Pezullimi i institucioneve paralele në Kosovë, kusht për Beogradin?
Nuk ekzistojnë ultimatume të cilat Serbia duhet t’i përmbushë për të marrë datën e fillimit të negociatave për në BE, por mund të paraqiten pengesa të caktuara në kërkesën e disa vendeve që të zvogëlohet ndikimi i Serbisë në veri të Kosovës nëpërmjet pezullimit të disa nga institucionet që i financon ajo.
Kështu ka thënë për gazetën “Danas”, Bozhidar Gjeliç, anëtar i Kryesisë së PD të Boris Tadiçit dhe ish-zëvendëskryeministër, duke folur rreth mundësisë së kushteve shtesë për Serbinë për të marrë datën e negociatave për anëtarësim në BE .
Sa u përket strukturave paralele serbe në Kosovë, Gjeliç thotë se për Serbinë “ato nuk janë institucione paralele, por të vetmet kushtetuese në veri të Kosovës”, dhe se me pezullimin e tyre mund të ndodhë eksod.
Sipas Gjeliçit, pritet që Gjermania si dhe disa vende të tjera, të kërkojnë përgjigje bashkë me Serbinë rreth kësaj çështjeje. “Duhet të sigurojmë që këto kushte eventuale sa më parë të shtrohen, e zeza në të bardhë. Nëse jo në samitin e qershorit të BE-së, atëherë në atë të shtatorit”, thotë Gjeliç, i cili beson se kjo pengesë nuk do të jetë e pakapërcyeshme, por Beogradi duhet të dialogojë dhe të gjejë kompromis me komunitetin ndërkombëtar. / Kosova.com