E Diel, 1 Nëntor 2026

Gecaj: Mbetjet mjekësore kthejnë spitalet në “vatër infeksionesh”

Flet për “standard” drejtori i Autoritetit Shëndetësor Rajonal, Mhill Gecaj

Gecaj: Eliminimi i mbetjeve spitalore nga spitalet publike lë për të dëshiruar. Kriter kryesor për marrjen e licencës është trajtimi specifik i mbetjeve

* * * *

Të papranueshëm e konsideron mosplotësimin e standardeve nga subjektet private dhe shtetërore në lidhje me eliminimin e mbetjeve spitalore, drejtori i Autoritetit Shëndetësor Rajonal, Mhill Gecaj. Në një intervistë për “standard” ai thotë se eliminimi i mbetjeve është një detyrim ligjor dhe duhet respektuar. Ndërkohë, sipas tij, subjekte pa asnjë përgjegjësi i djegin ato në ambiente të hapura apo më keq duke i hedhur në vendet e grumbullimit të mbeturinave si kur të ishin mbetje urbane, duke kthyer kështu një pjesë të qendrave shëndetësore në vatër infeksioni dhe burim grimcash kancerogjene. “Kjo është e rrezikshme, sepse paraqesin rrezikshmëri të lartë për sëmundjet infektive dhe ana tjetër në rastet e djegieve shkaktojnë ndotje në mjedis me substanca kancerogjene”, -shpjegon kreu i ASHR-së, Mhill Gecaj.

1-Për vite me radhë mbetjet spitalore janë lënë në harresë. Cila është arsyeja që autoritetet shëndetësore më në fund po interesohen për këtë çështje?

Është e vërtetë që kjo çështje nuk është trajtuar me seriozitet nga autoritetet shëndetësore ndër vite. Ne jemi angazhuar seriozisht me këtë problem dhe mendoj se kemi vepruar mirë. Është e papranueshme që të mos plotësohen standardet nga subjektet private dhe shtetërore në lidhje me eliminimin e mbetjeve spitalore, ky është një detyrim ligjor dhe duhet respektuar. Ne kemi një rregullore të nënshkruar nga dy ministri, ajo e Shëndetësisë dhe e Mjedisit, dhe ligjin për shëndetin publik dhe Inspektoratin Sanitar. Në këtë rregullore është e përcaktuar qartë se cilat quhen mbetje spitalore dhe si bëhet eliminimi i tyre. Pra, që nga momenti prodhimit të këtyre mbetjeve, ruajtja, ambalazhimi, transportimi dhe më pas eliminimi i tyre. Është e papranueshme që subjekte pa asnjë përgjegjësi i djegin ato në ambiente të hapura apo më keq, duke i hedhur në vendet e grumbullimit të mbeturinave sikur të ishin mbetje urbane. Kjo është e rrezikshme, sepse paraqesin rrezikshmëri të lartë për sëmundjet infektive dhe ana tjetër në rastet e djegieve shkaktojnë ndotje në mjedis me substanca kancerogjene. Pse ne jemi angazhuar tani? Dua të sqaroj se me vendimin e fundit të qeverisë për decentralizimin në licencimin e veprimtarive private në fushën e shëndetësisë dhe krijimin e drejtorive rajonale të shëndetësisë ku u jepen më shumë kompetenca drejtorive rajonale, ne kemi vendosur që të plotësohen standardet nga të gjitha subjektet sipas rregullores. Gjithashtu, edhe për subjektet shtetërore ne kemi marrë masat në zbatim të ligjit për Inspektoratin Sanitar Shtetëror. Në vendin tonë ekziston inspektorati i mjedisit dhe ky duhet të kishte ndërhyrë për t’u marrë seriozisht me këtë çështje. Ne po bëjmë detyrën tonë dhe për këtë jemi shumë të vendosur, të tjerët të bëjnë detyrën e tyre dhe të gjithë bashkë të realizojmë standarde që do të shërbejnë për veten tonë në radhë të parë gjithashtu të plotësojmë standardet e OBSH-së dhe të BE-së.

2-Dihet që këto mbetje përbëjnë rrezik të madh për pacientët dhe banorët që jetojnë rreth klinikave, ndërkohë eliminimi i tyre kërkon një trajtim të veçantë. A mendoni se kostoja e lartë e aparaturave për eliminimin e tyre ka qenë arsyeja kryesore për neglizhimin e mbetjeve spitalore? A mundet t’i blejë MSH-ja (Ministria e Shëndetësisë) këto aparatura dhe më pas t’i shpërndajë?

Mendoj se nuk është kjo arsyeja, ndaj dhe dua të sqaroj këtë fakt. Ligji parashikon edhe mundësi të tjera alternative siç është dezinfektimi, kalimi në procesin e sterilizimit të plotë me areosteril dhe autoklavë ku një pjesë e madhe mund t’i nënshtrohen këtij procesi dhe më pas të trajtohen si mbetje të ngurta. Por kjo nuk mund të ndodhë për të gjitha mbetjet. Ndërsa në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza“ kemi krematoriumin dhe në disa spitale të tjera gjithashtu ka inceneratorë të vegjël që shërbejnë po për këtë. Pra, siç e shikoni, nuk është problem kryesor kostoja e këtyre aparaturave, në çdo qendër shëndetësore dhe klinikë private duhet të ekzistojnë areosterilë dhe autoklavë sepse nuk është kosto e madhe blerja e tyre. Ne nuk po themi që çdo qendër shëndetësore të ketë krematorium, jo, ndërsa për të tjerat të lidhin kontratë me ato institucione të cilat i disponojnë këtë mundësi.

