E Shtunë, 31 Tetor 2026

De Biazi eksperimenton, por ka terr informativ

De Biazi

Ndeshja nuk transmetohet në televizion. Bastet: Shqipëria, favorite.

Pritet të provohen lojtarë të Superiores, luhet me 1 sulmues.

Shqipëria e Xhani de Biazit do luajë sot ndeshjen e dytë miqësore nën drej-timin e italianit, ndaj Katarit në stadiumin e Rajo Valekanos në Spanjë. Tekniku pritet të provojë shumë lojtarë, sakaq ndeshja nuk transmetohet në televizion.
Shqipëria do të luajë në Madrid, por përveç pjesës teknike ku trajneri i Kombëtares pritet të aktivizojë edhe lojtarë nga kampionati vendës, duhet theksuar fakti se me shumë gjasa takimi nuk do të transmetohet nga asnjë televizion në Shqipëri. Burime jo zyrtare për Panorama bëjnë me dije se paketa Supersport, e cila transmeton zakonisht ndeshjet e Kombëtares, nuk ka arritur që të blejë të drejtën televizive për këtë takim, kjo edhe për shkak të vlerës së lartë që është kërkuar. Sipas informacioneve, kompania që menaxhon këtë ndeshje ka kërkuar më shumë se 30 mijë euro, shifër kjo mjaft e lartë, çka ka bërë që Supersport të mos e marrë fare në konsideratë. Ndërkohë, kuqezinjtë kanë zhvilluar dje një seancë stërvitore në fushën ku do luhet sot ndeshja dhe me gjasa De Biazi do luajë nga minuta e parë me Shehin në portë, Dallkun, Veliun, Mavrajn dhe Lilën në mbrojtje, Bulkun, Canën, Vilën, Agollin dhe Bakajn në mesfushë dhe vetëm me  Bogdanin në sulm. Pritet që në pjesën e dytë të ketë hapësira për Fagun, Osmanin, Sabien Lilajn, Emiljano Veliajn, Hair Zeqirin, Edgar Çanin dhe Armando Sadikun. Ndërsa referuar basteve, Shqipëria është favorite për të fituar ndeshjen e sotme ndaj Katarit. Sipas koeficienteve të basteve të publikuara nga pjesa më e madhe e kompanive në Europë, vërehet se fitoja e Shqipërisë shkon nga 2.20 deri në 2.30, ndërsa barazimi nga 3.15 deri në 3.30. Si e vështirë parashikohet një fitore e skuadrës së Katarit, duke qenë se koeficientet e kësaj skuadre ndaj Shqipërisë janë më të larta. Kështu, fitoja e aziatikëve ka një koeficient që shkon nga 2.50 deri në 3.00.

Katari me probleme, ankohen futbollistët
Te Katari nuk kanë fund ankesat dhe problemet. Pas drejtuesve të klubeve të cilët iu kundërvunë trajnerit të ekipit përfaqësues për faktin se sipas tyre shpiku dy ndeshje miqësore krejt pa sens duke u marrë lojërat më të mirë në grumbullim, është vetë tekniku brazilian Paulo Autouri, i cili tregon gjendjen e skuadrës së tij duke akuzuar indirekt klubet. Sipas teknikut, një pjesë e mirë e lojtarëve janë tejet të lodhur, pasi kanë duruar një sezon të vështirë me skuadrat që luajnë, duke mos u kursyer për asnjë moment nga trajnerët e tyre. Lojtarëve u kam dhënë sot (dje) paraditen pushim, pasi i pashë që ishin shumë të lodhur. Një pjesë e mirë e tyre kanë kaluar një sezon mjaft stresues në klubet ku luajnë, ndaj e pashë të arsyeshme që të mos i ngarkoj më shumë para kësaj ndeshjeje, ka pohuar trajneri i Katarit dje për mediat e vendit të tij. Kujtojmë se Katari stërvitet prej nëntë ditësh në Madrid, pikërisht në fushat sportive të Real Madridit dhe sot do të përballet me Shqipërinë e Xhani de Biazit.

LEONARD KARAJ

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›