E Diel, 1 Nëntor 2026

Petrovic në Bruksel: Hapi i parë heqja e barrikadave në Veri

PRISHTINË-Zv/kryeministri i Kosovës dhe ministër i Administrimit të Pushtetit Lokal, Slobodan Petrovic në vizitën zyrtare në Bruksel ka nënvizuar se "është shumë e rëndësishme, që situata në veri të normalizohet dhe hapi i parë është heqja e barrikadave dhe mundësia e lirë e lëvizjes së njerëzve dhe mallrave'”.

Ai ka inkurajuar një rol më aktiv të strukturave të EULEX-it për të ndihmuar në këtë proces.

Ministria kosovare bëri të ditur sot se në takimin e parë me përfaqësuesit e Parlamentit Evropian të Grupit ALDE (Lidhja e Liberalëve dhe Demokratëve për Evropën), Petrovic ka prezantuar në mënyrë të plotë zhvillimet e përgjithshme në Kosovë, me theks të veçantë mungesën e lirisë së lëvizjes në veri të Kosovës dhe procesin e dialogut teknik me Serbinë.

Interesimi i anëtarëve të Parlamentit Evropian ka qenë i madh duke bërë një varg të pyetjeve që lidhen me zhvillimet e gjithanshme jo vetëm në Kosovë por edhe më gjerë në rajon.

Zv/kryeministri Petrovic ka pasur një drekë pune me Kryesuesin e Delegacionit për marrëdhënie me Shqipërinë, Bosnjën e Hercegovinën, Serbinë dhe Kosovën, Eduard Kukan i shoqëruar edhe nga anëtarë tjerë të Parlamentit.

Edhe në një prezantim në Parlamentin Evropian, të cilin e kanë ndjekur një numër i madh i anëtarëve të Parlamentit që përbëjnë Komitetin për Politikë të jashtme, zyrtarë të misioneve diplomatike të akredituara në Belgjikë, ministri Petrovic ka folur për sfidat që janë aktuale dhe që kanë të bëjnë me gjendjen e krijuar pas vendosjes së barrikadave në veri. “Ato janë të papranueshme dhe po dëmtojnë vet komunitetin që jeton në këtë zonë. Lumi Ibër duhet të jetë lum i bashkimit dhe jo ndarjes”, ka theksuar Petrovic, një nga përfaqësuesit e serbëve në institucionet e Republikës së Kosovës.

Sipas tij, roli i bashkësisë ndërkombëtare duhet të rritet si dhe angazhimi i tyre që të bëjnë palët të gjejnë zgjidhje të qëndrueshme dhe të ndihmojnë në vendosjen e rendit dhe ligjit në veri të Kosovës.

Në këtë prezantim Petrovic është fokusuar në progresin që është arritur në Kosovë, veçanërisht në integrimin e përgjithshëm shoqëror dhe institucional. Në këtë drejtim ai ka nënvizuar se procesi i decentralizimit ka qenë forma adekuate që ka dhënë rezultatet e veta.

Në këtë prezantim, Petrovic është përgjigjur në pyetjet e parlamentarëve evropian që kishin të bëjnë me zhvillimet e gjithanshme, shoqërore, ekonomike, politike dhe demokratike në Kosovë.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›