxjerrjes së naftës duke zgjeruar në këtë mënyrë hartën e shpërndarjes së puseve naftë-nxjerrëse.

Në takimin e zhvilluar mes Agjensisë Kombëtare të Burimeve Natyrore, Drejtori Ekzekutiv i kësaj agjensie, Besjan Pesha vlerësoi punën e kompanisë “Petro Manas”.

Pesha theksoi se “Puna e Petro Manas mund të revolucionarizojë konceptin e vendburimeve naftëmbajtëse në vend duke e bërë Shqipërinë një vend akoma dhe më atraktiv për investimet në këtë fushë, njëkohësisht duke zgjeruar hartën e vendndodhjes së puseve të naftës në zonat veriore por edhe lindore të vendit”.

Ndërsa përfaqësuesi i kompanisë “Petro Manas” në këtë takim, Malfor Nuri vuri në dukje e madje vlerësoi së tepërmi bashkëpunimin e ngushtë me Agjensinë Kombëtare të Burimeve Natyrore dhe ndihmën që kjo e fundit ka dhënë për të lehtësuar punën e kësaj kompanie në Shqipëri.

Në bazë të studimit të kompanisë është përcaktuar qartë vendndodhja e tre puseve ku synohet të nxirret naftë. Programi i punës parashikon çpimin e një pusi të ri në afërsi të qytetit të Shkodrës, një tjetër në afërsi të Elbasanit dhe pusi i tretë mendohet të hapet në afërsi të Beratit.

Takimet këshillimore mes Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore dhe kompanisë Petro Manas janë të përvitshme dhe kanë për synim të zgjerojnë më tej hartën e nxjerrjes së naftës në Shqipëri.

AKBN është Agjensia Kombëtare e Burimeve Natyrore e cila promovon, shqyrton dhe monitoron të gjitha projektet dhe investimet në shfrytëzimin e burimeve natyrore.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›