E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sensi i humbur i masës

Tirana do të ketë një super-parlament të ri. Aktorët kryesorë politikë e kanë dhënë miratimin, procedurat teknike janë të gat-hme, pengesa e Bashkisë u rrëzua me vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe financimi është gjetur. Detajet e tjera nuk kanë rëndësi sepse vendimi është marrë, - parlamenti vetëm sa do ta formalizojë atë. Në raste të tilla, natyrshëm lindin debate për një sërë çështjesh. E para, nëse Tirana ka nevojë për një parlament të ri. E dyta, nëse ndërtimi i parlamentit është prioritet në axhendën politike e qytetare. E treta, nëse vendimi i marrë përputhet me vetë vizionin urbanistik dhe social të kryeqytetit, dhe e fundit, e më kryesorja: Kush i merr vendimet më të rëndësishme financiare në një demokraci?
Për të respektuar memorien tonë publike, le të shohim historinë tonë të parlamentarizmit. Më 1912-ën, jeta parlamentare simbolikisht dhe përkohësisht lindi në Vlorë, sot prej saj ruajmë vetëm memorien e shkruar, vendimet dhe listën e pjesëmarrësve. Në 1920-ën, në Lushnjë u mblodhën seancat e para parlamentare, ku u vendos edhe zhvendosja në Tiranë. Sot në Lushnjë nuk kemi asnjë kujtim memorial të parlamentarizmit, përveç simbolikës së ndërtesës së Kongresit. Në Tiranë, parlamenti i ri u mblodh në një nga ndërtesat e vetme funksionale që sot nuk ekziston më. Vite më vonë u ndërtua parlamenti i ri aty ku sot ndodhet Teatri i Kukullave. Regjimi komunist e zhvendosi parlamentin në sallën e AAB dhe vite më vonë krijoi atë që sot njihet si ndërtesa e parlamentit, ngjitur me Akademinë e Shkencave.
Më 1991 parlamenti iu përshtat sistemit të ri politik, u bënë ndërhyrje teknike dhe organizative, të cilat u përsëriten më 1997 dhe 2003. Pas rotacionit të parë të pushtetit më 2006 u bënë ndryshime drastike në sallën dhe mjediset parlamentare, u krijuan grupe pune, u bënë konkurse dhe në fund u shpall një projekt fitues për zgjerim të kapaciteteve dhe hapësirave parlamentare, aty ku sot ndodhet kryesia e Kuvendit. Kur pritej zbatimi i këtij projekti të paraqitur atëkohë si “arritje historike”, vëmendja u rikthye tek ndërtesat ekzistuese dhe pak vite më pas u zbatua një projekt i ri parlamentar, (sallë e re seancash, kushte komode pune, salla me pajisje teknologjike etj) me një vlerë gati një milion dollarë.
Gjatë këtyre dy dekadave në parlament janë investuar (direkt ose përmes programeve të ndryshme të asistencës) më shumë se 1.5 milion euro pajisje dhe salla, mjete dixhitale dhe aparatura moderne. Të gjitha këto investime janë konsideruar një sukses dhe arritje e madhe, dhe natyrshëm kanë pasur një kosto të lartë financiare me ndikim në buxhetin shtetëror dhe taksat që ne paguajmë. Por vitin e fundit, duket se ideja e një parlamenti krejt të ri dhe supermodern la në hije bilancet financiare të së kaluarës së afërt. Pas një konkursi të shpejtë u miratua projekti i ri, u bë lobingu për financimin dhe aktualisht ndodhemi në fazën përmbyllëse të përgatitjeve për fillimin e ndërtimit.
Parlamenti i ri është konsideruar prej iniciatorëve të tij si “arritje e shekullit”, “parlament i denjë” dhe “simbol për demokracinë”. Askush nuk përmend koston, por parlamenti pranoi se rreth 100 milion euro janë siguruar tashmë nga Arabia Saudite. Pra, një vend mik, por ç’është e verteta edhe një ndër të vetmet në botë pa demokraci dhe parlamentarizëm konkurrues, do të financojë e realizojë “simbolin tonë të demokracisë”.
