E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hetimi, piratët e kompjuterëve rikthejnë lotaritë mashtruese

Tiranë Për tre muaj kanë denoncuar shumë qytetarë të mashtruar

Rikthehen lotaritë mashtruese nëpërmjet internetit, ndërkohë që policia ka regjistruar kallëzimet e para dhe ka nisur hetimet për identifikimin dhe kapjen e autorëve. Gjatë tre muajve të parë të këtij viti janë mashtruar një sërë personash, të cilët kanë rënë pre e piratëve të kompjuterëve, të cilët u merrnin para si taksa, duke i mashtruar se kishin fituar lotari me çmime të ndryshme. Policia tha se kohët e fundit janë evidentuar disa raste mashtrimesh, pre e të cilave kanë qenë qytetarë të ndryshëm shqiptarë, të cilët përmes mesazheve telefonike apo postës elektronike janë njoftuar se janë shpallur fitues të çmimeve të rreme në shuma të mëdha, me qëllim përfitimin prej tyre në mënyrë të paligjshme të parave apo përdorimin e të dhënave të tyre personale për qëllime kriminale. Nga hetimet rezulton se mashtruesit i gënjejnë qytetarët nëpërmjet mesazheve telefonike dhe postës elektronike në adresat e internetit, duke i bërë të besojnë se janë fitues të çmimeve të ndryshme (deri në 500000 paund), të organizuara nga kompani të mëdha. Për të qenë sa më të besueshëm për viktimat e tyre, ata dërgojnë në adresat e postës elektronike fotografi dhe të dhëna personale të personave të ndryshëm, duke i bërë qytetarët të besojnë se janë presidentë të fuqishëm të kompanive të mëdha. Menjëherë sapo kryhet kontakti me këto persona, mashtruesit bindin viktimat e tyre se duhet të japin një shumë parash paraprakisht në forma dhe mënyra të ndryshme, gjoja për të paguar taksa të llojeve të ndryshme, si DHL për dërgesa apo dhe shërbime. Me këto mashtrime ata kanë arritur në disa raste të përfitojnë shuma të mëdha parash nga qytetarët. Për këto raste, nga Sektori kundër Krimeve Kompjuterike në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit janë marrë kallëzimet nga qytetarët e mashtruar dhe po kryhen hetimet përkatëse për veprën penale të “mashtrimit kompjuterik”.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›