Koncesionet e HEC, Berisha: Kush nuk ka zbatuar kontratën, jashtë tenderave
Koncesionarët e parregullt të hidrocentraleve të vogla kanë qenë dje në fokus të kryeministrit Berisha gjatë mbledhjes së radhës të qeverisë. Çështja e nxehtë e koncesioneve të hidrocentraleve është rikthyer sërish në vëmendjen e Berishës, por këtë herë duke marrë masa shtrënguese. Kryeministri bëri me dije se koncesionarët, që edhe pse u është shtyrë afati i përfundimit të kontratës sipas madhësisë së HEC-eve me 12, 18 dhe 24 muaj, ata nuk kanë qenë të aftë të përmbushin këto afate, për ta nuk do të ketë një mundësi të dytë. Sipas Berishës, jo vetëm që kontrata do të prishet, por këto firma koncesionare do të penalizohen duke mos patur të drejtën të marrin pjesë në tendera të tjerë. “ Një numër kompanish janë përgjigjur dhe kanë filluar ndërtimin. Kompanitë, të cilat me gjithë zgjatjen e afateve nuk kanë qenë të afta të garantojnë financimin e projekteve të tyre, do të detyrohen të zbatojnë kontratën e firmosur, pra rrjedhimisht do të humbasin të drejtën e saj në termat e kontratës. Duhet të ketë një mekanizëm që t’i parandalojë rikthimin e tyre në garë për së dyti. Ata patën një shans, nuk e realizuan dot, për herë të dytë nuk kanë të drejtë morale. Unë e kuptoj që ligji ndofta ka ndonjë boshllëk dhe nuk i pengon, por me shkeljet që i kanë bërë kontratës ata meritojnë të përjashtohen nga gara. Dikush tjetër duhet të ketë shansin dhe është e domosdoshme të shqyrtohet për rastet e dyta garancia financiare, e domosdoshme, më shpresëdhënëse për ndërtimin. Një vendim ne e patëm marrë, në të cilën sipas madhësisë së HEC-ve bëmë zgjatje 12, 18 dhe 24-mujore. Unë kam idenë se ky vendim po i afrohet skadimeve dhe për disa kategori ka skaduar. Atëherë këto kontrata janë letër e vdekur. Kërkesat janë të mëdha, interesi është i madh.”- tha Kryeministri gjatë mbledhjes së qeverisë. Duke vazhduar me argumentet e tij, ai shtoi se shumë prej koncesionarëve janë treguar të paarsyeshëm në ofertat që u kanë bërë partnerëve dhe kanë larguar investitorët, ndaj dhe duhet që kontrata të zbatohet me rigorozitet, çka do të thotë: pas skadimit të afatit të përcaktuar në vendimin e qeverisë që zgjati afatet, ata kanë humbur të drejtën e kontratës. “Unë e di që ju keni nisur gjoba dhe paralajmërime, por tani është koha që të zbatohet një më një, vendimi i qeverisë, sepse interesi për investime në fushën energjisë është shumë i madh dhe këta bllokojnë kaskada përrenjsh dhe lumenjsh shumë të përshtatshëm për investime.”- u shpreh kreu i qeverisë. Kryeministri theksoi se, nisur nga veçoritë karakteristike të lumenjve, do të marrë përparësi ruajtja e tipareve që përbëjnë vlera natyrore. “Natyrisht kanionet përjashtohen nga çdo lloj cenimi, pasi janë një pasuri e jashtëzakonshme. Osumi është lumi me pjerrësinë më të madhe në Shqipëri, zbret nga 900 metra lartësi, por kanionet nuk do të preken. Ato do të mbeten të ruajtura si një monument mahnitës natyror.” - tha ai. Ndërsa ndër vendimet e djeshme të qeverisë u miratua kontrata dhe koncesione të formës “BOT" për ndërtimin e hidrocentraleve në lumin Grabovë.
Vendimi, dy HEC-e me koncesion në Hotolisht
Qeveria miratoi dje përmes një vendimi dhënien me koncesion të hidrocentraleve “Kaskada e HEC-eve të Hotolishtit” dhe bonusin në procedurën përzgjedhëse konkurruese që i jepet shoqërisë. Duke iu referuar vendimit në fjalë, autoriteti kontraktues për kryerjen e procedurave ligjore, për dhënien me koncesion të formës “BOT” (Ndërtim, Operim dhe Transferim) të hidrocentraleve “Kaskada e HEC-eve të Hotolishtit”, është Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës. Shoqëria në fjalë që është “Electral” do të marrë edhe bonusin prej 2 pikëve për rezultatin teknik dhe financiar në procedurën përzgjedhëse konkurruese për dhënien me koncesion të kësaj kaskade. Është Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës në procedurën konkurruese për dhënien me koncesion të hidrocentraleve “Kaskada e HEC-eve të Hotolishtit” që do të pranojë oferta për të gjithë pjesën e lirë të skemës ku përfshihet ndërtimi i këtyre hidrocentraleve.