E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pezullohet Leaou zu me grushtame gazetarët

SALVADOR- Ish-portieri dhe tekniku i kombëtares braziliane dhe aktualisht trajner i Goiasit, Emerson Leao ka marrë një dënim provizor prej 30 ditësh për sulmin ndaj gazetarëve në ndeshjen ndaj Vitorias pak ditë më parë. Leao, tashmë në moshën 61 vjeçare, nuk i ka përmbajtur nervat në fund të takimit, duke sulmuar 3 gazetarë që ishin duke bërë intervista.

Menjëherë në sherr janë futur edhe tre futbollistë të Goiasit, të cilët kanë thyer radiot dhe aparaturat e gazetarëve, duke shkaktuar një skandal të vërtetë.

Sulmuesi Rafael Moura dhe mesfushori Romerito janë pezulluar për një muaj nga Gjykata më e lartë disiplinare e Brazilit dhe do të humbasin 7 ndeshje të skuadrës së tyre.

Ngjarja e ndodhur në qytetin e Salvadorit ka qenë një reklamë e shëmtuar për futbollin brazilian, teksa pamjet treguan Mourën duke i thyer radion me grusht një reporteri. Megjithëse në moshën 61 vjeçare, trajneri Emerson Leao ka qenë protagonisti kryesor i sherrit, duke u çuar më pas në rajonin e policisë për të dhënë shpjegime. Leao ka qenë portier i Brazilit në Botërorët 1974 dhe 1978, ndërsa në vitet 2000-2001 ka qenë trajner i ekipit kombëtar.
(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›