E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pianisti i “shpellës”



Baza e shoqërisë, familja, e cila merr jetë prej dy qenieve të “kundërta”, një mashkulli dhe një femre, të cilët nuk janë tolerantë ndaj njëri-tjetrit. Nuk ka bashkëpunim, duke na dhënë kështu edhe arsyet më kryesore mbi konfliktet mes partnerësh. Kjo ishte monodrama e regjisorit dhe njëkohësisht aktorit Spiro Duni, i cili na dha një monodramë, dy ditë më parë. “Mbroni shpellarin”, si vepra e autorit amerikan Rob Becker, ka përfshirë edhe tjetër aktor-muzikant, pianistin më të mirë të xhazit, Genti Rrushi. Artisti na tregon mbi eksperiencën e tij më të re, si dhe perceptimet e tij mbi këtë vepër, ku struktura e saj unike, siç na thotë ai, e ka hipnotizuar atë për të marrë përsipër dy role të vështira

Baza e shoqërisë, familja, e cila merr jetë prej dy qenieve të “kundërta”, një mashkulli dhe një femre, të cilët nuk janë tolerantë ndaj njëri-tjetrit. Nuk ka bashkëpunim, duke na dhënë kështu edhe arsyet më kryesore mbi konfliktet mes partnerësh. Kjo ishte monodrama e regjisorit dhe njëkohësisht aktorit Spiro Duni, i cili na dha një monodramë, dy ditë më parë. “Mbroni shpellarin”, si vepra e autorit amerikan Rob Becker, ka përfshirë edhe tjetër aktor-muzikant, pianistin më të mirë të xhazit, Genti Rrushi. Artisti na tregon mbi eksperiencën e tij më të re, si dhe perceptimet e tij mbi këtë vepër, ku struktura e saj unike, siç na thotë ai, e ka hipnotizuar atë për të marrë përsipër dy role të vështira. Genti është muzikant, por na tregoi se di edhe të aktrojë. Mesazhi që ka mundur të përcjellë e ka bërë për vete. Por ai del në një përfundim duke u shprehur se “njerëzit kanë zhvilluar atë çka është rreth tyre dhe deri në një farë mase ndodh e kundërta. Edhe fluksi i madh i informacionit është i mirë, por në anën tjetër nuk është edhe aq shumë në dobi të njerëzve. Ne merremi gjithë ditën pas punëve të ndryshme dhe në këtë mënyrë shpesh herë harrojmë edhe partnerin tonë”. Me pak fjalë, sa më primitivë, aq më të lumtur do të jemi - si brendi e shfaqjes “Mbroni shpellarin”.

Ju keni interpretuar si pianist dhe aktor njëkohësisht në shfaqjen teatrale “Mbroni shpellarin”. Si u ndodhët në këtë vepër?

Në fakt, prej shumë kohësh kam pasur dëshirë që të bashkëpunoja me regjisorin Spiro Duni. Së bashku me të doja të bëja thjesht diçka artistike, si të luaja në piano, apo edhe si aktor. Pasi më ftoi të isha edhe unë pjesëmarrës në këtë shfaqje, u gjenda brenda saj 100 për qind, sepse Spiro më konsideroi si një aktor. Unë nuk jam aktor, por jam thjesht një muzikant. Më vonë mora skenarin, leximi drejt tij më tërhoqi, duke u nisur edhe nga vetë mesazhi që transmetonte kjo vepër.

Po çfarë ju tërhoqi konkretisht nga mesazhi i kësaj vepre?

Mesazhi i veprës është një lloj ndërgjegjësimi për të gjitha shtresat e popullsisë. Për ata që e kanë parë shfaqjen dhe ata që nuk e kanë ndjekur, vepra kërkon të sensibilizojë të gjithë ato çifte partnerësh, të cilët nuk arrijnë të gëzojnë dashurinë dhe harmoninë mes njëri-tjetrit. Është fjala për histori që gjithëkush e gjen veten aty brenda. Megjithatë, unë e kam parë më tepër edhe me një sy profesional, si muzikant. Më pëlqen struktura e veprës sepse nuk është një ngjarje që zhvillohet. Në vepër bëhet fjalë për histori të lidhura ngushtë me njëra-tjetrën, histori të vogla që trajtohen, të cilët formëzojnë të tërën. Deri më tani nuk kam arritur të shoh një vepër tjetër që është e ndërtuar në këtë formë. E më tej, përmend edhe mesazhin përfundimtar, bashkëpunimi ndërmjet dy qenieve që bëjnë atë që quhet jetë.

Ju vetë si e shikoni në realitetin tonë këtë lloj bashkëpunimi, ndërmjet dy qenieve të “kundërta”?

Të vështirë. E them kështu, duke qenë se kjo vështirësi konsiston në mentalitetin mes tyre, qoftë për meshkujt, ashtu edhe femrat në Shqipëri. Përballë njëri-tjetrit ka një përqindje të vogël tolerance. Tek të dyja palët. Nuk mund të bëj një dallim të mirëfilltë mes tyre, sepse femrat kanë një lloj posesiviteti, ndërsa meshkujt kanë njëlloj pavarësie, prandaj edhe nuk e ndaj dot. Bashkëpunimi është thelbi, është primar në këmbim të dashurisë dhe respektit. Sa më shumë që të bashkëpunojnë, aq më tepër partnerët do ta dëgjojnë njëri-tjetrin. Duhet të dinë të respektojnë mendimet e tyre.