Pyetja kryesore është: A është salla dhe ndërtesa aktuale parlamentare pengesë për normalitetin demokratik parlamentar apo janë mentalitetet dhe sjelljet politike të aktorëve përbërës, të cilët do të jenë të njëjtë edhe në sallën/ndërtesën e re? Vetë parlamenti thotë se jo. Sepse nuk ka dyshim në faktin se ndërtesat aktuale parlamentare dhe pajisjet e tyre janë moderne dhe të mjaftueshme për aktivitet normal parlamentar. Atëherë, a do të ndihmojë ndërtesa e re luksoze maturimin e politikës dhe jetës parlamentare apo do të kemi zhvendosje të imazheve negative nga ndërtesa (e vjetër) në ndërtesën e re? Dhe më kryesorja: A ia vlen ky investim kolosal për parlamentin, a është ai një institucion qendror i jetës politike apo një tribunë ku politika shfaq pa rezervë aftësitë e saj konfliktuale? Çdo qytetar në këtë vend e pranon se parlamenti ka nevojë për ndryshime, - jo në formë, ndërtesë e vendosje, por në thelbin e vet, - në mënyrën e zhvillimit të jetës parlamentare.
Në 100 vjet shtet parlamenti më elitar mbetet ai i vitit 1921-1924, të gjithë mbajmë mend e krenohemi me debatet, efektivitetin dhe personalitetet përbërës të tij, por pakkush interesohet apo mban mend sallën e mbledhjeve, numrin e karrigeve, nivelin e luksit apo fasadën e jashtme të parlamentit. E njëjta logjikë vlen edhe në rastin aktual. Kërkojmë fasadë e kushte më moderne, por bëhet pak për të modernizuar vetë politikën. P.sh, që kur u hodh ideja e parlamentit të ri, nuk kemi pasur ende një javë të vetme në të cilën aktiviteti parlamentar aktual të ketë funksionuar siç duhet; kemi pasur bojkot dhe incidente, përjashtime dhe skandale, akte dhune dhe sjellje të padenja publike, - pra gjithçka që të bën të dyshosh mbi meritokracinë dhe efektivitetin parlamentar në Shqipëri. Fakt është gjithashtu se asnjë prej krizave politike shqiptare 1990-2011 nuk është zgjidhur në parlament, asnjë komision hetimor parlamentar nuk ka pasur sukses, asnjë mocion besimi e mosbesimi nuk ka sjellë ndryshime në qeverisje, asnjëherë parlamenti nuk ka arritur të ushtrojë funksionin themelor të tij, - kontrollin e ekzekutivit dhe për shkak të sistemit zgjedhor e politik, - në çdo rast parlamenti ka qenë e mbetet shtojcë e pushtetit ekzekutiv të partisë ose koalicionit të radhës në pushtet.
Tregues tjetër kritik është mbështetja dhe perceptimi publik. Për shkak të këtij imazhi jopozitiv, nuk ndodh asnjëherë të kemi interesa të shprehura qytetare për t’iu adresuar parlamentit për zgjidhjen e problemeve dhe simbolikisht as kërkesa qytetare për vizita e prezencë fizike në parlament. Sa herë shohim qytetarë e vizitorë në parlament e dimë se ata janë urdhëruar të jenë aty për të shërbyes si fasadë të aktiviteteve politike të radhës, jo si zgjedhje e tyre personale për të përjetuar diçka nga “madhështia” e parlamentarizmit tonë. Ndërkohë, në sondazhet e kryerja periodike parlamenti konsiderohet institucion shumë më pak i besuar publik sesa pjesa më e madhe e institucioneve kushtetuese, një zhvillim i njëjtë rajonal, jo vetëm për Shqipërinë. Kjo panoramë kritike na tregon se prioritet i parlamentarizmit do të duhej të ishte vetë jeta parlamentare, rishikimi i cilësisë së punës dhe përfaqësimit, jo pjesa materiale dhe infrastrukturore e tij.
Për ndërtimin e parlamentit të ri do të prishet ndërtesa e QNK, e njohur si Piramida. Nuk jam nga ata që ndjejnë keqardhje për këtë, por futem tek ata që nuk e kuptojnë mbi çfarë logjike financiare u investuan miliona euro në rikonstruksionin e piramidës, dhe pa parë frytet e tyre, i hedhim në erë për të groposur aty edhe 100-120 miliona euro të tjera. A jemi ne qytetarët taksapagues kaq të pasur sa t’ia lejojmë vetes që taksat tona të keqpërdoren në këtë formë kaq brutale dhe abuzuese? Apo motivi ideologjik (të djathtët pro parlamentit, të majtët pro piramidës) përbën bazën e mendimit dhe reagimit të sotëm qytetar edhe kur flasim për taksat, transparencën, sensin e masës dhe prioritetet?
