E Shtunë, 31 Tetor 2026

Petromanas, tri puse të reja nafte në Elbasan, Lezhë e Berat

Nga takimi AKBN-Petromanas

AKBN, Pesha: Kanadezët, 83 milionë dollarë investime

Tri puse të reja nafte do të shpohen në Berat, Lezhë dhe Elbasan nga kompania Petromanas, duke zgjeruar kështu zonën e vendburimeve naftëmbajtëse.  Gjatë një takimi ditën e djeshme mes përfaqësuesve të AKBN-së dhe kompanisë Petromanas, u bënë me dije edhe detaje të tjera lidhur me këtë nismë. Kështu, sipas komunikimeve të AKBN-së, pusi i parë do të shpohet në qershor në Berat, i dyti në dhjetor në Lezhe dhe i treti në mars në Elbasan. Kreu i Agjencisë së Burimeve Natyrore, Besjan Pesha, tha dje se kompania kanadeze do të vijojë me investime të reja, të cilat shkojnë në dhjetëra milionë dollarë, çka do të shoqërohet edhe me vende pune të reja. Një lajm i mirë është se do të ketë rreth 83 milionë dollarë investime dhe mbi 600 vende të reja pune, tha Pesha në fjalën e tij në këtë takim. Nga ana tjetër ai dha edhe mbështetjen e plotë në emër të AKBN-së për nismën e kompanisë Petromanas për shpimin e puseve të reja të naftës, një nisëm që vlerësohet si një mundësi e re biznesi, por edhe zhvillimi. Përfaqësuesit e kompanisë kanadeze, nga ana tjetër, kanë shprehur qëndrimin e tyre për të vijuar me investimet në Shqipëri. Shefi i zyrës operatore, Hamid Mozayani, u shpreh se kompania Petromanas do të vijojë me investimet e saj në Shqipëri sa i përket zgjerimit të hartës së vendburimeve naftëmbajtëse, çka sipas tij, do ta kthente Shqipërinë në një vend më atraktiv për investitorë të rinj.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›