Pezull
Duket sikur kemi një jetë të tërë që po flasim për të kaluarën. Në fakt, nuk është kështu. Kështu mund t’u ndodhë vetëm atyre që kanë kaluar vetë nëpër labirintet e vuajtjeve komuniste, atyre që e kanë ndjerë të keqen t’u rrëmbente lirinë, gëzimin, jetën. Ka mes këtyre njerëzve nga ata që vërtet janë të dedikuar të rrëfejnë deri në fund të jetës së tyre krimet e sistemit që lamë pas, ka nga ata që janë lodhur duke e bërë këtë dhe të tjerë që akoma shpresojnë se do të bëjnë diçka E, megjithatë, me gjithë respektin për të gjithë ata që përpiqen të rrëfejnë, mendoj se të gjithë shqiptarët duhet të vuajmë nga një peng i madh: sa pak kemi folur, sa pak kemi menduar, sa pak ndiejmë, sa të lodhur jemi për të kuptuar dhe njohur vuajtjet e shumë shqiptarëve që u sfilitën nëpër burgjet më të egra, më antinjerëzore që kishte Europa Lindore pas Luftës së Dytë Botërore.
Sa herë flitet për të kaluarën, personalisht ndodhem në pozicionin e njeriut që ndjehet edhe mirë, edhe keq. Mirë – se të paktën vazhdojnë të rrëfehen ngjarje dhe histori të cilat duhet t’i dijnë të gjithë dhe veçanërisht të rinjtë, se vërtet mund të kemi ndonjë shpresë dhe pak guxim që të bëjmë atë që shumë vende të botës e kanë bërë me vullnet të sinqertë: rishikimin e historisë së tyre të gabuar. Keq, sepse megjithëse kam bindjen e palëkundur se e kaluara komuniste e Shqipërisë duhet të zbulohet me të gjitha detajet e saj dhe ne të fillojmë procesin e pastrimit, jam e paaftë dhe e pafuqishme për ta ndryshuar këtë gjë, e cila gjithmonë e më shumë po shkon fatkeqësisht në kah të kundërt të dëshirës sime dhe të shumë shqiptarëve të tjerë.
Historia e Rukie Ramës, e sapobotuar të “Panorama”, më bëri edhe një herë të revoltohem. Në këtë rast revolta është e shumëfishtë.
Së pari, duke kujtuar dhe rindërtuar me mendje atë kohe, e cila qëndron për shumë moshatarë të mi, për të tjerë më të rritur dhe për të tjerë më të rinj në mes të jetëve tona personale dhe realitetit të tanishëm. Na është dukur se kemi shpëtuar nga ajo e keqe, në fakt gabojmë. E mbartim në mënyrën e keqngarkuar emocionalisht, mbi të cilën kemi ndërtuar marrëdhënien tonë, e mbartim në pasiguritë e shumta që shfaqim në aspektin politik e shoqëror, në komplekset që kemi ndaj të huajve dhe fqinjëve, në mosmirënjohjen dhe lodhjen tonë, në dyshimet dhe mundimet që hasim për të qenë konform me sistemin e ri politik. Sigurisht, nuk mund ta ndërtojmë kapitalizmin social dhe demokratik që duam mbi kufomën e komunizmit që akoma nuk e kemi groposur dhe s’i kemi bërë funeralin. Bëjmë ceremoni zhvarrimesh dhe kujtojmë se kemi lehtësuar shpirtin. Në fakt, është më keq akoma, sepse e dimë shumë mirë se ka me dhjetëra dhe qindra ish-të burgosur dhe të përndjekur që nuk janë lehtësuar aspak nga sistemi i ri që gjoja punon për ta, ka me dhjetëra të tjerë që nuk janë dëmshpërblyer, apo ndodh që ky dëmshpërblim u lëshohet si lëmoshë te këmbët, ka nga ata të shumtë që nuk e rimarrin, pale ta gëzojnë dot pronën e rrëmbyer me force nga sistemi komunist.