“Mbroni shpellarin”, një titull që indirekt lidhet edhe me njeriun e hershëm primitiv, ashtu siç e ka theksuar edhe regjisori Spiro Duni në një konferencë për mediat. Njeriu dhe primitiviteti - si e gjykoni këtë shkallë të shoqërisë, e përkthyer në art, muzikë, teatër...?

Po, qëndron si shprehje apo edhe si studim. Kjo për arsye se njerëzit kanë zhvilluar atë çka është rreth tyre dhe deri në një farë mase ndodh e kundërta. Edhe fluksi i madh i informacionit është i mirë, por në anën tjetër nuk është edhe aq shumë në dobi të njerëzve. Në merremi gjithë ditën pas punëve të ndryshme dhe në këtë mënyrë shpeshherë harrojmë edhe partnerin tonë. Kjo sigurisht ndikon paksa apo jo? Krijon në një farë sensi diferencën, konfliktet, apo edhe kur nuk ndihen mirë me njëri-tjetrin. Por e dini se çfarë bënte njeriu në kohën e shpellës? Dikush kishte një partnere, kishte edhe një shpellë që në ditët e sotme përkthehet shtëpi dhe detyrimet e tyre ishin të ndara. Mashkulli siguronte ushqimin, pra mishin, ndërsa femra kujdesej për fëmijët. Kaq. Kjo ishte rruga e lumturisë në atë kohë. Shprehem kështu, sipas asaj që kemi lexuar, pasi edhe ata mund të kenë pasur problemet e tyre. Sa do doja t’i dija!

Jeni muzikant, pianisti që luajti në këtë shfaqje. Cila është lidhja e pianos me teatrin?

Fjala shkon me tingullin. Ky është edhe parimi i regjisurës së Spiro Dunit, të cilën e kemi diskutuar disa herë. Në këtë rast, ai preferonte që së bashku të realizonim diçka “live”, sepse gjërat ndryshojnë dita-ditës. Në qoftë se ka një intensitet të vogël, unë jam i detyruar ta ndjekë atë, në të kundërt do të më duhet të bëj kolorin e veprës. I jap ngjyrën. Sigurisht, nuk ishte plotësisht një muzikë origjinale, pasi një përqindje e tyre është edhe e importuar, por gjithsesi të sjella në një formë që i shërbente veprës.

Cila është filozofia juaj në raport me pianon?

Filozofia? Në fakt, është paksa e komplikuar të them të drejtën. Unë e shoh tashmë pianon, madje e shikoj edhe si partneren time. Tek ajo jam i sigurt, sepse kam dikë që është shumë kapriçoze me mua, kërkon shumë nga unë, më merr, por edhe më jep shumë. Më jep kënaqësi pasi nëse dikush më dëgjon, do të thotë se dikush po më dëgjon vetëm mua. Më jep një ndjesi që nuk mund të ta shpreh me fjalë, por nëse ju apo dikush tjetër do të ishte në vendin tim, do ta besonte më mirë këtë pozitë. Por sigurisht, siç e thashë edhe më merr shumë.

Çfarë ju merr, kohë?

Koha është gjëja më e vogël që të merr. Nëse flasim parimisht, të jetosh me një muzikant, apo një artist çfarëdo qoftë ai, është shumë e vështirë, sepse partnerja duhet të pranojë që veç saj, artisti ka edhe një partnere të dytë. Nëse flas për veten time, unë kam pianon, si dhe dikush tjetër.

Në shfaqje keni interpretuar edhe si pianist, por edhe si aktor. Sa e vështirë ishte të bëje dy role njëkohësisht?

Ishte më shumë se e vështirë. Mund të këndosh në skenë, apo të bësh diçka që ka lidhje me muzikën, profesionin tim, është “ok”, por të komunikosh me publikun ishte shumë e vështirë. Kjo ishte eksperienca ime e dytë si aktor. Kam qenë një gjysmë aktori në një tjetër monodramë vitin që shkoi.

Çfarë ju jep teatri, meqë nuk jeni aktor, por e luani atë?

Më plotëson. Fillimisht e kam pasur ëndërr të punoja në një teatër, sepse në momentin që ndjen një lloj konsumi në muzikë për spektatorët (në kuptimin e mirë), fillon të kërkosh edhe diçka tjetër që të falë teatri apo kinemaja. Kjo, për shkak se edhe njeriu e kërkon natyrshëm. Më jep një përqindje që unë nuk e ndjej në muzikë.

Ju aktruat në skenë, ndonëse jeni muzikant, çfarë zbuluat nga eksperienca juaj më e re si aktor?

Unë nuk di asgjë nga aktrimi, por thjesht e ndjej atë që bëj. Në qoftë se do të bësh diçka mirë, mendoj se duhet të jesh i vërtetë.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›