Pianoja e Reas
Është vetëm 16 vjeç dhe mbrëmë përfundoi turin e saj artistik si pianiste në disa prej qyteteve më të mëdha të Shqipërisë. Rea Bisha ka dhënë mbrëmë një koncert recital në Akademinë e Arteve, pas debutimit në Durrës dhe Shkodër. Në kuadër të vitit të Haydn-it, kompozitorit të njohur ndërkombëtar, nxënësja e liceut artistik “Jordan Misja” në drejtimin e pedagoges Anita Tartari ka interpretuar një repertor të gjerë në instrumentin e pianos, dirigjuar nga Fatos Qerimaj. Një nga synimet e Reas ishte që nëpërmjet këtij koncerti të gjente rastin për të bërë një “boom” të madh, siç shprehet edhe vetë ajo. “Unë arrij të përballoj koncerte të tilla dhe mendoj se kam një nivel të lartë në piano. Di të bëj edhe projekte të mëdha, siç ishte koncerti im recital, që fillonte në Durrës, Shkodër dhe mbrëmë në Tiranë”, - shprehet nxënësja Rea Bisha, duke në bërë të ditur se ky event shënon koncertin e saj të parë recital për nga rëndësia artistike. Koncerti është shoqëruar edhe nga orkestra, ndërkohë që të njëjtin program tashmë ajo e ka luajtur edhe në dy qytetet e tjera të sipërpërmendur. E bindur që di të përballojë projekte të vështira siç ishte debutimi përmendësh i një repertori të gjerë klasik, na thotë se në këtë mënyrë plotëson vetveten e saj. “Tek instrumenti i pianos unë arrij të gjej gjysmën e vetes sime, sepse edhe pse jam në një moshë të tillë, kam arritur të kuptoj se është një pjesë që më plotëson si person”, - tregon Rea. Ajo i ndjek të gjitha koncertet që organizohen në Tiranë, ndërsa shton si instrumentisten e saj të preferuar pedagogen që e udhëheq prej rreth dy vitesh, Anita Tartari, ndërsa Artur Rubinsten është idhulli i saj. “Më pëlqen sepse është shumë i ndjeshëm kur luan, ka teknikë shumë të mirë dhe i shpreh ndjenjat jashtëzakonisht këndshëm në piano”, - thotë ajo. Ndërsa vetë ajo vijon se nëpërmjet tingujve të pianos shpreh të gjithë gjendjen shpirtërore, duke thënë se “mundohem të hyj në botën e pjesës që do të luaj dhe mundohem ta përjetoj sa më mirë”. Ndër kompozitorët që preferon të luajë më së shumti janë Haydn dhe Chopin, pasi e konsideron edhe vetveten romantike si ata. “Më pëlqejnë shumë romantikët, dhe mendoj se përshtatem shumë mirë me ta. Janë shumë të ndjeshëm dhe më tërheqin shumë”, - thotë Bisha. Nga ana tjetër puna e Reas ka bindur përfaqësuesit e njohur të muzikës së lehtë shqiptare, të cilët nuk hezitojnë ta mbështesin atë si një talent të ri, ashtu edhe të japin përshtypjet mbi talentin e Reas. Kështu dirigjenti i koncertit të saj, Fatos Qerimaj, është shprehur se “ky është një projekt vërtet interesant që i vjen në ndihmë talenteve të reja. Është një angazhim i pedagogëve, ashtu siç është edhe i profesoreshës Anita Tartari, e cila e ka përgatitur këtë nxënëse kaq të talentuar. Rea është një pianiste me një repertor ambicioz, pretendues, një pianiste me një sinqeritet loje vërtet shumë të pastër dhe jam i sigurt se perspektiva e saj do të jetë e ndritur”. Ai ka shtuar se talenti i saj shkon shumë përshtat me të gjitha stilet dhe epokat muzikore e për këtë ai e vlerëson. Ndërsa vetë pedagogia e pianistes së vogël, Anita Tartari, e konsideron një vajzë të zgjuar dhe që punon shumë. “Për këtë e përgëzoj dhe jam shumë optimiste për të ardhmen e saj. Është një vajzë e talentuar dhe me perspektivë në të ardhmen”, - shprehet ajo. Në programin që ajo është bazuar për të kënduar mbrëmë përfshihet një repertor i gjerë si Edward Elgar: “Serenade for string”, ku përfshihen Allegro Piacevole, Larghetto, Allegretto, pjesë nga Chopin F: Valse op. 64 nr. 2, Liszt F: Rigoleto, Britten B: Pizzicato, Haydin Jos: Piano koncert D. dur (Vivace, Adagio, Rondo Ungherese).