3-Ndoshta klinikat private mund t’i blejnë vetë këto aparatura, po për sa u përket spitaleve publike, si do të veprojnë ato? D.m.th. këto spitale do të kryejnë vetë tenderimin për blerjen e aparaturës? Si do të funksionojë kjo pjesë?

Ligji shprehet qartë dhe u jep mundësi që të përdorin këtë mundësi, për ato të cilat nuk i kanë, t’i blejnë sipas të gjitha procedurave të prokurimit, në mënyrë që të plotësojnë këtë standard. Spitalet publike, të cilët janë edhe prodhuesit më të mëdhenj, sepse këtu kemi edhe mbetje nga ndërhyrjet kirurgjikale, duhet të mendojnë këtë zgjidhje nëse nuk e kanë, e kjo sidomos për spitalet rajonale. Unë me këtë rast dua t’u bëj edhe një apel kolegëve të mi në qarqe që të jenë shumë të rreptë në këtë drejtim dhe të bëhen promotorë të zbatimit të këtij detyrimi për të gjitha subjektet dhe të mos pajtohen më këtë.

4-Aktualisht, cilat subjekte shëndetësore shtetërore në vend kryejnë eliminimin e mbetjeve spitalore dhe si paraqitet situata?

Ne kemi në QSUT, Spitalin Ushtarak dhe në disa spitale rajonale. Por edhe këto spitale lënë për të dëshiruar që nga ambalazhimi, ruajtja dhe transportimi i tyre deri në asgjësimin e plotë që nuk bëhet në përputhje me rregulloren për trajtimin dhe eliminimin e mbetjeve spitalore. Të gjithë jemi dëshmitarë se si transportohen pa plotësuar asnjë element sigurie, prandaj drejtuesit e të gjitha institucioneve duhet të jenë kërkues ndaj vartësve të tyre për këtë fenomen.

5-ASHR ka vendosur si kriter kryesor trajtimin specifik të mbetjeve për të gjitha klinikat shëndetësore që kërkojnë të ushtrojnë aktivitetin privat në kryeqytet. Gjithashtu është kthyer edhe kusht kryesor për marrjen e licencës?

Autoriteti Shëndetësor Rajonal ka vendosur në përputhje të plotë me ligjin dhe në kuadër të licencimit të veprimtarive private në fushën e shëndetësisë që çdo subjekt, i cili do të ushtrojë aktivitet privat në këtë sektor dhe në përputhje të plotë me kriteret e vendosura nga Ministria e Shëndetësisë, të plotësojë këtë standard, ashtu si dhe të gjitha detyrimet e tjera për t’u licencuar. Nuk duhet të mendojnë vetëm për fitim, por që të arrijë aty, duhet të investojë si për aparaturat e tjera ekzaminuese, edhe për këtë problem. Ne vlerësojmë shumë biznesin privat në sektor të shëndetësisë në të gjitha fushat sepse është vërtet i rëndësishëm dhe e them me bindje se ka klinika mjekësore në Tiranë që vërtet duhen përgëzuar me investimet e tyre dhe shërbimet që ofrojnë, të cilat në disa raste, për të mos thënë në shumë raste, konkurrojnë shërbimin publik, si në çdo vend të botës. Nga ana tjetër, nuk mund dhe nuk duhet të pranojmë që pak subjekte të prishin këtë imazh pozitiv, pikërisht për këtë jemi të vendosur.

6-Cilat janë masat ndëshkuese ndaj atyre klinikave që nuk zbatojnë kriteret për eliminimin e mbetjeve spitalore?

Të gjitha masat janë të parashikuara në ligj, si për mbetjet spitalore, ashtu edhe për Inspektoratin Sanitar Shtetëror, si gjobat dhe sanksionet e tjera, pot duhet që edhe Inspektorati i Mjedisit të jetë më i angazhuar në këtë problem, siç e theksova dhe më lart.

7-Si do të procedohet për ato klinika që dëshirojnë të marrin licencë, ndonëse u është refuzuar një herë licenca për shkak të mbetjeve?

Nuk është qëllim në vetvete nga ana e ASHR-së për të ndëshkuar subjektet dhe qytetarët, përkundrazi. Në të gjitha rastet ne bëjmë inspektimin, mbajmë procesverbalet e konstatimit, duke u lënë detyrat dhe afatet kohore për të plotësuar këtë standard si dhe për kriteret e tjera dhe mund të paraqiten përsëri për ta marrë këtë licencë, siç edhe është vepruar. Njëkohësisht garantojmë çdo subjekt, i cili është i interesuar për të ushtruar aktivitet privat në fushën e shëndetësisë, se do të gjejnë të gjithë aksesin e nevojshëm, përkushtimin e këtij institucioni për t’u bërë të mundur subjekteve të marrin në kohë licencën sipas vendimeve të qeverisë shqiptare, vendime që u kanë bërë të mundur qytetarëve që të përfitojnë brenda 20 ditëve licencën sipas formularit të vetëdeklarimit. Ju kujtoj se vite më parë atyre u duhej që të prisnin dhe të sorollateshin poshtë e lart për një licencë.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›