E Shtunë, 31 Tetor 2026

Akuzat për arbitrat, shkarkohet Rudi Vata

Vllaznia/ Klubi i kërkon teknikut të kërkojë ndjesë publike për deklaratat.

Drejtuesit: Janë shpifje, do ta çojmë çështjen në Prokurori.

Rudi Vata nuk është më trajner i Vllaznisë. Shkarkimi i tij erdhi dje pas një mbledhjeje urgjente të bordit mbikëqyrës të klubit. Në fakt, drejtuesit nuk janë mjaftuar vetëm me shkarkimin e trajnerit të tyre, por kanë dalë edhe me një deklaratë për shtyp ku kanë kërkuar që Vata të kërkojë publikisht falje për thëniet e tij në drejtim të drejtuesve të klubit, një ditë më parë, si në mediat vizive dhe të shkruara. Në të kundërt, drejtuesit kanë kërcënuar se do t’i drejtohen Prokurorisë, duke kërkuar ndjekje penale për ish-teknikun e Vllaznisë. Sipas informacioneve nga klubi, mësohet se Vata është shkarkuar direkt nga kryetari i Bashkisë Shkodër, Lorenc Luka, paçka se ky i fundit nuk është prononcuar fare për mediat. “Në lidhje me deklaratën e z.Rudi Vata, shpërndarë për mediat në orët e vona të mbrëmjes së datës 8 prill 2012, sqarojmë se deklarata është përgatitur në mënyrë aspak profesionale dhe etike, e ngarkuar me shpifje të ulëta, mllef dhe dashakeqësi ndaj KF Vllaznia sh.a, duke tentuar dëmtimin e imazhit të klubit. Kjo është një deklaratë e përgatitur në kushtet e një dëshpërimi të thellë në dështimin e tij si trajner dhe të objektivave që kishte. KF Vllaznia hedh poshtë me përbuzje të gjitha shpifjet e z.Vata, të cilat nuk kanë asnjë bazë vërtetësie. Klubi, që në ditën e krijimit të tij ka përmbushur të gjitha detyrimet ligjore në lidhje me procedurat financiare, juridike dhe organizative. Çdo aspekt financiar dhe kontraktual është lehtësisht i verifikueshëm, pasi të gjitha veprimet janë kryer mbi bazën e dokumentacionit financiar, të kontratave me çdo individ dhe subjekt nëpërmjet llogarive bankare, si asnjëherë më përpara. Gjithashtu, deklarojmë se z.Rudi Vata, në cilësinë e trajnerit të Vllaznisë, i është lënë dorë e lirë vendimmarrjeje në drejtimin e skuadrës, në përzgjedhjen e stafit të tij dhe të lojtarëve, duke i plotësuar maksimalisht kushtet optimale të punës. Në asnjë moment dhe në asnjë rrethanë nuk është punuar për të cenuar punën e z.Vata”, thuhet në deklaratë. Më tej, në deklaratën e vet KF Vllaznia prek edhe temën e nxehtë të gjyqtarëve, ku edhe akuzohej direkt nga ana e Rudi Vatës për fondin e zi që drejtuesit donin të krijonin për “xhaketat e zeza”. “Në të gjitha rastet kur kemi konstatuar probleme gjykimi jo profesional nga ana e gjyqtarëve në ndeshjet e Vllaznisë, është reaguar zyrtarisht në mënyrë institucionale përmes ankesave depozituar në FSHF. Strukturat drejtuese të klubit gëzojnë të gjitha të drejtat ligjore dhe statutore për të analizuar në çdo moment, kur e shikojnë të arsyeshme, ecurinë dhe performancën individuale apo kolektive. Në të gjitha kontratat e lidhura, është pjesë e rëndësishme realizimi i objektivave të paracaktuara nga klubi dhe respektimi i imazhit të Vllaznisë dhe asnjë person nuk ka të drejtë ta cenojë apo të shpifë në dëm të këtij emri të madh të sportit shqiptar. KF Vllaznia i kërkon z.Rudi Vatës t’i tërheqë menjëherë publikisht shpifjet e bëra në drejtim të klubit dhe drejtuesve të tij. Në të kundërt, z.Vata do të duhet të përballet me Drejtësinë për shpifjet publike”, përfundon deklarata.

Canaj-Duro
Pavarësisht se mund të kërkohet ende shumë kohë që të mësohet se kush do të pasojë tani Rudi Vatën, në Shkodër kanë filluar që të përfliten edhe emrat e parë që mund ta drejtojnë këtë skuadër. Agim Canaj shikohet si kandidatura më e mirë për të marrë drejtimin e klubit të Vllaznisë. Ai ka e udhëhequr për shumë javë në sezonin 2008-2009. Ndërsa një tjetër emër që ka korrur sukses me ekipet e tjera, por jo me ekipin e Vllaznisë, është edhe ai i Shpëtim Duros. Edhe Duro shikohet me nota mjaft pozitive për të marrë drejtimin e ekipit shkodran.

FSHF: Akuzat e Vatës në komisione
Ka reaguar dje edhe Federata Shqiptare e Futbollit në lidhje me deklaratat e bujshme të Rudi Vatës në mediat e shkuara për çështjen e arbitrave. Sipas FSHF-së, këto akuza do të kalojnë në hetim nga ana e komisioneve juridike në Federatë, ku me shumë gjasa do të jetë Disiplina ajo që do merret me këtë çështje. Gjithsesi, nuk hidhet poshtë edhe ndonjë hetim i Komisionit të Etikës, kjo në varësi të asaj që do dalë nga hetimi paraprak.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›