Mbeturinat urbane dhe inertet pushtojnë qytetin
çelja e sezonit turistik për qytetin e Vlorës, këtë vit do të jetë e vonuar. Shkak për këtë nuk janë vetëm gropat dhe infrastruktura e qytetit, por dhe mbeturinat e çfarëdollojshme që kanë pushtuar të gjithë qytetin. Më problematike është hedhja e tyre pa kriter në rrethinat e qytetit. Aktualisht, zona më problematike ngelet Pylli i Sodës, si dhe plazhi i Zvërnecit, që tashmë nuk mund të quhen të tilla, por varreza gjigande mbeturinash. Për vite me radhë inertet që dalin nga themelet e pallateve hidhen në brendësi të Pyllit të Sodës, si dhe shumë mbeturina të ndryshme që janë konsum i përditshëm i lokaleve të qytetit të Vlorës. Po kështu, persona të papërgjegjshëm hedhin inerte dhe mbeturina në rrugën nacionale Vlorë-Fier. Në kilometrin e 10-të të këtij aksi gjenden anës rrugës vende depozitash për hedhjen e mbeturinave. Për një gjatësi prej disa kilometrash në afërsi të fshatit Bestrovë dhe pikërisht te kodra e ullinjve, anët e rrugës janë mbuluar nga mbetjet e inerteve, si dhe të mbeturinave të ndryshme, që hidhen si natën, ashtu edhe ditën. Pjesa më e madhe e këtyre mbeturinave ishin mbetje spitalore, si shiringa, age, dorashka dhe të tjera objekte të rrezikshme. Kjo pasi dhe ngrohja e motit përbën një rrezik akoma më të madh. Institucionet përkatëse, si nga Komuna Qendër, ashtu dhe nga Bashkia e Vlorës, nuk kanë marrë asnjë masë për heqjen e këtyre mbetjeve, si dhe penalizimin e personave përgjegjës që ndotin përditë qytetit bregdetar të Vlorës. Afrimi i sezonit turistik për Vlorën është ende larg. Hyrja në këtë qytet prezantohet nga rrugët me gropa, si dhe mbeturina të gjithfarëllojshme. Ndonëse krerët e policisë bashkiake janë ndryshuar dhe kanë vendosur shërbime në zonën e Pyllit të Sodës, për të mos lejuar hedhjen e mbeturinave, përsëri derdhja e inerteve vazhdon.
#