Së dyti, duket sikur këto histori, me gjithë emocionin e fortë që të krijojnë, janë një rrëfim pa përgjigje. Ndër herët e rralla që bëhem kurioze të shoh komentet pas shkrimit në internet dhe në rastin e intervistës së Rukie Rames, ato ishin disa. Natyrisht, jo më shumë se ato për analizat politike. Ajo që të bie në sy është se reagimi i njerëzve tashmë është i heshtur, i qetë, madje ka nga ata që vetëm shprehen “sa gjynah!”. Sigurisht, reagimet emocionale janë të rëndësishme, por a janë të mjaftueshme tani pas 20 vjetësh për të ndihmuar kauzën e rishikimit të historisë? Është e vështirë të thuhet kjo sepse, me sa duket, shqiptarët e kanë humbur besimin se kjo gjë mund të ndodhë. Lojërat e shumta që janë bërë duke luajtur kartën e lustracionit apo hapjes së dosjeve, sikur i tallin njerëzit dhe kryesisht ata që kanë vuajtur. Dhe kjo është arsyeja që shumë shqiptarë nuk kanë dëshirë t’u kthehen kujtimeve të së kaluarës sepse e ndiejnë veten të paaftë të ndryshojnë sadopak realitetin. Vetvetiu, këta njerëz i largohen vendit, fëmijët e tyre gjithashtu. E, në këtë rast, është vetë vendi që i shtyn larg banorët e vet
Së treti, ajo që të bën përshtypje në rrëfimet e botuara është se si funksionojmë ne si shtet për t’iu përgjigjur institucionalisht situatave të tilla. Jo gjithmonë, por ama shpeshherë historitë e botuara kanë pasur emra njerëzish konkretë. Asnjëherë, asgjë nuk është parë nën këtë këndvështrim, ashtu siç do ta shihte p.sh. një gjerman/shteti gjerman bashkëpunimin me STAS-in apo kryerjen e një krimi nga një tjetër gjerman. Për ironi, në kundërshtim me këtë njerëzit bëjnë humor të zi duke qenë të bindur se ata që kryen krimet janë diku nëpër poste të larta, apo nëpër ambasada të huaja jashtë vendit. Nuk ka asnjë institucion shqiptar që të merret seriozisht dhe konkretisht me personat e inkriminuar në të kaluarën. Pavarësisht se Shqipëria s’ka ligje të tilla, nuk ka as edhe një përpjekje nga qeveritë për t’u kujdesur që persekutuesi i dikurshëm të mos jetë drejtor apo ministër i të persekutuarit të dikurshem (ky i fundit në këtë skemë të re mbetet ende i tillë)
Së fundi, në mënyrë qesharake e duke vazhduar të tallemi me veten, ne flasim për një histori tragjike me vrasje, tortura, kriminelë dhe fajtorë, të cilët janë veçse virtualë. Askush nuk ka emër, edhe ai që ka i harrohet shpejt, sepse kjo tashmë është një temë për të cilën nuk interesohet askush. Në këtë realitet virtual që i kemi krijuar vetes lodhemi duke urryer, duke kujtuar, duke bërë plane për t’u hakmarrë, por gjithsesi, realiteti mbetet abstrakt. Amnezia vepron duke na mbajtur pezull për të gjykuar dhe marrë vendime mbi persona konkretë apo ngjarje konkrete. Kështu mbetemi vetëm lexues të thjeshtë, apo shkrues të thjeshtë
Për t’iu rikthyer historisë së Rukie Ramës. Është një histori jo si shumë të tjera. Nëse ne do të ishim një shoqëri e shëndoshë demokratike që e duam veten, vendin, njëri-tjetrin, Rukia duhej të ishte një nga shqiptaret e njohura mirë nga brezi i të vegjëlve dhe i të rinjve, një njeri që e meriton respektin dhe dashurinë e qytetit të saj, historia e saj duhej të ishte futur në curriculat e shkollave fillore dhe me tutje. Ajo do të ishte e obliguar ta tregonte dhe ritregonte historinë e saj – kjo do të ishte një detyrë përpara shoqërisë. Është ende ky një qëllim që duhet ta konsiderojmë. Sa më shumë kalon koha, aq më shumë i mbetemi vetes borxh dhe do të na merren këmbët duke u “penguar” në skeletin e pavarrosur të komunizmit.
