Sinan Tafaj: “Ndëshkimi i fundit i qeverisë për personat me aftësi të kufizuar”
Avushe Zhuka
Qeveria ndëshkon personat me aftësi të kufizuar duke ulur masën e përfitimit të pagesës. Këshilli Kombëtar i Personave më Aftësi të Kufizuar reagon ndaj vendimit të qeverisë, i cili bën që masa e përfituar të mos llogaritet më në bazë të pensionit minimal në qytet, por në bazë të indeksimit të çmimeve të konsumit. Personat me aftësi të kufizuar e kanë kundërshtuar ashpër vendimin e qeverisë, e cila sipas tyre ka gjetur një mënyrë për të ndaluar rritjen e masës së përfitimit. “Nuk është marrë aspak mendimi ynë, lidhur me këtë vendim. Ky vendim ul masën e përfitimit të pagesës së aftësisë së kufizuar”-shprehet Sinan Tafaj, kryetari i Këshillit Kombëtar i personave me Aftësi të Kufizuar. Tafaj shprehet se me këtë vendim qeveria pengon rritjen e masës së përftimit në rastet kur rritet pagesa. Sipas Tafajt
përfaqësuesit e të gjitha shoqatave të personave me aftësi të kufizuar kanë qenë kundër miratimit të këtij ligji, gjë që e kanë deklaruar herë pas herë. Madje qeveria kishte premtuar se do dëgjonte edhe palët e interesuara, gjë që në fakt nuk ka ndodhur. Nëse më parë masa e përfitimit rritej sa herë që rritej pensioni tashmë kjo nuk do të ndodh më. Vendimi i qeverisë, i cili përcakton që masa e përftimit të llogaritet në bazë të indeksimit të çmimeve të konsumit bën që masa e përfitimit të ndryshoj, duke u ndalur në vend ndërkohë që pagesa mund të rritet.
Vendimi
Qeveria ndryshoi një javë më parë masën e përfitimeve të pagesës për personat me aftësi të kufizuar, të verbrit, invalidët paraplegjik dhe tetraplegjik. Në bazë të vendimit të qeverisë ritmi i rritjes së pagës nuk do jetë më sa masa e pensionit minimal në qytet por do të bëhet në bazë të indeksimit të çmimeve të konsumit. Nga këto ndryshime në fakt nuk përfitojnë, por preken personat me aftësi të kufizuar të kategorive, paraplegjik dhe teraplegjik, si dhe të verbrit. “Ne në fakt i kemi bërë disa kërkesa qeverisë të cilat shpresojmë se do të merren parasysh, ku përfshihet edhe përfitimi i masës së aftësisë së kufizuar” thotë Tafaj. Kërkesa e bërë nga Këshilli Kombëtar i Personave me Aftësi të Kufizuar është që masa e pagesës së aftësisë së kufizuar të përshkallëzohet sipas nivelit të pasojave që duhen kompensuar për shkak të këtij kufizimi. ”Ne kërkojmë që të veprojë mekanizmi ligjor, në mënyrë që rritja e pagesës së aftësisë së kufizuar të mos mbetet e fiksuar”-thotë kryetari i Këshillit, Sinan Tafaj. Edhe pagesa e aftësisë së kufizuar të ketë si pikë referimi njërën ndër pagesat thelbësore dhe të qëndrueshme të përdorura ligjërisht në Shqipëri që shprehin standardin ekonomik aktual dhe që kanë një mekanizëm ligjor të rritjes.
Kërkesat
Kërkesa e Këshillit Kombëtar të Personave me Aftësi të Kufizuar drejtuar qeverisë mbi mbrojtjen, përcaktimin dhe rritjen e pagesës së aftësisë së kufizuar përmban 4 pika. Kërkesa është firmosur nga shoqata e të Verbërve të Shqipërisë, Shoqata e Invalidëve të Punës të Shqipërisë, Shoqata Humanitare e Invalidëve Paraplegjikë dhe Tetraplegjikë, Shoqata Kombëtare në Ndihmë të Handikapeve Mendore dhe Organizata Kombëtare e Njerëzve që Nuk Dëgjojnë. Një ndër kërkesat e Këshillit është që aftësia e kufizuar të përshkallëzohet në disa nivele mbi bazën e kritereve mjekësore, sociale dhe rrethanave të ambientit të njohura nga vendet perëndimore ose nga OBSH. Një kërkesë tjetër e shoqatave që mbrojnë të drejtat e personave me aftësi të kufizuar është dallimi i pagesës së aftësisë së kufizuar nga pagesa e paaftësisë në punë. Sipas Sinan Tafajt, pagesa për aftësinë e kufizuar duhet të jepet si pagesë kompensuese për pamundësinë e ushtrimit të funksioneve vitale. Ajo duhet të jepet për njerëzit me probleme, shqisore dhe motorike ku përfshihen personat që kanë probleme lëvizjeje. “Ka shumë njerëz të paaftë për të punuar dhe kjo kategori duhet mbështetur financiarisht nga qeveria, por këta persona duhen trajtuar me pagesë për paaftësi në punë dhe duhet të marrin një pagesë jokontributive, ndryshe nga personat me pamundësinë e ushtrimit të funksionit” thotë Tafaj. Duhen përjashtuar nga pagesat e personave me aftësi të kufizuar, personat e paaftë për punë.
30 Korrik 2010