INSTAT, çmimet e ushqimeve rriten me 0.7% në shkurt
Zarzavatet, rritjen me të lartë, me 6.2 për qind
Frutat u rritën me 4.9 % në muajin e dytë të vitit
Efektet e krizës ekonomike po shfaqen në çmimet e produkteve ushqimore në vend. Çmimi i ushqimeve u rrit në muajin shkurt krahasuar me muajin janar dhe po ashtu edhe me shkurtin e vitit të kaluar. INSTAT njoftoi dje se Indeksi i Çmimeve të Konsumit në muajin shkurt 2009 arriti 103.3 për qind, kundrejt muajit dhjetor 2007 (Dhjetor 07=100), duke shënuar një rritje prej 0.7 për qind krahasuar me muajin e mëparshëm. Ndryshimi vjetor në muajin shkurt është 1.9 për qind. Një vit më parë ky ndryshim ishte 3.6 për qind. Indeksi i grupit “Ushqime dhe pije jo alkoolike” shënoi një rritje prej 1.6 për qind, me një ndikim prej 0.6 për qind në totalin e ndryshimit mujor. Brenda këtij grupi rritja më e madhe prej 6.2 për qind vërehet në nëngrupin “zarzavate, përfshirë patatet”. Këtu mund të përmendim rritjen e çmimit të lulelakrës me 30.2 për qind, spinaqit me 29.2 për qind, specave me 26.8 për qind, kastravecëve me 7.6 për qind, domateve me 6.0 për qind, fasules me 2.2 për qind etj. Indeksi në nëngrupin “fruta” shënoi një rritje prej 4.9 për qind, ku mund të përmendim rritjen e çmimit të mandarinave me 33.2 për qind, dardhave me 1.5 për qind, bananeve me 0.6 për qind, mollëve me 0.2 për qind etj. Ndërsa çmimet e disa frutave të tjera pësuan ulje gjate muajit shkurt, ku mund të veçojmë uljet e çmimit të limonëve me 5.0 për qind dhe portokalleve me 2.8 për qind. Gjatë muajit shkurt çmimet në disa nëngrupet e tjera të grupit të ushqimeve shënuan ulje, ku mund të përmendim uljet në nëngrupet “qumësht, djathë e vezë” 0.3 për qind, dhe “peshk” 0.1 për qind. Indeksi i grupit “Pije alkoolike dhe duhan” shënoi një rritje prej 0.2 për qind, rritje kjo si rezultat i rritjes së çmimeve të pijeve alkoolike. Indeksi i grupit “veshje dhe këpucë” shënoi një ulje prej 0.2 për qind, me një ndikim prej - 0.01 për qind në totalin e ndryshimit mujor. Indeksi i grupit “Shërbimi arsimor” shënoi një rritje prej 0.5 për qind, ku mund të përmendim rritjen e pagesave për kryerjen e kurseve të ndryshme me 3.7 për qind. Indeksi i grupit “transport” shënoi një rritje prej 0.3 për qind. Gjatë muajit shkurt, çmimi i naftës shënoi një ulje prej 1.5 për qind dhe çmimi i benzinës një ulje prej 1.6 për qind. Ndryshimet në grupet e tjera variojnë nga - 0.1 për qind në + 0.4 për qind.