Projektbuxheti 2012, infrastruktura zbret nga prioritetet
Gjatë viteve të fundit infrastruktura dhe në veçanti ajo rrugore kanë qenë ndër tre prioritetet kryesore, duke përfituar dhjetëra miliardë lekë nga buxheti i shtetit. Por, duket se vitin e ardhshëm dy sektorët më të rëndësishëm do të jenë vetëm arsimi dhe shëndetësia. Ministria e Financave ka nisur prej më se dy javësh shqyrtimin e kërkesave të dikastereve të ndryshme për buxhetin e vitit 2012. Burime konfidenciale bëjnë të ditur për RTV SCAN se gjatë takimeve me ministritë e linjës po përcaktohen tavanet e buxhetit për projektet e paraqitura. Por burimet shtojnë se infrastruktura rrugore pritet të mos marrë më “pjesën më të madhe të tortës” ashtu si vitet e tjera. Megjithatë, drafti përfundimtar i buxhetit do të nxjerrë në dritë dhe hollësitë e ndarjes së fondeve. Drafti përfundimtar parashikohet të jetë gati në dy javët e para të muajit tetor. Më pas, projektbuxheti do të kalojë në qeveri dhe më tej në Parlament. I gjithë procesi parashikohet të mbyllet deri në fillim të muajit dhjetor. Infrastruktura rrugore në Shqipëri është sektori që ka përfituar dhjetëra miliarda lekë nga buxheti i shtetit, si dhe nga financime të huaja, për vetë gjendjen e rëndë në të cilën ndodheshin rrugët tona kombëtare. Por, përparësi absolute gjatë këtyre viteve ka qenë ndërtimi i Rrugës së Kombit, Durrës-Kukës-Morinë. Por, duket se me përfundimin e kësaj rruge paratë e shtetit po rrudhen nga viti në vit. Kështu, nga 59,8 miliardë lekë që u dhanë gjatë vitit 2008, kjo shumë thuajse është përgjysmuar në vitin 2011 deri në 34,7 miliardë. Ndërsa pritet që buxheti i vitit të ardhshëm të sjellë edhe më pak para për këtë sektor.