Rivaliteti Mustafa-Sejdiu, në rritje

Ndonëse nuk komunikojnë njëri me tjetrin, një zyrtar i lartë i kësaj partie i ka deklaruar gazetës në kushte anonimiteti, se gjithnjë e më shumë po shtohen zërat nga strukturat e partisë për nevojën e rikthimit të kryetarit të dikurshëm Fatmir Sejdiu në krye të LDK-së, pas dështimit të Isa Mustafës për ta reformuar partinë.
Ai ka thënë se kryetari i dikurshëm i LDK-së, Fatmir Sejdiu, po e përgatit terrenin për ta rimarrë fuqishëm postin e të parit në partinë që e kishte drejtuar disa vite me radhë. Sipas këtij zyrtari, në LDK kjo nuk është sekret, edhe pse zyrtarisht nuk e konfirmon askush.
Edhe vetë Sejdiu në një intervistë dhënë ditëve të fundit nuk e ka fshehur ambicien për t’u rikthyer në krye të LDK-së, pasi, siç është shprehur ai, një gjë e tillë po kërkohet nga degët.
“Kjo nuk do të thotë se jemi në përgatitje për ta ‘kallur’ shtëpinë, por sigurisht për të avancuar LDK-në”, ka thënë Sejdiu.
Lideri i dikurshëm i kësaj partie ka rrëfyer edhe për “ndërskamcat” që i janë bërë në eliminimin e tij nga skena politike, por edhe për “pazarllëqet” në Kuvendin e fundit Zgjedhor, ku ai pësoi humbje karshi rivalit të tij, Isa Mustafa.
Një zyrtar i lartë i LDK-së ka adresuar kritika ndaj Isa Mustafës, duke thënë se kryetari i LDK-së po e shkatërron partinë. Sipas këtij burimi, komunikimi ndërmjet Mustafës dhe Sejdiut nuk ekziston fare.
Madje, ai ka treguar se Sejdiu, edhe pse është anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të partisë, nuk ftohet nëpër mbledhje, ndonëse merr pjesë si anëtar i paftuar.
Në anën tjetër, Haki Rugova, nënkryetar i LDK-së, i ka hedhur poshtë këto deklarime duke thënë se “Sejdiu ftohet sikurse secili anëtar tjetër i Këshillit të Përgjithshëm dhe merr pjesë nëpër takime”.
Megjithatë, Rugova nuk ka mundur të deklarohet nëse Mustafa dhe Sejdiu komunikojnë njëri me tjetrin. /zeri/