E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pharmakon, mbi dy orë mes pyllit dhe betonit

Klevis Bega (Kastro Ziso) në rolin e Brankos dhe Olta Gixhari në rolin e Sarës, në filmin Pharmakon

U shfaq dje për mediat filmi i regjisorit Joni Shanaj.

Regjisori nuk i shpëton dot shumësisë së temave të trajtuara në filmin e tij.

Dje u shfaq për mediat filmi Pharmakon i regjisorit të ri Joni Shanaj. I quajtur Pharmakon, jo vetëm sepse personazhi kryesor Branko është farmacist, jo vetëm sepse i ati është përfshirë në kontrabandën e ilaçeve, por ndoshta edhe për shkak të atij farmakut që i injektohet të rinjve çdo ditë në një ambient mbytës, ku mungon komunikimi.
Me pak fjalë, filmi flet për një të ri (Klevis Bega-Kastro Ziso) që punon në farmacinë e të atit (Niko Kanxheri), mjek i njohur, që e shfrytëzon farmacinë për të mbuluar pazaret e tij. Dashurohet me një studente-infermiere të re, Sarën (Olta Gixhari), që njëkohësisht është edhe e dashura e të atit. Sigurisht pazaret e të atit dhe lidhjen e tij dashurore, Branko (sipas regjisorit i quajtur kështu për nder të Branko Merxhanit) i kupton gjatë rrugës. Për të na e thënë këtë, Joni Shanajt, regjisor dhe skenarist i filmit, i janë dashur plot 2 orë e 10 minuta film. I gjithë boshti i filmit është marrëdhënia mes djalit dhe të atit dhe kjo në 140 minuta jepet përmes një dialogu të rrallë dhe shëtitjeve të gjata të Brankos nga Kodrat e Tiranës, mes gjelbërimit, që ende nuk është ngrënë prej betonit apo hipje-zbritjeve të lodhshme nga njëri apartament në tjetrin, teksa kërkojnë mundësi investimi, shoqëruar këto me raunde natyrore. Sipas Shanajt, mungesa e dialogut

Niko Kanxheri në rolin e doktor Sokratit

dhe pauzat e gjata tregojnë mungesën e komunikimit mes brezave, megjithatë idenë e tij mund ta kishte shpërfaqur edhe në një kohë më të ngjeshur, pa pasur nevojën e përsëritjes së herëpashershme të të njëjtave situata. Është e qartë se një nga shqetësimet e autorit është betonizimi i Tiranës dhe jo më kot ka zgjedhur një zonë shumë të lakmuar nga ndërtuesit, ku pallatet i marrin frymën njëri-tjetrit, por fill aty shtrihet kopshti zoologjik, ashtu i pambajtur, i mbytur nga shkurrnajat, me ca kafshë të stresuara brenda kafazeve me pllaka majolike. Edhe ky kontrast beton-gjelbërim mund të ishte dhënë me plane më të kursyera. Gjithë këtyre ecejakeve të vazhdueshme i shtohen edhe ca skena nëpër sauna e pishina (ku Branko e Sara marrin edhe rojën e pallatit dhe një djalë lypës), thua se personazhet nuk ka asgjë tjetër çti shqetësojë. Kjo bën që filmit ti mungojë ritmi.

Linjat
Jo rrallë regjisorët shqiptarë tregohen makutër për të rrokur në filmat e tyre sa më shumë problematika dhe ndonjëherë duket sikur një personazhi i kanë rënë të gjitha hallet e botës mbi kokë. Skenaristi dhe regjisori Joni Shanaj pretendon të mos shpërndahet në linja, megjithatë nuk i shpëton dot kësaj manie dhe në të njëjtin film ne gjejmë të trajtuara problemin e krizës në sistemin tonë shëndetësor, korrupsionin, trafikun e barnave, mungesën e komunikimit

Vasil Goda në rolin e rojes Sherif dhe Olta Gixhari

mes brezave, shitjen e trupit në këmbim të një favori, krizën që kalon brezi i ri, në kërkim të vetes. Nëse marrim rastin e Sarës, ajo është studente, infermiere, vajza e një nëne të sëmurë dhe e dashura e mjekut, por edhe e djalit të këtij të fundit. Për nënën e saj të sëmurë vetëm flitet, ashtu si edhe pacientë të tjerë të dr. Sokratit. Ajo nuk del kurrë në skenë, por në një farë mënyre është fija lidhëse e gjithçkaje që ndodh. Dhe kur ajo vdes, nuk ka kuptim të vazhdojë më asgjë. Kjo është edhe gjetje e regjisorit, i cili nuk shpërndan edhe më vëmendjen dhe kursen dozat e keqardhjes.
Eros i përmbajtur
Deri në momentin e shfaqjes së filmit është folur shumë për skenat e nxehta erotike mes Kastro Zisos dhe Olta Gixharit. Në fakt, këto skena filmi i ka të kursyera dhe më së shumti nënkuptohen. Në skenën e parë, që konsumohet gjatë një seance balte në një qendër estetike, regjisori është treguar i kujdesshëm që shikuesi të mos ndiejë neveri. Ajo skenë është konceptuar në kuadrin e një etydi erotik, ndërsa balta me shumë gjasë është simboli i llumit në të cilin vajza ndien se ka rënë. Skena e dytë, në shtëpinë në plazh, e shoqëruar me një fjalor, të cilin ne rëndom e emërtojmë të pistë, mund të përkthehet si një lloj impotence e personazhit për të ndryshuar realitetin, të cilin ai e njeh, por dëshiron të besojë të kundërtën.

Financimi
Pas shfaqjes së filmit, stafi realizues zhvilloi një konferencë për shtyp, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve të pranishëm. I pyetur për buxhetin e filmit, regjisori u përgjigj se ai është xhiruar thuajse falas dhe se është një nga filmat e xhiruar me më pak lekë. Me gjithë ngurrimin për të treguar shifra, producenti i tij, regjisori dhe aktori Mevlan Shanaj bëri me dije se filmi është financuar në masën 24 milionë lekë (të rinj) nga Qendra Kombëtare Kinematografike dhe 2.5 milionë lekë nga RTSH. Pjesa tjetër është siguruar nga të tjera burime. Pra, ky film i ka kushtuar shtetit 26,5 milionë lekë dhe përfshinte vetëm 4 aktorë dhe 3-4 figurantë.

ALMA MILE

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›