Kërkesat e shqiptarëve nuk janë përmbushur
M’u kujtua diçka krahasuese, se në njëfarë mënyre, na u ngjall Luigji IV “Monarku i Madh” francez, me ambiciet e tij jo vetëm për pushtet të pakufizuar, por edhe për shtimin marramendës të pasurisë. Shpenzimet e kryera për vete dhe për miqtë, simpatizantët e mbretërorët si dhe për çdo tjetër që rrinte pranë tij (lajkatarët, servilët, dallkaukët, sahanlëpirësit etj.) arritën nivelet më të larta dhe kazma po i vihej ekonomisë së vendit dhe nivelit të jetesës së popullit, i cili kishte arritur varfërinë e tejskajshme. Mbreti thoshte: “Sa të jem në pushtet, do të bëj si të dua, do të shpenzoj pa kufi, nga të ardhurat prej popullit se fondet i disponoj vetëm unë”. E ministrave të vet u thotë: “Zotërinj, do të bëni siç them unë, sepse unë do të jem Kryeministri im. Të gjithë do të rrini sus, se pa urdhrin e mendimin tim nuk do të lëvizë qimja, se pastaj… e dini vetë”. Për gjenialitetet e Luigjit IV kanë shkruar shumë biografë e historianë. Ndër të tjerët një thotë: “Kur e pa veten atje lart, në majën më të lartë të pushtetit, njerëzit i shikonte si miza dhe nuk pyeste për askënd, gënjente natë e ditë, premtonte e betohej për Zotin, duke i bekuar “mizat” në emër të tij, gjë që e bënte qesharak”. Dhe më në fund, tha marrëzinë më të madhe: “Shteti jam unë!” Kur, e pyetën për ligjet e Francës, se çfarë janë ato e ku hyjnë në fuqi, dhe Luigji IV, serbes-serbes tha: “Ligjet bëhen sipas qejfit të atij që qeveris. Ato nuk vijnë nga qielli, bëhen këtu, sipas “dëshirës së popullit”, shkurt: “Edhe ligji jam unë”, se ligjet janë derivate të mendjes së njeriut e asgjë tjetër, se ato ndërtohen sipas kërkesës së atyre që administrojnë shtetin dhe jo sipas ndonjë shkence ekzakte, prandaj heshtni e dëgjoni ato që thotë sovrani juaj!” Qeveria e Maqedonisë është shndërruar në zëdhënëse të ideologjisë partiake të VMRO-DPMNE-së dhe duket se s'kanë interes për zgjidhje politike, porse kushtëzojnë elementin shovinist e nacionalist. Qëllimi i qeverisë është që këtë luftë me Greqinë ta fitojë me ndjekjen e taktikës së propagandimit dhe përvetësimit të vlerave antike, me sulme shoviniste dhe që kalon deri në racizëm dhe kolonializëm të vlerave historike të një shteti tjetër. Brenda këtyre tre vjetëve, kapedan Nikolla dukshëm ka dobësuar radhët e partive shqiptare, duke i sorollatur ato herë andej, herë këndej, por më e çuditshme përsëri mbetet se sidomos dy partitë më të mëdha shqiptare ende nuk flasin gjuhën e kuptueshme për popullatën, por mundohen andej-këndej të shminkojnë gjendjen, të gjejnë disa përshkrime e analiza të situatës që shpesh të lënë përshtypjen se ku janë duke ministruar apo për kë po flasin, lënë përshtypjen se janë duke lexuar vjersha që i përsëritin kohë pas kohe e janë bërë të bezdisshëm. Është fakt se kërkesat politike të shqiptareve nuk janë përmbushur, klasifikimi i BDI-së është ulur për 50% dhe është duke i ndodhur po e njëjta gjë që i ndodhi partisë së Menduh Thaçit. Gruevski po arrin të defaktorizojë shqiptarët edhe në koalicionin e tashëm. Që nga hyrja në këtë koalicion, diheshin hesapet për bilancierët e për ata që kuptojnë e analizojnë politikën e tij. Shtrohej pyetja prej atëherë se si do të jetë funksional një koalicion i tillë ekstrem djathtist dhe në anën tjetër partnerin kualitativ që e karakterizon një e kaluar krejtësisht majtiste. Një koalicion që vjen prej ideologjisë së errët segregative, por ishte vetëm me një qëllim, komprometimi politik i subjektit politik shqiptar. Prandaj shtrohet pyetja: A ishte padija e vizioni i ngushtë i politikanëve tanë e që çdo herë deri më tani ka ndodhur e njëjta që sapo hyjnë në pushtet, u bien kuotat ndjeshëm? Ky pushtet i zgjeruar i partisë së Kryeministrit Gruevski ndaj pozicioneve të dobësuara të partisë shqiptare në qeveri, ka shtuar shqetësimin tek opinioni shqiptar në Maqedoni dhe si duket, në vitet e ardhshme mund të rritet diskriminimi dhe të ngecë implementimi i Marrëveshjes së Ohrit. Në Parlamentin e Maqedonisë, nga gjithsej 120 deputetë, 64 janë të VMRO-DPMNE-së. Numri më i madh i prefektëve të komunave si dhe Presidenti i ri i Maqedonisë, Georgi Ivanov, po ashtu janë nga radhët e partisë së tij, pra pritet që vetëm të dëgjojmë e ndiejmë veprime edhe më ekstreme të tij.