E Shtunë, 31 Tetor 2026

Petrovic në Bruksel: Paketa Ahtisaari edhe në Veri

PRISHTINË-Duhet të krijohen parakushtet e nevojshme për implementimin e plotë të Paketës Ahtisaari edhe në veri të Kosovës, theksoi zv/kryeministri kosovar e ministër i Administrimit të Pushtetit Lokal, Slobodan Petrovic, gjatë qëndrimit në Bruksel, ku ka vazhduar me axhendën e takimeve me përfaqësues diplomatikë të akredituar dhe zyrtarë të lartë të Bashkimit Evropian.

Në takimin me Miroslav Lajcak, drejtor i përgjithshëm për Rusi, fqinjët lindorë dhe Ballkanin Perëndimor të Unionit Evropian, janë diskutuar çështje të rëndësishme që kanë të bëjnë me perspektivën evropiane të Kosovës, bëri të ditur sot zyra e shtypit e ministrisë kosovare.
Në këtë takim, Petrovic e ka informuar z. Lajçak me progresin që është arritur në Kosovë në implementimin e reformës së pushtetit lokal dhe përfshirjen e të gjitha komuniteteve të cilat kanë përfituar nga ky proces.

"Megjithatë, jo për mungesë të vullnetit të Qeverisë, por refuzimi nga grupe ekstreme ka bërë që ky proces nuk po mund të realizohet në veri të Kosovës", ka nënvizuar ai. Ministri Petrovic tha se "me ndihmën e komunitetit ndërkombëtar duhet të sigurojmë kushtet e nevojshme, që të organizojmë një ambient demokratik ku qytetarët do të vendosin për lidershipin e tyre në institucionet e vetëqeverisjes lokale dhe të krijohen parakushtet e nevojshme për implementimin e plotë të Paketës Ahtisaari, nga e cila pa dyshim do të përfitojnë të gjithë qytetarët që jetojnë në Kosovë, veçanërisht ata të veriut".
"Nga pikëpamja e Qeverisë, ne dëshirojmë më shumë investime dhe projekte kapitale në këtë rajon, dhe kemi kapacitete dhe vullnet për këtë, por situata e rënduar e sigurisë dhe mungesa e partneritetit po e pengon këtë”, ka thënë Petrovic. Ai ka shtuar se "është shumë e rëndësishme, që EULEX dhe KFOR të sigurojnë kushtet e nevojshme për punë dhe aktivitetet e institucioneve civile në komunat e veriut”.
"Progresi i arritur në jug është shembulli më i mirë se si mund të ecim përpara në zhvillimin e shoqërisë sonë, ne kemi këtë shans dhe duhet ta shfrytëzojmë", ka theksuar Petrovic.

Ministri Petrovic gjithashtu ka thënë se është shumë e rëndësishme që të fillojë zbatimi i marrëveshjeve të arritura si rezultat i dialogut të deritanishëm midis Prishtinës dhe Beogradit. "Kjo do të ndihmojë jo vetëm në lirinë e lëvizjes dhe qarkullimin e mallrave dhe njerëzve, por do të krijonte edhe një ambient të mirë për veprim politik e institucional për realizimin e projekteve tona institucionale", ka thënë zv/kryeministri e ministri Petrovic, një nga përfaqësuesit e komunitetit serb në institucionet e Kosovës.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›