E Shtunë, 31 Tetor 2026

Petrov inspirohet nga Muamba

Mesfushori i Aston Villës, Stiliyan Petrov ka bërë të ditur se është duke marrë inspirim nga Fabrice Muamba pasi u diagnostikua me leukemi akute.

32-vjeçari pritet të fillojë tretmanin në një spital në Londër, të hënën, por udhëtoi në Villa Park të shtunën për të shikuar ndeshjen e skuadrës së tij kundër Chelseas. Pak pas ardhjes në stadium, Petrov publikoi një komunikatë ku falënderoi komunitetin e futbollit për përkrahjen e tyre.

Reprezentuesi bullgar u zotua të luftojë sëmundjen dhe tregoi se shfrytëzon mesfushorin e Boltonit, Muamba si inspirim. Muamba pësoi sulm në zemër gjatë ndeshjes çerekfinale të FA Cup kundër Tottenhamit, dy javë më parë, por i tejkaloi parashikimet në rrugë drejt rikuperimit.

Petrov tregoi se fotografia e publikuar ku Muamba shihet i buzëqeshur në shtratin e tij në spitalin London Chest, e ka inspiruar atë, së bashku me përkrahjen e madhe që mori.

“Dua të falënderoj të gjithë njerëzit që më kanë lënë mesazhe të përkrahjes. U jam mirënjohës. Kjo është një periudhë e vështirë për mua dhe familjen time, andaj kërkoj që të respektohet privatësia ime. Me ndihmën e më të dashurve, jam i përcaktuar të tejkaloj këtë pengesë. Kam parë fotografinë e publikuar nga Muamba, dhe ajo më ka inspiruar, njësoj sikurse përkrahja e 24 orëve të fundit”, deklaroi Petrov.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›