Pianistja Elezi, koncert në Hamburg

Me ftesë të znj. Elizabete Ruge, Presidente e Zonta Club Aumühle-Sachsenwald, pianistja kosovare Lule Elezi, më 22 maj, mbajti koncert solistik në Hamburg të Gjermanisë, me ç’rast performoi vepra të kompozitorëve botërorë.
Koncerti i pianistes Elezi u mbajt në kështjellën Schloss Reinbek dhe u prit jashtëzakonisht mirë e me duartrokitje të gjata nga publiku gjerman. Pianistja Elezi me insistim të publikut luajti vepra shtesë jashtë programit të paraparë. Si rezultat i suksesit të arritur, pianistja Elezi u ftua nga Presidentja Ruge që të mbajë sërish koncert solistik në vitin e ardhshëm në Hamburg të Gjermanisë.
Me këtë rast, gazeta e Hamburgut Bergedorfer Zeitung i kushtoi një artikull të veçantë profilit profesional dhe koncertit të pianistes Elezi.