Nuk njoh ndonjë vend tjetër demokratik në botë, në të cilin qytetarëve iu merren nga taksat e tyre brenda një dekade më shumë se 150 milionë euro vetëm e vetëm për të zbatuar një ide fikse të dikujt për një parlament “të denjë”, “simbol të demokracisë”, pa pasur konsultim me qytetarët (referendum), pa pasur transparencë me qytetarët (zbardhje të kostove të vjetra e të reja), pa marrë në konsideratë kërkesat e qytetarëve (pyetësorë nëse duan një parlament të ri apo 100 shkolla të reja). Kjo është thelbësore për Tiranën qytetare, kryeqyteti i vetëm në Europën e Bashkuar ku lajm i ditës vijon të jetë mbyllja e shkollave tradicionale dhe mësimi me dy turne për shkak se nuk ka para për shkolla të reja. Është luks për një qytet të investojë mbi 100 milionë euro për një parlament të ri ndërkohë që nuk gjen në buxhetin e tij as 1 milion euro për një shkollë të re, 100 mijë euro për një kopsht të ri apo 50 mijë euro për sallë ku mësohet muzikë, pikturë apo koreografi. Fëmijët tanë kanë nevojë për çerdhe, kopshte, klasa, shkolla, libra dhe jo për improvizime amatoreske si ato të vizitave “të papritura” 3-4 herë në vit në sallën e deputetëve në parlament.
Për shkak të buxhetit të kufizuar në spitalet tona mungojnë ilaçet bazë për të sëmurët, në shkollat apo kopshtet tona nuk ka sistem ngrohje, në rrugët tona gjenden dhjetëra fëmijë që kërkojnë lëmoshë, në rrugët tona gjenden dhjetëra të sëmurë mendorë që nuk mund të trajtohen nga kapacitetet e kufizuara shtetërore, etj. Shkurtimet në buxhet po imponojnë situata antikushtetuese (p.sh, detyrimi për të punuar falas në fundjavë apo jashtë orarit zyrtar të punës, detyrimi për të mos zbatuar pagesat në kontratat e punës së kryer, detyrimi për të mos përmbushur detyrat zyrtare siç janë partneriteti në aktivitete ndërkombëtare, etj), kurse për të krijuar një ishull luksi parlamentar në Tiranë, vendin e dytë më të varfër në Europë, ka e teprojnë lekë, pa e vrarë mendjen për argumente dhe llogari, pa balancë midis arsyes dhe emocionit, midis egos personale dhe përgjegjësisë publike.
Ky rast nxjerr në pah diferencën e thellë midis politikës dhe qytetarit, axhendës politike dhe axhendës qytetare, prioriteteve politike dhe atyre qytetare. Ai është tregues i humbjes së sensit të masës, i asaj se ku ndodhet kufiri moral midis asaj që lejohet dhe nuk lejohet në një shoqëri demokratike, midis jetës reale dhe virtuale, vlerave dhe parimeve që premtohen në fushata elektorale dhe atyre të cilat në fakt udhëheqin vendimmarrësit në zyrat e larta të politikës. Në aspektin afatgjatë ky mbetet leksioni më i keq që parlamenti shqiptar u jep qytetarëve, një mesazh negativ për brezin e ri dhe të gjithë ata që besojnë sadopak te sensi qytetar i “tempullit të demokracisë”.
Në thelb, ky mbetet edhe shqetësimi i vetëm dhe kryesor, - një sëmundje periodike tranzicioni e politikës sonë, e cila nëse nuk shërohet në kokë dhe zemër, (mentalitet, ndjesi e sjellje), nuk mund të ketë kurrsesi shansin të shërohet nga retorika patriotike e 100-vjetorit të shtetit shqiptar dhe as nga imitime të “pallatit të popullit” rumun, fasada superluksoze të financuara nga xhepat tanë dhe kreditë arabike.
* Mendimet e shprehura nga autori janë personale.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›