Picurka: “Rumania nuk varet as nga Kivu dhe as nga Mutu”

Mbrojtësi i Interit Kristian Kivu dhe mesfushori Banel Nikolita nuk do të jenë të gatshëm për ndeshjen me Shqipërinë. Lajmi bëhet i ditur nga faqja sportive rumune "Romaniansoccer. ro". Trajneri rumun, Viktor Picurka, tha gjatë konferencës së djeshme për shtyp në prag të ndeshjes me Shqipërinë se Civu dhe Nikolita nuk do të jenë kundër shqiptarëve. "Civu ka pësuar një dëmtim dhe radiografia e bërë rezultoi me probleme. Kodrea është i pezulluar", - tha Picurka. Edhe Adrian Mutu nuk do të jetë i gatshëm për ndeshjen kundër Shqipërisë. Sulmuesi i Fiorentinës është dëmtuar në ndeshjen me Udinezen në kampionatin italian dhe trajneri Picurka vendosi të thërrasë sulmuesin e Poli Timosoara, Gigel Bukur. Trajneri rumun nuk do të ketë kështu dy lojtarët e tij më të rëndësishëm, por ai nuk i trembet Shqipërisë: "Skuadra nuk është e varur as nga Kivu dhe as nga Mutu, ne kemi një grup të rëndësishëm lojtarësh. Ekipi i Rumanisë di të fitojë edhe kur nuk luan Mutu apo Kivu. Rumania nuk varet nga askush. Por, edhe po të humbasim me Shqipërinë, nuk është tragjedi". Me probleme është edhe mbrojtësi Radu Stefan i Dinamos së Bukureshit dhe në vend të tij u thirr Mihai Nesu, mbrojtësi i Steauas.