Mbush 50 vjeç simboli i paqes
Shenja e famshme, që nuk trembet e as dorëzohet përballë idiotësisë së luftës, simboli që terrorizon luftëtarët, prepotentët, komisarët e gjeneralët, mbush plot 50 vjeç dhe akoma nuk është lodhur së luftuari. Simboli i njohur nga të gjithë ka lindur një të premte të shenjtë, si ajo e djeshmja, në ditën që përkujton sakrificën e një mesazhieri të panjohur të paqes, por nuk kish lindur në Shtetet e Bashkuara, pavarësisht se ishin ato që ia imponuan tërë botës. Shenja simbol i paqes, rrethi i famshëm, lindi në Londër, në sheshin Trafalgar, në marshimin e mbi 50 mijë personave të organizuar në 1958-ën nga pacifistët anglezë, të cilët protestonin kundër riarmatimit bërthamor të Britanisë. Si një "fëmijë" e një fuqie të deteve, ishte thuajse e natyrshme që ai simbol të inspirohej grafikisht nga sinjalet detare, që përdornin anijet para se të viheshin në përdorim metodat e reja të komunikimit, mesazhet në kodin Mors, radiot apo lidhjet satelitore. Shkronja "V" e përmbysur, që qëndron në bazë të emblemës, është në të vërtetë shkronja "N" në sinjalistikën detare, iniciali i "Nuklear" dhe linja heretike vertikale do të thotë "D", për çarmatim. Pra, figura e plotë do të thotë thjesht "Çarmatim bërthamor". Sipas BBC-së, shenja është krijuar nga një grafist i quajtur Gerard Holton, i cili i kishte bindur organizatorët e marshimit të 50 mijë njerëzve se ishte e domosdoshme një logo, një markë, një simbol që të mbetej në kujtesë. Mendoi për një variacion me temë nga kryqi kristian, por kjo iu duk e ezauruar dhe jo domosdoshmërisht e lidhur me paqen në shekujt e errët të lënë pas. Në fund, u ndal te kombinimi i këtyre dy sinjaleve detarë, për t‘i thënë "jo bombës" dhe po "çarmatimit bërthamor". As vetë ai nuk do ta kishte menduar se ai simbol do të bëhej i lexueshëm menjëherë dhe do të njihej në çdo skaj të globit.