E Shtunë, 31 Tetor 2026

Petroviq: Zgjidhja e problemeve në veri me dialog

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Sllobodan Petroviq, ka thënë për Kosovapress se vendosja e barrikadave nga serbët po e rëndon jetën e qytetarëve në veri të Kosovës, ndërsa ka kërkuar që zgjidhja e problemeve të bëhet përmes rrugës së dialogut.

Ai gjatë vizitës në SHBA është takuar me nënsekretarin e përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara për operacionet paqësore Herve Lasosu, të cilin e informoi lidhur me gjendjen aktuale në veri dhe kërkoi nga ai që OKB-ja të luajë rol më aktiv në procesin e decentralizimit.

“Në kuadër të gjetjes së zgjidhjes së krizës në veri, por edhe në përgjithësi për një jetë më të mirë në Kosovë, Kombet e Bashkuara të jenë partner në procesin e decentralizimit. Mendoj se në kuadër të këtij procesi mund të kërkojmë zgjidhjen për veriun, përkatësisht me formimin e komunës së re, ku qytetarët e Mitrovicës veriore do të kenë rastin të zgjedhin në mënyrë demokratike përfaqësuesit re saj dhe në këtë mënyrë të jenë partner të bashkësisë ndërkombëtare”, ka thënë ai.

Ndërkohë që serbët lokalë kanë vendosur tash e sa kohë barrikada në rrugët e veriut, zëvendëskryeministri Petroviq thotë se gjatë takimeve që kishte në Uashington dhe Nju Jork është shtruar nevoja për gjetjen e një zgjidhje përmes rrugës së dialogut.

“Barrikadat nuk janë mënyrë e duhur për zgjidhjen e problemeve dhe se kjo para se gjithash rëndon jetën e banorëve që jetojnë në veri të Kosovës. Gjithsesi, duhet një zgjidhje e cila do të ishte e arsyeshme dhe e cila do të çojë në largimin e barrikadave. Mendoj se zgjidhja e problemeve në veri duhet të kërkohet përmes bisedimeve dhe jo përmes presionit”, është shprehur ai.

Për më tepër, Petroviq ka theksuar se plani Ahtisari është zgjedhja më e mirë për Kosovën, dhe i cili ka krijuar besueshmëri dhe stabilitet për vendin dhe qytetarët.

Gjatë vizitës në SHBA, zëvendëskryeministri i Kosovës, njëherësh ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Sllobodan Petroviq u takua edhe me ambasadoren e përhershme të SHBA-ve në Kombet e Bashkuara, Rozmari Di Karlo, mbajti një ligjëratë në Universitetin e Kolumbias. Ai gjithashtu u takua edhe me përfaqësues të Misioneve Diplomatike nga Kina, Nigeria dhe Kolumbia. /kosovapress/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›